Google ADS

Çmimet e produkteve vazhdojnë të rriten, shportat e qytetarëve të varfërohen

13:15 | 30 Prill 2023
A Z

Qytetarët në Kosovë po përballen me rritjen e vazhdueshme të çmimeve në produkteve ushqimore.

Çmimet e larta për produktet bazë, janë bërë sfidë sidomos për ata qytetarë, të cilët kanë të ardhura të vogla dhe ata të cilët janë me asistencë sociale.

Kjo rritje e çmimeve ka vazhduar, ani pse çmimet e karburanteve kanë pësuar rënie, raporton Arbresh.info.

Kjo po bënë që nga dita në ditë të varfërohet shporta e konsumatorëve dhe të rëndohet portofoli i tyre.

Ekipi i portalit Arbresh.info ka dal në “Tregun e Gjelbër” për të parë nga afër çmimet e produkteve bazë.

Nga ajo që kemi parë shihen një rritje e dukshme e çmimeve, 1 kilogramë qepë kushton 1 euro e 50 centë, 1 kilogramë domate 1 euro e 70 centë, kilogrami i trangujve është 1 euro e 50 centë, specat e djegës 2 euro e 50 centë si dhe 1 kilogramë spinaq  nga 1 euro deri në 1 euro e 50 centë.

Kurse, tek pemët çmimet për një kilogramë dredhëza 1.50 cent, bananet rreth 2 euro për 1 kilogramë si dhe 1 kilogramë mollë e gjelbër 1 e 30 cent.

Njëri nga shitësit në treg për Arbresh.info ka folur për ndryshimet e çmimeve.

Ai pranoi se ka rritje, duke u arsyetuar se është rritur edhe importi i tyre.

Sipas tij, në dy vitet e fundit një kilogram spinaq ka shitur 0.50-1.00, kurse tani është 1.50 cent.

Në anën tjetër, qytetarët thonë se kanë vërejtur rritje të dukshme të çmimeve në këtë treg.

Sipas tyre, rritja e vazhdueshme e çmimeve po bëhet e papërballueshme

Kryetari i Shoqatës “Konsumatorit”, Selatin Kaçaniku thotë për “Arbresh.info”, se situata e tanishme është mjaftë shqetësuese dhe dëshpëruese.

Sipas tij, arsyeja kryesore pse të rinjtë po ikin jashtë vendit, është për shkak të mos përballimit të rritjeve të çmimeve dhe mungesa e të ardhurat financiare.

Tutje, ai thotë se qytetarët nuk janë në fokusin e Qeverisë, që sipas tij, shfrytëzohen vetëm për vota dhe në këmbim të kësaj nuk ofrohet asgjë.

“Është shumë shqetësuese dhe tej mase dëshpëruese një prej arsyeve pse po largohen nga shteti, është edhe performanca e pa mjaftueshme e qeverisë e cila nuk e ka për synim që të dëshmojë për mes arritjes dhe ngritjes së vazhdueshme të kënaqësisë të familjes konsumatorëve. Kryesorja që na bënë që të mos kemi arsye është se nuk jemi në fokusin e qeverisë, neve na shfrytëzojnë vetëm për vota në kohën e zgjedhjeve”, shprehet ai.

Për gjendjen aktuale, Kaçaniku e fajëson qeverinë, që sipas tij, nuk duhet t’i ngrijë buxhetin për investime kapitale, por duhet t’i shfrytëzoj për të ndërtuar fabrika që vendi ynë të mos varet nga prodhimet botërore.

Gjithashtu, ai thekson se qeveria ka në dispozicion 800 milionë euro dhe më këtë buxhet sipas tij, ka mundësinë që prodhimet e importit të zëvendësohen me prodhimet vendore.

“Ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë përgjegjësia e qeverisë, kjo qeveri nuk duhet të ngrijë buxhetin për investime kapitale, por duhet të investojë mu në këto projekte që janë shfaqur si boshllëk me fajin e qeverive të kaluara. Ne sot kemi mjete të mjaftueshme për të investuar në prodhimet vendore dhe të mos varemi nga prodhimet botërore. Ne shumicën e gjërave po i presim si të gatshme, ne duhet të reagojmë. Qeveria i ka në dispozicion 800 milionë euro të ngrira fonde të parapara për investime kapitale, le të investojë në ngritjen e kapaciteteve për të pasur prodhime vendore. Prodhimet të importit të zëvendësohen me prodhimet vendore”, thekson ai.

Kadrijaj: Produktet bujqësorë kanë pësuar rritje

Në anën tjetër, ekonomisti Mustafë Kadrijaj, për Arbresh.info thotë se çmimet në përgjithësi kanë filluar gradualisht të ulën, por trend të rritjes kanë pësuar produktet bujqësore.

“Kur flasim mbi bazën e produkteve të bazë, ka trend të rënies por, për fat jo të mirë produktet bujqësore nuk kanë rënie të çmimeve, por rritje. Kjo kohë është sezon ku konsumohen produktet bujqësore, kjo do të rëndojë portofolin e qytetarëve. Tregtarët që furnizojnë qytetarët arsyetohen me faktin që janë produkte të importit. Në ekonominë e tregut e gjitha varet nga kërkesa, përderisa ka kërkesa të larta tek qytetarët edhe tregtarët marrin gatishmëri të furnizimit”, Kadrijaj.

Ai, po ashtu ka thënë se qytetarët duhet të ushqehen çdo ditë dhe e kanë të detyruar që të pajtohen me çmimet.

Megjithëkëtë, ai ka thënë se prodhuesit janë të gatshëm për të rritur prodhimin vendor, mirëpo sipas tij, nuk ka përkrahje të mjaftueshme nga shteti.

“Prodhuesit vendor dhe ata që merren me prodhime bujqësore kanë gatishmëri por për fat të mirë qeveritë nuk e kanë të  garantuar edhe sasinë e prodhimit por edhe çmimin. Qytetarët tentojnë që të blejnë diçka që është e favorshme për të ardhurat e tyre. Por edhe nuk kanë zgjidhje të tjera sepse importi është e mbi populluar. Qytetari duhet të ushqehet çdo ditë dhe e ka mjaftueshëm sfiduese ku të bëjnë alternative”, shprehet ai.

Ndërsa, kryetari i Odës së Ekonomisë, Lulzim Rafuna, muaj më parë ka thënë se çmimet nuk do të kthehen në nivelin të cilin ishin para pandemisë, duke shtuar se krahas rritjeve të çmimeve gjatë viteve të fundit ka pasur edhe rritje të pagave në sektorin privat.

Ndryshimi i çmimeve ka filluar që nga viti 2021, kryesisht në produktet si vaji 26.0 për qind, bukë dhe drithërat 21.2 për qind, mishi 18.9 për qind, si dhe sheqeri 18.9% etj.

Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), norma vjetore e inflacionit e matur në muajin mars 2023 me muajin mars 2022 është 7.6 për qind. /Arbresh.info/Diellza Gashi/

 

Të ngjashme