Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi se Kosova ka bërë kërkesë që të blejë raketa Javelin në vlerë prej 75 milionë dollarësh.
Bëhet fjalë për 246 raketa kundërtanke të këtij lloji, që prodhohen nga SHBA-ja, sipas një njoftimi të Agjencisë amerikane për bashkëpunim në siguri.
Në një përgjigje dërguar REL-it, DASH-i tha se më 11 janar administrata amerikane ka njoftuar Kongresin për propozimin e programit për Shitjet e Huaja Ushtarake (FMS) për rastin e shitjes së raketave Javelin dhe pajisjeve të tjera të lidhura me to për Kosovën.
“Departamenti amerikan i Shtetit shpesh ka vendosur të miratojë shitjen e huaja ushtarake për Ministrinë e Mbrojtjes ës Kosovës, për përdorimin e armëve nga Forcat e Sigurisë së Kosovës”, tha DASH-i.
Shitja e këtyre armëve, sipas DASH-it, mbështet “politikën e jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së duke përmirësuar sigurinë e Kosovës dhe zhvillimin e aftësive të saj mbrojtëse, të ndërveprueshme me NATO-n, pa ndryshuar ekuilibrin thelbësor ushtarak në rajon ose pa ndikuar në gatishmërinë mbrojtëse të SHBA-së”, tha një zëdhënës i DASH-it.
Lexo edhe:
SHBA-ja miraton kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave kundërtanke, thotë Presidenca serbe
SHBA-ja, sipas DASH-it, vazhdon të mbështesë Kosovën në transformimin “transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë shumetnike për mbrojtje territoriale, të ndërveprueshme me NATO-n, , që i nënshtrohet mbikëqyrjes civile”.
Më herët gjatë 11 janarit, nga Ministria e Mbrojtjes së Kosovës thanë se blerja e raketave Javelin është paraparë në kuadër të ngritjes së kapaciteteve ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
“FSK-ja është duke i ngritur kapacitetet e saj ushtarake, dhe, në këtë aspekt, ekziston një marrëveshje ushtarake e nënshkruar mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që funksionon në kuadër të programit FMS, që blerjet të realizohen nëpërmjet këtij programi. Dhe, në këtë aspekt, janë të përfshirë edhe raketa Javelin dhe disa sisteme të tjera moderne të armatimit”, ka thënë Liridona Gashi, këshilltare politike e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Programi FMS (shitjet e huaja ushtarake) është një program i ushtrisë amerikane për të ofruar ndihmë të sigurisë dhe është një “mjet thelbësor i politikës së jashtme amerikane”, thuhet në ueb-faqen e Agjecisë amerikane për bashkëpunim në siguri. Sipas këtij programi, Qeveria amerikane dhe një qeveri e huaj mund të arrijnë marrëveshje ndërqeveritare, që quhet Letër e Ofertës dhe Pranimit.
Lexo edhe:
Cilat janë specifikat e raketës “Javelin” të cilat Kosova do t’i blejë nga ShBA-ja
Lajmi për synimin e Kosovës që të blejë raketa Javelin është cilësuar si “zhgënjim i madh” nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Kosova edhe në të kaluarën ka blerë ose ka pranuar në formë donacioni armë nga Shtetet e Bashkuara.
Pasi u miratuan ndryshimet në Kuvendin e Kosovës më 2018, Qeveria e atëhershme nënshkroi një kontratë me kompaninë amerikane, AM General për pajisjen e FSK-së me 51 automjete të tipit Humvee.
Dy vjet më vonë, Kosova bleu edhe automjete të tjera ushtarake nga SHBA-ja, ndërkaq më 2021, Qeveria amerikan i dhuroi Kosovës 55 automjete të tipit ASV (Armored Security Vehicle).
Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe një vendim për blerjen e dronëve amerikanë, ndërkaq autoritetet kosovare kanë paralajmëruar se ushtria e ardhshme do të pajisjet edhe me helikopterë.
Më 2028, kur pritet që FSK-ja të shndërrohet ushtri, ajo parashihet t’i arrijë të gjitha kapacitetet operacionale për, siç është thënë, “ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe të qytetarëve, pronave dhe interesave të vendit”.
FSK-ja, aktualisht, ka rreth 2.500 pjesëtarë. Pas periudhës së tranzicionit, ky numër pritet të rritet në mbi 7.500 dhe të përfshijë pjesëtarë aktivë dhe rezervistë.
Buxheti për këtë vit i Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës është në vlerë prej 153.049.911 eurosh.
Lexo edhe:
Jasharaj i reagon Nagavcit për lojërat e rrezikshme të fëmij...
Rovena këndon, Sara i kërkon të pushojë – e do zërin e Tayna...
Përfundojnë garat sportive për nder të “Ditës së Forcës”
Netflix gjobitet me 4.75 milionë euro për shkelje të të dhën...
AGK-ja dënon gjuhën fyese të Nexhmedin Spahiut kundër komuni...
Ukraina mohon përdorimin e fosforit të bardhë: Moska kërkon ...