Google ADS

Daka: KGJK prapë bëri  shkelje, klanet brenda këshillit e votuan Pecin

16:21 | 16 Gusht 2017
L G

Këshilli Gjyqësor i Kosovës edhe këtë herë bëri shkelje në votimin dhe zgjedhjen e Enver Pecit sërish në krye të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Kështu konsideron gjyqtarja e Gjykatës Supreme, Valdete Daka  e cila thotë se nuk ka mundësi ligjore që të dërgoj përsëri ankesë në Gjykatën Kushtetuese, mirëpo që prapë nuk e pranon këtë mënyrë të votimit.

Ajo thotë se nuk janë implementuar rekomandimet e Kushtetueses dhe kësaj here KGJK ka shkelur parimin e meritokracisë dhe të transparencës së votimit.

“Konsideroj se megjithatë nuk u implementua aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ashtu siç ka pretenduar Kushtetuesja. Parimi  i meritokracisë, i cili është shkelur, konkretisht neni 108 nuk  është implementuar përsëri dhe  parimi  i transparencës së votimit po ashtu nuk është implementu. Kështu që unë konsideroj që  KGJK përsëri ka bërë shkelje, por i mbetet tash që  Gjykata Kushtetuese ta vërtetoj se a i kanë implementu në përpikëri të gjitha  pikat e aktgjykimit apo jo”, shprehet Daka për “Arbresh.info”.

Parimi i  transparencës së votimit është shkelur, pasi sipas saj nuk ka pasur transparencë, sepse është bërë votimi i fshehtë, gjë që sipas saj anëtarët e KGJK-së nuk kanë pse të fshihen pas votave të tyre.

Daka, madje thotë se gjyqtarët të cilët e votuan Pecin janë pjesë e klanit që ekziston brenda Këshillit.

“Nuk e di pse gjyqtarët  të cilët janë anëtarë të Këshillit kanë nevojë të frikësohen ta çojnë dorën për atë që mendojnë  që është më i miri. Nuk po them që janë të shantazhuar, por  si duket ka mbizotëruar ajo që tash e një kohë të gjatë përflitet, ato janë klanet të cilat kanë qenë brenda përbrenda këshillit dhe mendësia e klientelizmit te ajo është  që për dhënien e votës të fitohet diçka në këmbim të votës”, thotë Daka.

Në anën tjetër kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi thotë se janë respektuar të gjitha rekomandimet e dhëna nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas tij, votimi i kryetarit të Gjyaktës Supreme dhe asaj të Apelit është bërë në bazë të rekomandimeve të dhëna nga Gjykata Kushtetuese.

“Ne i kemi rekomanduar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ata kanë kërkuar që me nga një fletëvotim të bëhet votimi, jo si herën e parë që të gjithë kemi qenë një nga një dhe kjo është bërë, edhe vota abstenuese”, shprehet Idrizi.

Sipas tij, tash për tash Enver Peci vetëm është propozuar si kryetar i Supremes te presidenti i vendit.

Ai thotë se është duke e përgatitur propozimin për dekretim të Pecit tek presidenti i vendit dhe  në të njëjtën kohë do të njoftohet edhe Gjykata Kushtetuese.

“Jam duke e përgatitur vendimin për propozim të Pecit si kryetar të Gjykatës Supreme te presidenti i vendit. Pasi t’i përfundojmë të gjitha procedurat  do ja përcjellim me një njoftim edhe Gjykatës Kushtetuese vendimin që të shohë nëse janë respektuar të gjitha rekomandimet e saj”, thotë ai.

Sa i përket votimit të fshehtë, kreu i KGJK-së tha se votimi i hapur nuk është praktikë, pasi edhe Kushtetuesja, dhe Supremja votimin e bëjnë me vota të fshehta.

Ndryshe, Valdete Daka më 16 mars kishte deponuar kërkesën e  saj kundër vendimit të KGJK-së në Gjykatën Kushtetuese  të Kosovës disa javë pasi KGJK kishte votuar Enver Pecin për kryetar të Gjykatës Supreme.

Daka e kishte cilësuar si shkelje faktin se gjatë numërimit të votave, ishin numëruar edhe votat e abstenimit, të cilat sipas saj nuk numërohen.

Më 12 qershor Gjykata Kushtetuese bëri publik vendimin e saj rreth kërkesës së Dakës, ku ishte  anuluar zgjedhja e kryetarit të Gjykatës Supreme dhe ishte kërkuar që procesi të kthehet në votim.

Por më 9 gusht anëtarët e KGJK-së votuan sërish për zgjedhjen e kreut të Supremes, ku  7 prej tyre votuan  për Enver Pecin dhe vetëm 3 për Valdete Dakën. / Arbresh.info/

 

VENDIMI I GJYKATËS KUSHTETUESE TË KOSOVËS I DATËS 12.06.2017

vendimi-i-kushtetueses

Të ngjashme