Ministri i Integrimeve Bekim Çollaku në një intervistë të shkurtër për Gazetën Express ka folur për procedurat që pritet të pasojnë rreth çështjes së vizave. Ai ka thënë se raporti i Komisionit Europian që rekomandon lëvizjen e lirë për kosovarët brenda pak ditësh do të jetë në duart e Komisioneve përkatëse të Parlementit Europian. Çollaku beson se rekomandimi i BE’së do të kalojë lehtë edhe kur të dalë në Këshill të BE’së para Ministrave të Brendshëm.
Express: Këtyre ditëve në Kosovë ishin për vizitë disa delegacione nga Brukseli. Nënkryetarja e Parlamentit Europian dhe raportuesja për Kosovën Ulrike Lunacek nuk dha përgjigje se kur mund të jetë në agjendën e PE’së çështja e vizave. Ajo madje tha se janë vetëm edhe dy seanca të PE’së të sesionit pranveror duke lënë dyshime se a do të trajtohen vizat aty. Cilat janë informacionet më të reja rreth kësaj çështjeje?
B. Çollaku: Komisioni Evropian më 4 maj 2016 ka ndërmarrë nismën ligjore për plotësimin-ndryshimin e Rregullores 539/2001 për ta vendosur Kosovën në Listën e Bardhë të Schengenit. Në bazë të procedurave të brendshme ligjore ky propozim duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Bashkimit Evropian. Presim që brenda pak ditësh të filloj shqyrtimi i këtij propozimi në Komisionet përkatëse të Parlamentit Evropian. Pra tani po flasim vetëm për aspekte procedurale të miratimit të rekomandimit të Komisionit Evropian.
Express: Po ashtu Lunacek përmendi në konferencën për media në Prishtinë se Ministrat e Brendshëm të shteteve anëtare të BE’së duhet të arrijnë ende pajtueshmëri në Këshillin e BE’së për vizat. A është në pyetje vetëm Spanja apo për çka bëhet fjalë?
B.Çollaku: Momenti kyç në procesin e liberalizimit të vizave është rekomandimi i Komisionit Evropian. Komisioni Evropian ndërmerr iniciativën ligjore vetëm në momentin kur konstaton se vendi përkatës ka përmbushur kriteret e përcaktuara dhe së dyti, praktika dëshmon se Komisioni Evropian e ndërmerr këtë iniciativë vetëm atëherë kur vlerëson se propozimi gjen mbështetje tek dy institucionet tjera vendimmarrëse , në këtë rast te Parlamenti dhe Këshilli i BE-së. Tani për çështje të vizave, vendimmarrja në Këshillin e BE-së bie në domenin e Ministrave të Punëve të Brendshme të shteteve anëtare të BE-së. Duke qenë se kemi përmbushur kriteret besojmë së vendimi për Kosovën do të gëzon mbështetje të fuqishme në Këshillin e BE-së.
Express: A jeni të shqetësuar për detyrat që i mbesin institucioneve të Kosovës. A është ratifikimi i demarkacionit ende kusht ….apo vetëm “zgjidhja e kësaj e çështjeje”, siç e tha Komisioneri Hahn, që mund ta përfundojë pala kosovare sikurse edhe çështja e luftimit të korrupsionit. A mund të plotësohen këto kushte?
B.Çollaku: Komisioni Evropian nuk do të kishte rekomanduar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës në rast se nuk do të ishin përmbushur kriteret e përcaktuara me Udhërrëfyes. Sa i përket demarkacionit të kufirit më Malin e Zi, ky kriter ka qenë pjesë e udhërrëfyesit që nga Qershori i vitit 2012 atëherë kur edhe e kemi pranuar zyrtarisht udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave. Tani është kërkesë e qartë nga Komisioni Evropian se duhet të ratifikohet marrëveshja para se të filloj lëvizja pa viza e qytetarëve të Kosovës në vendet e zonës Schengen. Sa i përket luftimit të korrupsionit, nuk ka indikatorë matës të cilët vlerësojnë se në ç’masë është arritur progres, përkundër faktit se janë arritur rezultate të kënaqshme dhe për më tepër që angazhimi në këtë drejtim duhet të jetë i vazhdueshëm përgjatë gjithë procesit të integrimit evropian. Ky kriter i përhershëm në çdo shtet demokratik dhe Kosova nuk përbën përjashtim
Yamal: Nuk ka rëndësi kush është në finale, ne duam titullin
Deklaratat e Trump për Groenlandën, OKB: Sovraniteti dhe int...
Mbi 1.5 milion njerëz mbesin pa energji elektrike në Kalifor...
Gjesti fut dy produksionet në “sherr”- BBVK paralajmëruan se...
Napoli interesohet për Zhegrovën, mirëpo Lille nuk e lëshon ...
Katër thasë me monedha ari dhe argjendi gjenden të fshehura ...