Google ADS

Çuni: Beteja e Koshares ndër betejat më të rëndësishme të UÇK-së

09:55 | 9 Prill 2018
Arbresh.info

Sot bëhen 19 vjet nga Beteja e Koshares ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe. Beteja e Koshares ishte pjesë e operacionit “Shigjeta”, të hartuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, ku për herë të parë u thye dhe u mor nën kontroll kufiri në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Kosharja konsiderohet si një ndër betejat më të mëdha dhe më të lavdishme të luftës për çlirimin e Kosovës.

19 vjet nga Beteja e Koshares ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe operacionit “Shigjeta”, që rezultoi me fitoren e UÇK-së dhe thyerjen e kufirit, njëri nga komandantët që mori pjesë në këtë betejë, Anton Çuni, rrëfen për Radio Kosovën, për luftën që u zhvillua.

“Aty është zhvilluar një betejë me intensitet shumë të lartë. Nuk pa pasur asnjë ditë armë-pushimi. Nuk ka pasur ditë të qeta. Në çdo kohë, në çdo pjesë të vijës së frontit janë zhvilluar operacione të ndryshme, kështu që kjo betejë përfundon me fitore absolute të ‘’Brigadës 138 Agim Ramadani”, tha Çuni.

E njëri nga ta që sakrifikoi rininë dhe ishte në gjendje të japë jetën për lirinë e Kosovës, ishte edhe dr. Arbër Morina, i cili, para se të bëhej pjesëtar i luftës, studionte për mjekësi në Tiranë. Ai tregoi për radion tonë se çka u bë shkas që t’i bashkohej radhëve të UÇK-së.

“Më datë 28 janar është dhënë urdhri për mobilizim të përgjithshëm në Radio Televizionin Shqiptar. Urdhër i cili, tekstualisht, theksonte se çdo djalë i Kosovës, çdo djalë shqiptar nga gjithë kombi dhe mbarë shqiptaria, i cili është në gjendje të marrë pushkën në dorë dhe të ngritët në luftë kundër armikut tonë shekullor, Serbisë.

Dr. Arbëri thotë se për aq kohë sa kanë zgjatur luftimet, ai bashkë me disa mjekë të tjerë, ofruan ndihmën mjekësore për ushtarët dhe popullatën civile e cila kishte nevojë të merrte shërbime mjekësore.

Beteja e Koshares, njihet si një ndër betejat më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare Kosovës. Peshën e kësaj beteje ia shtoi thyerja e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Për rreth tre muaj, sa zgjatën luftimet, nga radhët e UCK-së 114 ushtarë ranë dëshmorë. Dëshmori i parë, që ra për të mos vdekur kurrë, ishte i riu Rifat Qelaj, i cili ishte kthyer nga Gjermania për të dalë në mbrojtje të atdheut./rtklive

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme