Çka thuhet në letrën e Gërvallës për Asociacionin që iu dërgua Këshillit të Evropës?

09:51 | 16 Maj 2024
A Z

Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla, ka njoftuar se i ka dërguar një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Tiny Kox.

Gërvalla thekson se letra përmban zotimin e Qeverisë se do ta dërgojë draftin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit.

Pjesa e letrës e cila flet për këtë draft, u publikua nga diplomati Donat Syla.

Në letrën e dërguar theksohet se Gërvalla pret që pas këtij hapi “Kosova të bëhet anëtarja e 47 e Këshillit të Evropës”.

“Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draft Statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (në kuadër të obligimeve të parapara në nenet 7 dhe 10), të frymëzuar nga Fondacioni Friedrich Ebert, i cili do t’i dorëzohet Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim deri në fund të majit 2024”, shkruan në letrën e kryediplomates kosovare.

“Duke marrë parasysh këto hapa konkretë dhe të prekshëm të ndërmarrë nga Kosova, presim që Komiteti i Ministrave të ketë arsye shtesë për ta ftuar Kosovën që të bëhet shteti i 47-të anëtar i Këshillit të Evropës”.

“Ne ju falënderojmë për bashkëpunimin tuaj ndërsa presim ta përmirësojmë bashkëpunimin tonë përmes anëtarësimit të plotë në Këshillin e Evropës”, thuhet në fund të letrës.

Ministrja Gërvalla: Qeveria zotohet që deri në fund të majit ta dërgojë Asociacionin në Kushtetuese

Të ngjashme