Zëvendës Ndihmës Sekretarja amerikane e Mbrojtjes për Rusinë, Ukrainën dhe Eurazinë Laura Cooper tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre janë në një emërues të përbashkët në mbështetjen e Ballkanit Perëndimor përballë përpjekjeve të Rusisë për destabilizim.
Cooper tha gjithashtu se nuk është në interesin e Serbisë të bashkëpunojë me Rusinë.
Zëvendës Ndihmës Sekretarja amerikane e Mbrojtjes Laura Cooper thotë se megjithëse se Moska po ndryshon retorikën lidhur me synimet e saj në Ukrainë, në terren po vazhdon me sulmet shkatërruese kundër popullatës civile.
“Qëllimi i Rusisë fillimisht ishte të zëvendësonte qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike në Kiev. Dhe ne e dimë këtë nga informacionet tona të zbulimit dhe në fakt e ndamë këtë informacion me gjithë botën. Mund të thuhet se bota dinte më shumë për planet e Rusisë dhe motivimet e Rusisë sesa vetë ushtarët e Rusisë”, tha ajo.
Zyrtarja e lartë e Pentagonit shton se forcat ruse u dërguan në Ukrainë për të marrë në kontroll Kievin dhe territore të tjera kyçe, por ato hasën në qëndresën e fortë të trupave ukrainase, të mbështetura nga aftësitë e ofruara nga perëndimi që befasuan forcat ruse dhe i bënë ato të ndryshonin planet.
“Për momentin fokusi i Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve dhe partnerëve tanë është të sigurojmë që ukrainasit të mund të vazhdojnë qëndresën dhe të kenë kenë peshën e nevojshme në tryezën e negociatave me Rusinë”, tha ajo.
Zonja Cooper tha se efekti i sanksioneve ndaj Rusisë po fillon të ndjehet.
“Mendoj se ndërsa publiku rus dhe oligarkët që rrethojnë Putinin dhe janë vënë në shënjestër të sanksioneve, fillojnë të ndjejnë trysninë e tyre, ata do ta drejtojnë këtë trysni ndaj regjimit”, tha ajo.
Në përgjigje të një pyetje të Zërit të Amerikës nëse Shtetet e Bashkuara po e ndjekin me vëmendje Ballkanin Perëndimor, në kushtet e krijuara dhe përpjekjeve të Rusisë për ndërhyrje, zyrtarja e lartë tha se Uashingtoni gjithmonë i kushton vëmendje Ballkanit Perëndimor dhe është i përkushtuar ndaj marrëdhënieve të aleancës me Ballkanin dhe ruajtjen e partneriteteve të forta në të gjithë rajonin
“Pa dyshim ka një histori të përpjekjeve të Rusisë për të ndërhyrë në rajon duke u përpjekur të nxisë tensione. Dhe mendoj se ne po shohim që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Jam vërtet e kënaqur jo vetëm nga niveli i vëmendjes së Shteteve të Bashkuara ndaj rajonit, por edhe se mendoj se edhe partnerët tanë të BE-së janë investuar shumë në sigurimin e stabilitetit”, tha ajo.
Mes praktikave që ajo mendon se Rusia mund të përdorë të destabilizojë Ballkanin, janë ndërhyrja kibernetike, përfshirë manipulimin e hapësirës së informacionit, shenja të së cilave sipas saj vazhdojnë të shihen. Ajo gjithashtu shton se Moska mund të përdorë si mjet korrupsionin, që ka efekt veçanërisht gërryes në rajon, si edhe shitjet e armëve.
Zyrtarja e lartë e Pentagonit tha se SHBA është e hapur për për thellimin e bashkëpunimit ushtarak me Serbinë dhe zhgënjehet kur Serbia nuk zgjedh bashkëpunimin.
Ajo tha se ishte pozitive që Serbia mbështeti rezolutën në OKB që dënonte agresionin rus, por shtoi se ky është një moment kur vendet po zgjedhin të mos jenë neutrale.
“Është një moment kur vendet në mbarë botën, edhe ato që kanë qenë historikisht neutrale, kanë vendosur se duhet të anojnë në emër të së drejtës ndërkombëtare, në emër të paqes ndërkombëtare dhe të ngrihen në mbrojtje të parimeve. të sovranitetit”, tha ajo.
Zonja Cooper tha se shpreson që Serbia të marrë një vendim për veten e saj.
“Nuk është në interesin e Serbisë të bashkëpunojë me një ushtri që masakron një popullatë, një ushtri që bombardon civilët. Dhe sinqerisht, nuk është në interesin e Serbisë të ketë partneritet me një ushtri që po vuan pasoja kaq të qarta në fushën e betejës, me një moral kaq të ulët, një ushtri ku udhëheqësit nuk u besojnë ushtarëve të tyre”, tha ajo.
Zonja Cooper hodhi gjithashtu me forcë poshtë çdo paralelizëm që bën Moska me ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 për të ndalur fushatën e Millosheviçit.
“Nuk ka absolutisht asnjë ngjashmëri mes këtyre situatave. Ajo që shohim sot është një fuqi e madhe që ka zgjedhur të sulmojë një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike pa asnjë provokim dhe po kërkon të pushtojë pjesë të konsiderueshme të atij vendi duke bombarduar popullsinë civile dhe duke penguar dhënien e ndihmës humanitare . Nuk ka absolutisht asnjë të përbashkët”.
Zv/ndihmës sekretarja e Mbrojtjes tha se është e sigurt se populli i Serbisë mund ta shikojë gjendjen e popullit të Ukrainës me sytë e vet dhe të kuptojë shkatërrimin me të cilin po përballet dhe të dojë t’i mbështesë ata.
Ajo shtoi se Rusia është gjithmonë duke u përpjekur të provokojë ndarje midis aleatëve të NATO-s në të gjithë aleancën, përfshirë edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Por ndihemi vërtet të sigurt se marrëdhëniet tona të forta të aleancës na mundësojnë të qëndrojmë të fortë së bashku për të mbrojtur aleatët tanë dhe për t’i bërë ballë këtyre presioneve nga Rusia”, përfundoi ajo. /arbresh.info/
Liverpooli synon ta transferojë senzacionin e Brightonin kët...
MMPHI: Të gjitha rrugët që mirëmbahen nga ne janë të kaluesh...
Kurti: Prokuroria ka intervistuar kryeministra edhe më herët...
Kurti: Radoiçiq ka caktuar dy persona për të realizuar sulme...
Edmond Lajqi pranon fajësinë për vrasjen e gruas: I kërkoj f...
Plagoset me thikë 50-vjeçari shqiptar në Athinë, 4 autorët l...