Daka: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është fitore e madhe për mua

16:13 | 12 Qershor 2017
L G

Gjyqtarja e Gjykatës Supreme, Valdete Daka e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në të cilin është anuluar zgjedhja e kryetarit të Gjykatës Supreme dhe është kërkuar që procesi të kthehet në votim.

Daka në një prononcim për “Arbresh.info”  e ka konsideruar si fitore për të vendimin e Kushtetueses.

“E kam lexu vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse nuk e kam marr ende, dhe gjykata në fakt ka vendosur ashtu siç kam kërkuar unë, e ka anuluar aktgjykimin e KGJK-së dhe ka gjetur shkelje të Kushtetutës, respektivisht  të nenit 108 të drejtës në barazi para ligjit dhe konsideroj se kjo është një fitore e madhe për mu”, u shpreh Daka për “Arbresh.info.

Ajo tha se në bazë të këtij vendimi ka dal ajo çka ka thënë ajo, që KGJK ka shkelur të drejtat e saj  kushtetuese.

Sipas saj, tash  do  të votohet me atë listë që e ka pasur KGJK që nga fillim, dhe nuk do të ketë konkurs. Ajo beson se kësaj radhe do të marr votat e anëtarëve të KJGK-së për kryetare të Supremes.

“Votimi do të bëhet sipas meritave të atyre të cilët janë në atë listë.  Sipas mendimit tim KGJK duhet të veproj sipas  vërejtjeve të cilat ia ka dhënë Gjykata Kushtetuese, pra të vendos sipas meritave të atyre cilët janë intervistuar”, tha Daka.

Në vendimin e saj, gjykata konsideron se procesi i votimit nuk ofron garanci të mjaftueshme procedurale për të mbrojtur barazinë e kandidatëve gjatë tij, dhe si i tillë dëmton perceptimin publik për pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit të drejtësisë në të cilën KGJK kërkohet ta sigurojë.

Tutje, Kushtetuesja gjen se forma aktuale e rregullimit të procesit të votimit nuk u ofron mundësi të barabarta kandidatëve sepse procesi nuk parasheh mekanizma mbrojtës proceduralë në lidhje me garantimin e trajtimit të barabartë.

Përveç kësaj, Kushtetuesja në vendimin e saj e urdhëron Këshillin Gjyqësor të Kosovës që të nis nga e para procesin e përzgjedhjes së kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës dhe të evidentojë të gjitha të gjeturat e përmendura në vendim.

Ndryshe, gjyqtarja Valdete Daka më 16 mars kishte deponuar kërkesën e  saj kundër vendimit të KGJK-së në Gjykatën Kushtetuese  të Kosovës disa javë pasi KGJK kishte votuar Enver Pecin për kryetar të Gjykatës Supreme.

Daka e kishte cilësuar si shkelje faktin se gjatë numërimit të votave, ishin numëruar edhe votat e abstenimit, të cilat sipas saj nuk numërohen.

Muajin e kaluar, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vazhduar masën e pezullimit të emërimit të Enver Pecit si kryetar i Gjykatës Supreme.

Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese ka vendosur të vazhdojë masën e pezullimit të postit të Pecit deri në qershor./ Arbresh.info/ Gita Lushi

 

Të ngjashme