Google ADS

Daka: Zgjedhjet e 11 qershorit, më të mirat të mbajtura në Kosovë

21:38 | 14 Qershor 2017
Arbresh.info

Kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka ka thënë se zgjedhjet e 11 qershorit ishin zgjedhjet më të mira të organizuara në Kosovë.
“Si duket, partitë kanë kuptuar se fitojnë vetëm duke bërë zgjedhje të mira, fitojnë respekt, po më së shumti fiton Kosova, Ne si KQZ kemi bërë gjithë çka ka qenë e mundur nga ana organizative, ditën e zgjedhjeve, subjektet dhe komisionerët e tyre i kanë dhënë vulë këtyre zgjedhjeve, këto kanë qenë zgjedhjet më të mira që janë organizuar në Kosovë”, tha Daka.

Ajo ka thënë në Zona B të Klan Kosovës se nëse zgjedhjet vazhdojnë të mbahen në Kosovë në këtë trend, atëherë nuk do të ketë më se çfarë të raportohet, në kuptimin e parregullsive.

“Vëzhguesit vijnë për të gjetur gjëra negative, po të mos gjejnë, atëherë ata nuk duhet me qenë fare aty. Ata përcjellin procesin nga afër dhe gjejnë imtësirat më të vogla që prishin këtë proces, por mua më gëzon fakti se ata duke na gjetur këto imtësira na kanë shtyrë që të arrijmë që nëse shkojmë në këtë trend, zgjedhjet e ardhshme s’do të ketë çka të raportohet”, tha ajo.

Daka ka deklaruar po ashtu se vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve të 11 qershorit janë ndarë shumë të kënaqur me gjithë organizimin e tyre.

“Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë qenë të fascinuar se si në një afat aq të shkurtër, kemi përfunduar aq shumë operacione, sepse janë me qindra operacione, që njerëzit e thjeshtë nuk munden ta paramendojnë se me çka ballafaqohemi. Ndërkombëtarët që kanë qenë më gjatë e që do të presin edhe certifikimin e zgjedhjeve edhe ata që kanë përcjellë këtë proces vetëm 2-3 ditë mendojnë se zgjedhjet kanë qenë të mira dhe mirë të organizuara. Ka vërejtje, që kanë të bëjnë më shumë jo me KQZ-në po me reformën politike, që u takon partive politike”, tha Daka.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme