Dakordimi për reduktimin e policëve, ministrja e MPJD-së: Nuk është tërheqje e Kurtit, por maturi

17:42 | 12 Korrik 2023
E.H

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, deklaroi të mërkurën se dakordimi mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për reduktimin e policëve në ndërtesat komunale në veri dhe zonat rreth tyre, nuk është tërheqje e kryeministrit Albin Kurti.

Sipas saj, ky veprim nga ana e kreut të ekzekutivit është maturi dhe mençuri në gjetjen e zgjidhjeve me partnerët ndërkombëtarë.

Gërvalla u shpreh se kërkesat e mëhershme të BE-së ndaj Kosovës ishin të tepruara dhe të papranueshme në momentin kur janë artikuluar.

“Që në ditën e parë ku Serbia ka nisur të reagojë dhunshëm përmes grupeve ekstremiste kemi thënë që prania e policisë nuk është qëllim në vetvete, por domosdoshmëri nisur nga situata. Marrëveshja është që menjëherë të largohet 25 për qind e policisë jo nga Veriu por ndërtesat dhe zonat rreth tyre. Nuk ka nevojë për polici nëse nuk nevojitet. Nuk është tërheqje e Kurtit, por maturi dhe mençuri në gjetjen e zgjidhjeve me partnerët”, tha ajo për Euronews Albania.

Kryediplomatja kosovare tutje përmendi kërkesën për tërheqjen e policisë nga komunat në veri, që siç tha nuk mund të pranohej në kohën kur në këto komuna sundonte dhuna.

“Kërkesat kanë qenë të tepruara dhe s’e kemi ndjerë veten komodë. P.sh, largimi në atë kohë i policëve kur aty ka pasur dhunë masive nuk ishte gjëja e duhur. Ka pasur shumë më tepër kërkesa ditën e parë, si tërheqja e menjëhershme e kryetarit të Leposaviçit”, deklaroi Gërvalla.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme