Google ADS

DASH: Kosova ruajti sektorin financiar nga ndikimi i Covid-19

15:11 | 28 Korrik 2021
Arditë Shkodra

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, ka mirëpritur raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve për vitin 2021, i cili njeh zhvillimet në sektorin financiar.

Raporti i DASH vlerëson se sistemi rregullativ është në pajtueshmëri me direktivat e BE-së dhe standardet ndërkombëtare. Nuk ka kufizime përtej kërkesave normale rregullatore në lidhje me burimin e kapitalit, përshtatjen dhe aftësinë e investitorëve, transmeton arbresh.info

Raporti në fjalë, thekson se BQK-ja ka marrë të gjitha masat e kërkuara për të përmirësuar politikat për rrjedhën e lirë të burimeve financiare. Gjithashtu, theksohen përmirësimet e vazhdueshme të qasjes në kredi të sektorit privat, ndërsa investitorët e huaj mund të marrin kredi dhe mund të hapin llogari bankare.

Megjithëse sipas parashikimeve të FMN-së ekonomia kosovare gjatë vitit 2020 kishte rënie prej 6% për shkak të COVID-19, sektori bankar mbetet mirë i kapitalizuar dhe profitabil, thuhet në raport.

Raporti vlerëson se shërbimet financiare dhe huadhënia bankare janë përmirësuar dukshëm gjatë viteve të fundit. Në mars 2021 kreditë joperformuese janë në nivelin prej 2.7%, përderisa normat e interesit kanë rënë dukshëm, nga një mesatare prej 12.7% që ishin në vitin 2012 në një mesatare prej 3.1% në marsin e vitit 2021.

Gjithashtu, lejohet transferimi i fondeve në tregjet e huaja ose shndërrimi në valutë të huaj, të cilat duhet të përpunohen në përputhje me procedurat bankare të BE-së.

Kosova nuk zbaton asnjë lloj kontrolli të kapitalit ose kufizime në flukset ndërkombëtare të kapitalit dhe si e tillë, qasja në këmbimin e valutave të huaja për dërgesat e investimeve është e liberalizuar plotësisht.

Pavarësisht tronditjeve nga COVID-19 në të gjitha ekonomitë botërore, në vitin 2020 remitancat në Kosovë ishin të qëndrueshme dhe shënuan rritje prej 15.1% ose mbi 1.2 miliard dollarë./arbresh.info/

Më shumë detaje rreth Raportit mund t’i gjeni në linkun në vijim:

https://www.state.gov/reports/2021-investment-climate-statements/kosovo/

Të ngjashme