Daçiq: Në veriun e Kosovës po zhvillohet një betejë e madhe diplomatike

18:50 | 25 Shtator 2021
S D

Situatën aktuale në veri të Kosovës, Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, e vlerësoi si një luftë nervash dhe se do ta fitojë ajo palë që ruan gjakftohtësinë.

Kryeparlamentari serb ka thënë për “TV Pink” se në veriun e Kosovës po zhvillohet një betejë e madhe diplomatike, nëse do të vazhdohet tutje me aksione të njëanshme, apo nuk do të lejohen ato, dhe do të respektohet ajo që është nënshkruar më herët, duke shtuar se na pret një periudhë intensive [diplomatike].

“Perëndimi do të donte të gjente një zgjidhje për problemin në Kosovë dhe Metohi, por ajo tashmë e ka ideuar, dhe kjo është njohja e pavarësisë së shtetit ‘të rremë’. Ata do të donin që kjo të zgjidhet në atë mënyrë, qoftë me dashamirësi apo me forcë”, tha Daçiq.

Ai tha se shumë njerëz e ndezin fitilin në Kosovë “sepse nëse situata është e qetë, humb rëndësia e rolit të tyre kur bëhet fjalë për përfaqësuesit ndërkombëtarë”.

“Ata me vitet të tëra janë në Kosovë, madje edhe në BeH, me motivacionin për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin rajonal. Çfarë do të bënin ata nëse do të kishte vërtet stabilitet rajonal, nëse nuk do të kishte incidente dhe të gjitha problemet do të zgjidheshin”, tha Daçiq.

Sipas tij, ana tjetër e motivimit për shkaktimin e incidenteve është agresiviteti i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili po përpiqet të tregojë se qeveria e tij është e para që ka legjitimitet, dhe se ato të mëparshmet ishin të pavlefshme.

“Ne kemi menduar se Hashim Thaçi ishte i keq dhe se nuk kishte më të keq, por u shfaq Ramush Haradinaj e tani Kurti”, tha Daçiq./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme