Daçiç merr në mbrojtje Radoiçiqin: Video nuk është bërë ditën që ndodhi sulmi

11:04 | 27 Shtator 2023
L G

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, ka folur për herë të parë për videon e publikuar nga ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ku shihet nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, duke udhëhequr trupat terroriste serbë në manastirin e Banjskës.

Daçiç ka deklaruar se nuk ka informacion nëse personi i pretenduar në video është Radoiçiç.

“Nuk kam asnjë informacion nëse Radoiçiç është në video apo jo, vërtet nuk e di”, tha Daçiq për Radio Televizionin e Serbisë më 26 shtator.

Sipas tij, bëhet fjalë për “mashtrim”, pasi videoja “nuk është e ditës” kur ka ndodhur sulmi.

Ministri i Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, publikoi një video me dron më 26 shtator, ku tha se Radoiçiç duket në mesin e personave të armatosur që u përleshën me policinë e Kosovës.

Ai shtoi se në bazë të informacioneve të inteligjencës Radoiçiç ndodhet në spitalin ushtarak të Beogradit, ku po merr kujesin e nevojshëm mjekësor.

“Ata vazhdojnë të thonë se ato janë grupe kriminale dhe se nga UÇK-ja janë luftëtarë të lirisë. Ata janë gjithashtu luftëtarë të lirisë, nëse është kështu”, tha Daçiç.

Sipas tij, Kosova “po përpiqet të dëshmojë dhe të tregojë se Millan Radoiçiç apo Zvonko Vesellinoviç kanë qenë ata që i kanë kryer këto veprime”.

“Ata më së shumti do të donin të kishin hasur në Millan Mojsilloviçin [shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë serbe] sepse u duhet një lidhje me Beogradin”, tha Daçiç.

Ai, po ashtu, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është “i vetmi fajtor për gjithçka që ka ndodhur” dhe shtoi se Beogradi nuk e justifikon asnjë veprim të dhunshëm.

“Na vjen keq për vrasjen e një polici, për humbjen e jetëve serbe dhe që ka ndodhur një incident i tillë që nuk është në interesin e Serbisë”, tha Daçiç.

Në një intervistë për Euroneës Albania, dhënë të martën, Sveçla përsëriti se videoja në të cilën tha se duket Radoiçiqi, është filmuar nga një dron i policisë dhe se Radoiçiq ishte në ambientet e manastirit të Banjskës./euronews/

 

Të ngjashme