Dimri në Kosovë rritë kërkesën për përdorim të energjisë elektrike, ku tejkalohen edhe kapacitetet e shtetit të Kosovës për të prodhuar energji e ndërkaq importi i energjisë është i pashmangshëm në kohën kur çmimet e rrymës në Evropë dhe botë janë të larta, shkruan arbresh.info.
Arbresh.info pati raportuar për ndërprerjen eventuale të punës së kompanisë “Ferronikel”, si shkak i çmimit të lartë të rrymës, e një gjë e tillë mund t’i prek edhe gjigandët e tjerë industrial në Kosovë.
Madje ekonomia jo stabile e Kosovës, do të ngris probleme ekstra brenda vendit, prandaj ekonomistët vlerësojnë se qeveria duhet të ndihmojë bizneset që të përdorin burime tjera të energjisë, siç janë panelet solare.
Dardan Abazi, hulumtues i lartë në Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP), për arbresh.info tha se nga kjo krizë do të preken konsumatorët e mëdhenj që janë të lidhur në nivelin e tensionit 110 kilovolt.
“Po ekziston një rrezik i tillë, natyrisht një pjesë e konsumatorëve të energjisë sidomos konsumatorët e mëdhenj, pra ata që janë të kyqur në nivelin e tensionit 110 kilovolt. Ata janë konsumatorët të cilët janë të de-rregulluar, pra çmimet e tyre përcaktohen nga tregu dhe jo nga Zyra e Rregullatorit të Energji (ZRRE), natyrisht që këta konsumator do të përballen me vështirësi më të mëdha kur çmimet në treg janë më të larta sesa zakonisht”, tha Abazi.
Mos vëmendja e bizneseve dhe mos përgatitja e tyre, i sjellë në pozita falimentuese tha Abazi.
“Duhet pasur parasysh që për një kohë të gjatë këta konsumator kanë përfituar nga çmimet e ulta të energjisë në tregun ndërkombëtarë, sidomos në tregun e energjisë dhe në këtë kuptim, ne konsiderojmë që do të ishte praktikë e mirë e bizneseve që të përgatiteshin edhe për periudhat të cilat kostot operative siç janë energjia elektrike, do të rritet, mirëpo siç duket një pjesë e bizneseve nuk janë përgatitur për këto lloj periudhash dhe tani po përballen me kriza të cilat po rrezikojnë edhe mbylljen e tyre”, tha Abazi.
E një gjë të tillë e tha për arbresh.info edhe analisti ekonomisë, Burim Berisha.
Kosova është e hendikepuar karshi ndihmës së këtyre gjigantëve.
“Do të rrezikohet shumë, do të ketë një ngritje të kilovatit për orë dhe ka me qenë shumë problematike që s’ka me pas alternativa, për momentin ne jemi shumë të hendikepuar edhe prej regjionit pasi që është bërë një ngritje tepër e madhe, e ndoshta kanë me pas problem me na furnizua me energji. Nëpër botë është duke u blerë për periudha afatshkurtër si tre muaj, katër, nuk ka energji as në regjion, kështu që këna me pas shumë pasoja”, tha Berisha.
Berisha tutje tha se kompanitë prodhuese do të kenë probleme në prodhimin e produkteve.
“Kompanitë prodhuese kanë me pas problem në prodhimin e produkteve të hyra, për shkak se ka me pas rritje të kostos. Kjo ka me qenë një zinxhirë që ndoshta edhe këna me pas ndonjë kolaps, e që ka fillu të Ferronikeli e do të vazhdojë tek të tjerat”, tha Berisha.
Pikërisht për këtë Abazi nga INDEP, kërkoi nga institucionet që ta kenë parasysh përkrahjen e këtyre bizneseve e sidomos në ato që investojnë në burime të ripërtrishme.
“I bëjmë thirrje institucioneve që të kenë parasysh përkrahjen për këto biznese sidomos në qoftë se këto biznese vendosin të investojnë në burime të ripërtrishme të energjisë, në mënyrë që këto biznese të kenë mundësi që të prodhojnë një pjesë të energjisë të cilën ata e konsumojnë në mënyrë që kur të vie koha e krizave ata të kenë më pak nevojë për blerje të energjisë nga jashtë, por të mund vetë furnizohen nga prodhimi që e bëjnë nga panelet solare nëpër kulmet e këtyre bizneseve”, tha Abazi.
Abazi tutje tha se shteti duhet të krijojë një pako të rimëkëmbjes së gjelbër.
“Shteti me instrumentet e veta duhet të përgatisë bizneset përmes pakove të cilat ndihmojnë transformimin nga sistemet e energjisë që bazohen në burime konvencionale në sisteme të ripërtrishme dhe në decentralizim të prodhimit. Në këtë kuptim i bëjmë thirrje edhe Qeverisë që në pakon e ardhshme të rimëkëmbjes ta dedikojë plotësisht në një rimëkëmbje të gjelbër, në kuptimin që të investohet në këto biznese që të ndryshojnë mënyrën e furnizimit me energji dhe të instalojnë panele solare e kështu pra të bëhen edhe mirkoprodhues të vegjël në kuptimin që pastaj të kenë nevojë më pak për energji nga rrjeti”, tha Abazi.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Burim Berisha, tha se me rritjen e energjisë, do të vihen në pah një mori problemesh të tjera.
“Qysh në fillim ne është dashtë t’i marrim disa faktorë të jashtëm në lidhje me ekonominë, ku Ministria e Financave tha se ka pasur një ngritje prej 17%, e që është totalisht e pakapshme, pasi që me veprimet e fundit që janë duke ndodhur në të gjitha nivelet. Ne kemi pasur ngritje të çmimeve pa pas probleme me energjinë elektrike. Me rritjen e energjisë elektrike kemi me pas problem edhe për me ble edhe kemi me tentua me zgjedh alternativa tjera në treg, e pikërisht kjo do të nxjerr një varg problemesh tjera, pasi që ne nuk kemi një ekonomi stabile, sepse po të ishte ndryshe, nëse do të kishim lëndë të parë ku do ta përqendronim zgjidhjen”, deklaroi Berisha.
Ekonomistët vlerësojnë se gjigantët industrialë mund ta kenë fatin e njëjtë si Ferronikeli që u mbyll për shkak se nuk e përballoi importimin e rrymës, për shkak të rritjes së çmimit./S.Dedushi/arbresh.info/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...