Kosova dhe Serbia nuk janë të përgatitura që në këtë kohë të bëjnë kompromise për arritjen e një marrëveshjeje në Shtëpinë e Bardhë, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ish-zëvëndës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për çështje evropiane, Thomas Countryman.
Duke komentuar takimin e paralajmëruar për 2 shtator në Shtëpinë e Bardhë mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, Countryman thotë se nuk mund të pritet shumë nga ky dialog dhe më e pakta që mund të arrihet është një nxitje që të dy liderët të angazhohen më shumë në dialogun e Brukselit.
Në këtë intervistë, ish-përgjegjësi për Ballkanin në Departamentin e Shtetit, tash drejtor i bordit të Asociacionit për Kontrollin e Armëve, Thomas Countryman, thotë se edhe nëse kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, do të bënte kompromise me Serbinë, ai e ka të vështirë të sigurojë miratimin e tyre në Kosovë, për shkak të rivaliteteve politike që aktualisht po ndodhin brenda Kosovës.
“Gjëja e parë që është e rëndësishme të kuptohet është që i vetmi prioritet për Shtëpinë e Bardhë këto ditë është rizgjedhja e presidentit (të Shteteve të Bashkuara, Donald) Trump. Ajo çfarë Shtëpia e Bardhë po synon, është një mundësi për një fotografi, ku presidenti do të mund të pretendonte një sukses të politikës së jashtme, pasi ai ka pasur zero suksese në politikën e jashtme në tre vite e gjysmë. Por, unë nuk shoh që (presidenti serb) Aleksandar Vuçiq dhe (kryeministri i Kosovës) Avdullah Hoti kanë vullnet dhe gatishmëri për të arritur një marrëveshje kuptimplotë në takimin e Shtëpisë së Bardhë”.
Se a janë Shtetet e Bashkuara më shumë janë të interesuara që të zgjidhin përfundimisht çështjen mes Kosovës dhe Serbisë, Countryman u shpreh “Është një pyetje e vështirë kur thoni; a janë Shtetet e Bashkuara të interesuara? Presidenti Trump është i interesuar nëse kjo do t’i ndihmonte në fushatën zgjedhore. Pikë. Ndërsa mendoj se Grenell është i interesuar për një sukses. Ka pasur sukses të kufizuar nga ana e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Por, është një pyetje e hapur nëse Shtetet e Bashkuara do ta mbështesin këtë si një interes që nuk është për përfitim të drejtpërdrejtë të Donald Trump”.
Ndërkaq, për dialogun në Bruksel, tha se do të jetë një proces i gjatë dhe i vështirë.
“Mendoj se do të jetë një proces i gjatë dhe i vështirë. Çështjet janë teknike, por në të njëjtën kohë shumë politike. Në këtë moment nuk shoh që ndonjëra prej qeverive do të ishte e gatshme të bëjë kompromis në çështje të mëdha politike, përfshirë njohjen e dyanshme. Pra, jam optimist në procesin e Brukselit në kuptimin afatgjatë, sidomos nëse Shtetet e Bashkuara bëjnë më shumë për të bashkëpunuar dhe për t’u koordinuar me Bashkimin Evropian. Pra, jam optimist në kuptimin afatgjatë të procesit. Por, kam pritje të kufizuara për muajt e ardhshëm”.
Por, se kur mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve, Countryman duke qeshur ka thënë “Para se të kthehet Mesiah (Profeti). E kam të pamundur të bëj një parashikim”. /Rel
Sot nis ndërtimi i Parkut Industrial në Drenas, marrin pjesë...
Mo Salah bëri histori me fanellën e Liverpoolit pas dy golav...
Rama ndan fotografitë e një dite kuq e zi në Londër
Të paktën një i vdekur pas rrëzimit të një avioni mallrash n...
Media spanjolle: Vizitoni Shqipërinë për Krishtlindje, një p...
Sara qan dhe kërkon falje për situatën që u krijua, Xuxi e p...