Çollaku: Të gjithë të ftuarit e Speciales janë përmendur në raportin e Dick Martyt

22:47 | 7 Nëntor 2019
Arbresh.info

Analisti politik Adrian Çollaku, në emisionin Analiza Zgjedhore në Klan Kosova ka folur për ftesën e marrë nga Gjykata Speciale të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës dhe njërit nga ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Kadri Veseli.

Me këtë rast ai tha se ftesat nga ana e Speciales për të gjithë të ftuarit deri më sot kanë qenë të pritura, sepse të gjithë ishin të përmendur në raportin e Dick Martyt.

“Rastisi që sot kur u shpallën rezultatet të kemi një kumtim të Veselit për ftesën e Gjykatës Speciale, që e la nën hije procesin e rezultateve. Ka qenë e pritshme ftesa e tij sepse të gjithë ata që kanë qenë të apostrofuar në raportin e Dick Martyt do të ftohen nga kjo Gjykatë”.

Çollaku shtoi se reagimet ndaj ftesës së sotme të Veselit, kanë ardhur vetëm nga bashkëluftëtarët dhe jo edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje.

“Reagime ka pasur nga bashkëluftëtarët e Veselit, nga Thaçi dhe Haradinaj. Nuk ka pasur reagime nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje, ndoshta do t’i kemi më vonë “.

Ai theksoi se të ftuarit e Gjykatës Speciale janë pyetur edhe për hierarkinë e UÇK-së.

“Këta që janë intervistuar nga ana e Gjykatës Speciale, janë pyetur edhe për hierarkinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës“.

Gjithashtu pohoi sa Kosova e ka humbur betejën politike me Gjykatën Speciale, duke mos arritur të dëshmohet se pse kjo gjykatë është e dëmshme.

“E kemi pasur UNMIKU-n dhe EULEX-in nuk kemi pasur asgjë në dorë sa i përket drejtësisë. Ne e kemi humbur politikisht këtë rast sepse nuk kemi arritur ta dëshmojmë se kjo gjykatë është e dëmshme“.

“Pozicioni i Kadri Veselit varët shumë nëse do të ketë aktakuzë. Në qoftë se ka aktakuzë atëherë PDK do të dobësohet. Kjo parti ka hyrë në tranzicion me emra të rinj. Kemi parë kur Hashim Thaçi ka lëshuar partinë, edhe ashtu nuk ka qenë edhe aq mirë. Tani po të mos jetë edhe Veseli do të jetë problem, sepse nuk dihet se kush mund ta udhëheq partinë”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme