Departamenti i Shtetit për të Drejtat e Njeriut ka publikuar raportin e fundit, për vitin 2023 mbi Praktikat e Vendeve për të Drejtat e Njeriut.
Në raport thuhet se nuk pati ndryshime domethënëse gjatë vitit 2023 për situatën e të drejtave të njeriut në Kosovë.
Të dhënat e publikuara në këtë raport thonë se ndër raportimet më të rëndësishme në lidhje me të drejtat e njeriut ishin problemet serioze me pavarësinë e gjyqësorit; kufizimet serioze ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, përfshirë edhe nëpërmjet dhunës apo kërcënimeve ndaj gazetarëve; korrupsioni serioz i qeverisë; dhuna e gjerë me baza gjinore, përfshirë dhuna në familje, apo ndaj partnerëve; si dhe krimet e dhunshme, apo kërcënimet për dhunë ndaj pakicave etnike dhe komunitetet e tjera.
Raporti i Departamentit të Shtetit thotë se qeveria e Kosovës ndërmori hapa të besueshëm, por jo të vazhdueshëm për të identifikuar, hetuar, akuzuar dhe ndëshkuar zyrtarët që mund të kenë abuzuar me të drejtat e njeriut.
SITUATA ME GJYQËSORIN DHE SHQETËSIMI PËR KORRUPSIONIN
Megjithëse kushtetuta e Kosovës parashikon një gjyqësor të pavarur, raporti thotë se gjyqësori nuk ka arritur të ofrojë gjithnjë një proces të drejtë. Me mangësira në llogaridhënien e zyrtarëve të drejtësisë, strukturat e gjyqësorit u ndikuan nga ndërhyrjet politike, emërimet e debatueshme dhe mandatet e paqarta.
“Ligji parashikonte dënime penale për korrupsion nga zyrtarët, por qeveria nuk e zbatoi ligjin në mënyrë efektive. Pati raportime të shumta për korrupsion në qeveri. Zyrtarët ndonjëherë përfshiheshin në praktika korruptive pa u ndëshkuar. Mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe dobësia e përgjithshme në sundimin e ligjit kontribuuan në këtë problem. Rastet e korrupsionit i nënshtroheshin rregullisht apelimeve të përsëritura dhe sistemi gjyqësor shpesh lejonte skadimin e parashkrimit”, thotë raporti.
Ndërkohë, shoqëria civile kritikoi qeverinë për ndërhyrje publike në pavarësinë dhe paanshmërinë e institucioneve të gjyqësorit, në veçanti për rastet e hetimit për korrupsion të zyrtarëve të qeverisë.
Raporti përmend rastin e ish-ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo, i cili u dënua, bashkë me sekretarin e ministrisë që e drejtonte. “Në qershor, Gjykata Themelore e Prishtinës përfundoi gjykimin e vitit 2019 ndaj ish-ministrit të Bujqësisë Nenad Rikalo dhe tetë zyrtarëve të tjerë të ministrisë të akuzuar për shpërdorim detyre. Gjykata dënoi Rikalon dhe ish-sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Bujqësisë me tre dhe dy vjet burg. Gjashtë të pandehurit e mbetur u liruan nga akuzat”, thotë raporti i DASh-it.
“Mediat raportuan se Prokuroria Speciale dhe Njësia e Hetimeve Speciale të Policisë së Kosovës hapën hetime penale kundër të paktën pesë ministrave dhe dy zëvendësministrave me akuza për vepra të lidhura me korrupsionin. Më vete, Gjykata Themelore e Prishtinës shpalli fajtore ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Rozeta Hajdari dhe zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Liza Gashi për mosdeklarim të pasurisë dhe i gjobiti respektivisht 700 euro (764 dollarë) dhe 500 euro (545 dollarë)”, thekson raporti.
LIRIA E SHPREHJES DHE LIRIA E MEDIAVE
Megjithëse kushtetuta dhe ligjet e Kosovës garantojnë lirinë e shprehjes, përfshirë të punonjësve të shtypit dhe mediave të tjera, pati raportime të besueshme se disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe elementë të botës së krimit dhe madje edhe grupet fetare u përpoqën të frikësojnë përfaqësuesit e mediave dhe përdorën dhunën apo kërcënimet ndaj gazetarëve. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) raportoi se u bë vetë objektiv sulmesh kur ka dalë në mbrojtje të gazetarëve dhe të mediave. Shoqata raportoi se zyrtarët e qeverisë, përfshirë kryeministrin dhe drejtuesit e partisë në pushtet, u angazhuan në fushata për të dëmtuar besimin e publikut tek mediat. Me gati 60 raste sulmesh të raportuara gjatë vitit, gazetarët u shprehën se për shkak të trysnisë nga politikanët dhe grupe kriminale, kaluan shpesh në vetëcensurim të raportimit të tyre.
Sulmet ndaj gazetarëve gjatë tensioneve në veri të Kosovës në muajt maj dhe qershor dëmtuan pajisjet, dogjën automjete dhe lënduan fizikisht punonjësit e grupeve të mediave në terren. Gazetarët thanë se disa prej këtyre sulmeve ishin të drejtuara dhe të miratuara nga udhëheqësit politikë në veri të vendit, megjithëse ata kanë mohuar ndonjë përfshirje të mundshme.
Raporti vë në dukje se qeveria serbe vazhdoi të mbajë struktura të paligjshme paralele të qeverisjes në zonat me shumicë serbe dhe se i përdor këto struktura për të influencuar këto komunitete dhe përfaqësuesit e tyre politikë.
DHUNA ME BAZË GJINORE DHE TË DREJTAT E GRAVE
Dhuna me bazë gjinore njihet në legjislacion si formë diskriminimi, por mungon një përkufizim i saj për t’u përdorur në proceset penale dhe civile. Përdhunimi dhe dhuna në familje njihen si vepra penale, por qeveria nuk e zbatoi ligjin me efektshmëri. EULEX-i vuri në dukje se gjykatat shpesh japin ndëshkime më të lehta se minimumi i parashikuar dhe agjencitë e zbatimit të ligjit rrallë morën masa për të mbrojtur të mbijetuarit dhe dëshmitarët.
Vazhdojnë të jenë të pakta gratë në funksione drejtuese në biznese, në polici, apo në qeverinë e Kosovës dhe në përgjithësi vetëm një në pesë gra gjendet në tregun e punës.
DISKRIMINIMI NDAJ PAKICAVE ETNIKE
Diskriminimi me bazë racore apo etnike ndalohet nga kushtetuta e Kosovës, por vazhduan raportimet për dhunë dhe diskriminim ndaj grupeve të pakicave etnike. Sipas Avokatit të Popullit pati probleme në zbatimin e plotë dhe të efektshëm të ligjeve, si dhe mangësi në kapacitetet institucionale. Dhuna shoqërore, në veçanti diskriminimi në punësim, vazhdoi ndaj serbëve të Kosovës dhe grupeve të tjera të pakicave etnike. Grupet e pakicave u përballën me diskriminim të niveleve të ndryshme në arsim, shërbime sociale, përdorimin e gjuhës, lirinë e lëvizjes dhe të drejta të tjera të garantuara me ligj. /VOA
MPB miraton vendimin për regjistrimin e fakteve të gjendjes ...
Diana shoqe me Veronën e Bucit, ndanë momente të lumtura së ...
Gresa dhe Xheneta komentojnë provokimin që ia bënë Drilonit
Kush po i bie mësysh Realit, lëndohen edhe Mbappe, Bellingha...
Gresa dhe Xheneta komentojnë provokimin që ia bënë Drilonit
Vrasja në Florida të ShBA-së, dyshohet se çifti që humbi jet...