Google ADS

Daçiq relativizon masakrën e Reçakut: S’ka pasur koka të prera

12:23 | 17 Maj 2017
M. A.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, thotë se i tërë intervenimi i komunitetit ndërkombëtar në Kosovë dhe bombardimi i Serbisë më 1999 ka qenë i bazuar “në gënjeshtra të qarta”.

“Ka qenë një storie e organizuar që nga formimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) deri në legjitimimin e objektivate të tyre”, ka thënë Daçiq për radiotelevizionin e Serbisë.

Ai mendon se ish-shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, është kreator i “një motivi të rremë për bombardimin e NATO-s” – ndërsa “gënjeshtrat për ngjarjet në fshatin Reçak vetëm kanë shërbyer për të arsyetuar intervenimin e komunitetit ndërkombëtar”.

“Ata vetëm po prisnin për ndonjë ngjarje për të nxitur komunitetin ndërkombëtar që të intervenojë ushtarakisht. Reçaku i ka shërbyer këtij qëllimi… Nuk po them se komuniteti ndërkombëtar nuk është dashur ta luajë rolin e tij, por nuk është dashur të gënjejë”, ka thënë ministri, transmeton Koha.net.

Sipas agjencisë serbe të lajmeve “Beta”, ai ka “kujtuar se në vitin 1999, negociatat nuk janë zhvilluar në Bruksel, por organizatat ndërkombëtare luajtën rol aktiv në Kosovë”.

Daçiq ka mohuar akuzat për “prerje kokash të fëmijëve dhe grave” në Reçak dhe ka theksuar se atje nuk janë vrarë civilë.

“Nuk ka pasur gra e fëmijë, nuk ka pasur masakër”, ka shtuar ai.

Ai thotë se “askush s’e mohon se kanë vdekur njerëz, se ka pasur viktima” por se ngjarjet në Kosovë janë ekzagjeruar, siç janë “deklaratat se 100,000 shqiptarë janë vrarë, ndërsa Kryqi i Kuq ka konfirmuar se në Kosovë kanë qenë 11 mijë viktima, përfshi edhe serbë”.

Kujtojmë se masakra Reçakut ka ndodhur më 15 janar të vitit 1999, ku u vranë mbi 45 civilë shqiptarë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme