Daci: Mërgimtarët duhet ta kenë përfaqësuesin e vet në Parlament

10:42 | 19 Korrik 2018
Arbresh.info

Mërgimtarët, të cilët po kalojnë pushimet këto ditë në Kosovë, shpesh kanë vërejtjet e tyre lidhur me trajtimin që iu bëhet atyre në Kosovë. Ndërkaq, shtresa intelektuale e mërgatës, e konkretizon më shumë, kur thotë se nuk kanë përkrahje të institucioneve të Kosovës për shqetësimet që mund t’i kenë ata.
Mungesën e kësaj përkrahje e konfirmoi edhe kryetari i Akademisë së Shkencve dhe Arteve të Kosovës, akademik Nexhat Daci, i cili thotë se mërgata duhet të kërkojë më shumë nga institucionet e Kosovës.

Gjatë një pritje që i bëri një delegacioni të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klemneti XI Albani” që vepron në Suedi, akademik Daci tha se shqiptarët në mërgatë duhet të bëjnë më shumë presion për të kërkuar trajtimin që meriton.

“Asnjëherë mërgata nuk e ka marrë trajtimin e merituar nga institucionet e Kosovës. Kjo duhet të jetë shenjë që ju duhet të bëni edhe më shumë presion, presion gjithmonë në kuptimin pozitiv them, me ardhjen e mërgatës në vendlindje. Me ndërrimin e gjeneratave ndërrohemi ne dhe ju dhe më e keqja është se në mërgim gjithnjë e më shumë fëmijët flasin gjuhën e vendit ku jetojnë. Ky nuk është faji i fëmijëve dhe i nënave, por shoqatat si ju duhet të bëni çmos që të ruhen rrënjët e kombit”, tha akademik Daci.

Daci përmendi me këtë rast, shembullin e Kroacisë dhe mërgatën e saj, se si ka ndikuar në ndërtimin dhe formimin e shtetit të Kroacisë. Ndërsa mërgata shqiptare tha ai, e ka ndihmuar shumë Kosovën dhe popullin e saj të qëndrojë në kohë të vështira.

“Të adhuruarat e Kosovës nga mërgata kanë qenë një shpëtim mos me u var nga armiku për bukë. Mërgata ka dhënë një kontribut shumë të madh që të qendronin stoikë shqiptarët ku janë, për me ruajt vetveten, fëmijë. Dhe janë një rast unik. Për këtë arsye, po ndodh ky takim, sepse unë nuk mbaj takime jashtë shkencës, por kur është çështja e popullatës sonë, nuk i shikoj shumë rregullat”, tha Daci, duke shprehur mikpritje për anëtarët e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klemneti XI Albani” që vepron në Suedi.

Ndërkaq, kryetari i kësaj shoqate, Hysen Ibrahimi e njoftoi Dacin me punën që bëjnë në shoqatë, për krijimet e këtij viti dhe për punën që është bërë deri tani.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme