Togo e ka tërhequr edhe zyrtarisht njohjen ndaj Republikës së Kosovës, gjatë ditës së hënë.
Nga Beogradi, këtë e ka konfirmuar vetë ministri i Punëve të Jashtme të Togos, Robert Dussey, i cili të hënën gjatë një takimi me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, tha se ky është një vendim përfundimtar dhe Togo e njeh vetëm Serbinë e bashkuar.
“Ne në Togo njohim vetëm një Serbi, një Serbi të bashkuar. Jam i lumtur që ju dëgjoj duke përmendur tërheqjen e njohjes së Kosovës dhe ky është vendim definitiv”, tha ai gjatë takimit me Daçiqin.
Këtë çnjohje, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schëartz, është munduar ta arsyetojë, duke pretenduar se fajin për këtë e kanë qeveritë e kaluar dhe jo qeveria aktuale, pjesë e së cilës është vetë ajo
Në një reagim zyrtar në rrjetet sociale, ministrja Gërvalla ka thënë se tërheqja e njohjes nga Togo ka ndodhur në vitin 2019, kur ajo dhe Kurti nuk ishin në krye të ekzekutivit.
“Shumë shkurt, në fund të një dite të ngjeshur me plot takime pozitive për Kosovën dhe rrugën e saj euroatlantike: Të gjithë të ekzaltuarve rreth “çnjohjes” së Togos dhe propagandës së Daçiçit . Dua t’iu rikujtoj që ajo ka ndodhur në vitin 2019, pra shumë kohë para se vinte në detyrë kjo qeveri.”, thuhet në reagimin e Gërvallës.
“Të dhëmbin sytë kur sheh se sa shumë përjargen disa, sa herë që Sllobo i Vogël përpiqet t’i japë një shqelm Kosovës.”, ka shkruar Gërvalla.
Pula: Brukseli zyrtar asnjëherë nuk e ka ndëshkuar Serbinë për fushatat e saj kundër Kosovës
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, ka thënë se kjo çnjohje vije si pasojë e fushatës serbe për t’i larguar sa më shumë njohje Kosovës. Sipas tij, duhet sa më parë një reagim nga Bashkimi Evropian, sepse kjo fushatë dëmton bisedimet, gjeopolitikën rajonale, si dhe del kundër vendimit të GjND-së për vlefshmërinë e Pavarësisë së Kosovës.
“Fushata e krerëve institucional serb kundër shtetit dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës nuk ka të ndalur. Për çudi, as edhe një herë, nga ana e Brukselit zyrtar nuk kemi parë t’a ketë ndëshkuar Serbinë për këtë lloj fushate që dëmton krijimin e fqinjësisë ndërmjet dy vendeve. Natyrisht, pas reagimeve të shumta ndër vitesh të zyrtarëve shtetëror të Kosovës, është dashur që Brukseli zyrtar t’i kërkonte me ngulm Serbisë zyrtare që t’a ndalte një fushatë të tillë, sepse kjo lloj fushate për minimin e shtetësisë së Kosovës lëndon dhe procesin e bisedimeve e po ashtu edhe gjeopolitikën rajonale përmes ndërhyrjeve të tilla”, thotë ai.
Madje, sipas tij, fushata e pa ndalur e Serbisë, tërthorazi e atakon edhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND-së) e Korrikut 2010, e cila, i hapi rrugë forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar dhe vulosi të drejtën e Kosovës për vetëvendosje politike.
Sipas Pulës, kjo vije edhe si rezultat i diplomacisë kosovare, e cila nuk është në nivelin e duhur për shkak të profesionistëve të paktë dhe ndërrimit të shpeshtë të qeverive.
“Për qeveritë e klasën politike në Kosovën e pas pavarësisë, sigurisht që diplomacia nuk ka qenë me vlerësim prioritar, ngase të paktë kanë qenë profesionistët dhe meritokratët në shërbimin e jashtëm, të cilët do t’i sillnin Kosovës një vlerësim objektiv historik, diplomatik e ekonomik shtetit të Kosovës. Po ashtu, edhe ndërrimi i qeverive e ka humbur konsistencën diplomatike për arritjen e qëllimeve shtetërore.”, tha Pula për arbresh.info.
Ndërkaq, arsyetimin e Gërvallës se faji është i qeverive të mëhershme, Pula e sheh si deklaratë krejtësisht normale, në kuadër të reagimit. Problemi për të qëndron te mungesa e reagimit nga BE-ja dhe shtetet e QUINT-it.
“Deklarimi i kreut të një dikasteri qeveritar, siç është ministria e jashtme, mbetet krejtësisht brenda kornizave normale të reagimit. Por, ngaqë, Kosova gjendet në një proces dialogimi me shtetin fqinjë, Serbinë, do duhej edhe Brukseli zyrtar e po ashtu edhe shtetet e QUINT-it të reagonin kundrejt Serbisë lidhur me këtë fushatën e ‘çnjohjeve’, e specifikisht me këtë rastin e fundit manipulativ të Serbisë”, vlerësoi Pula për arbresh.info.
Çitaku: Togo ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, kur ne prisnim njohje të reja të vendit tonë
Për çnjohjen e Kosovës nga Togo, ka reaguar edhe opozita.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, në një konferencë për media të martën tha se kjo ndodhi derisa ata po prisnin njohje të reja.
Megjithatë, në vargun e dështimeve në diplomaci, Çitakun më problematike është që Kosova nuk po arrin t’i mirëmbajë raportet as me vendet që veçse e kanë njohur, duke përmendur mungesën e trajtimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, përkundër sigurimit të shumicës së nevojshme.
“Dje, Ministri i Jashtëm i Togos njoftoi se kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, kur ne prisnim njohje të reja të vendit tonë. Por, kjo nuk është pjesa më e dhimbshme. Pjesa e dhimbshme është që edhe në një organizatë si Këshilli i Evropës, ku kemi më shumë se dy të tretat e votave të nevojshme, edhe përkundër përjashtimit të Rusisë dhe Bjellorusisë, aplikimi i Kosovës vazhdon të mbetet i pa trajtuar. Që nënkupton se ne nuk po arrijmë të mirëmbajmë dhe kultivojmë raportet as me vendet që na kanë njohur”, shtoi ajo.
Ndryshe, Togo njohu pavarësinë e Kosovës më 2 korrik 2014 dhe atëbotë kishte qenë pikërisht kryediplomati Dussey që me ministrin e atëhershëm të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, kishin nënshkruar marrëveshjen për themelimin e raporteve diplomatike mes dy shteteve.
Ndërkaq, që nga viti 2019, Serbia pretendon se Togo ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Para dy javëve, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq deklaroi se nëntë shtete tashmë veçse e kanë tërhequr njohjen e tyre për Kosovën, ndërsa pritet që edhe shteti i dhjetë ta konfirmojë së shpejti atë.
Sipas tij, shtetet që e kanë çnjohur Kosovën janë: Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Estëatini, Libia, Guinea, Antigua dhe Barbuda, Saint Lucia dhe Maldivet.
Gjithsesi, ka apo s’ka çnjohje, Kosova që nga 2020-ta ende nuk ka arritur të sigurojë as edhe një njohje, që nga ajo e Izraelit, e cila u arrit në kuadër të Marrëveshjes së Washingtonit, me ndërmjetësimin e administratës së Donald Trump. /arbresh.info/EmirAbduramani/
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...