Prokuroria Themelore në Prishtinë më 23 janar 2024 ka paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesën për caktim të masës për t’iu ndaluar vendit apo personit të caktuar për Ylber Jasharin dhe kërkesë për caktim të masës së paraburgimit për Bekim Baftijarin, të dyshuar lidhur me rastin e rënise së çatisë së objektit të Komunës së Prishtinës, ku u lëndua rëndë një vajzë.
Kurse, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, aprovoi kërkesën e Prokurorisë dhe caktoi të mërkurën (24 janar) masën e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar ndaj Jasharit, kurse refuzoi kërkesën për masë paraburgimi ndaj Baftijarit, të cilit ia caktoi masën e arrestit shtëpiak,.
Sipas kërkesës së Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, i pandehuri Ylber Jashari dyshohet se më 11 gusht 2023 deri më 18 janar 2024 në ndërtesën Kadastrale të Komunës së Prishtinës, në cilësinë e menaxherit të kontratës “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së re”, në vlerë totale prej 386 mijë e 96 euro e 20 centë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i kalon kompetencat e tij, duke i mundësuar të përfitojë kundërligjshëm materialisht kompanisë “NBT ING” Sh.p.k dhe duke e dëmtuar buxhetin e Komunës në shumë 36 mijë e 450 euro e 29 centë.
“I pandehuri Ylber Jashari ka përpiluar raport dhe ka pranuar se kinse janë kryer punimet e kulmit të ndërtesës së Kadastrit të Komunës së Prishtinës edhe pse realisht aty nuk ishte punuar dhe nuk ishin bërë punimet sipas kontratës, duke ia mundësuar të kryhen pagesat në drejtim të kompanisë, kështu duke e dëmtuar buxhetin e R. Kosovës në shumën prej 36.450.29 euro”, thuhet në kërkesë.
Me këtë, Jashari dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.
Kurse, Bekim Baftijari dyshohet se më 11 gusht 2023 e deri më 18 janar 2024, në ndërtesën Kadastrale të Komunës së Prishtinës, në cilësinë e përgjegjësit të kompanisë “NBT ING” Sh.p.k., i cili ishte i ngarkuar me kryerjen e punimeve, të mbikëqyrjes dhe kryerjes së punëve ndërtimore dhe përfundimit të punëve ndërtimore të kontratës “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së re”, veproi në kundërshtim me standardet profesionale përgjithësisht të pranuara dhe në kundërshtim me kushtet e parapara në kontratë.
“E që me veprim të rrezikshëm apo mjete të rrezikshme, shkakton rrezik të madh për jetën e njerëzve dhe dëm të konsiderueshëm pasuror në atë mënyrë që, me rastin e punimeve nuk kryen si duhet punët në sanimin e kulmit të ndërtesës ku ka filluar ekzekutimin e kontratës, me ç’rast ka kryer punë të tjera e jo ato sikur në pozicionet 2.2, 2.3, 5.1, 5.13 dhe 5.14 të kontratës së lartcekur, i cili kulm një pjesë e saj bie në tokë në pjesën e rrugës qarkulluese, trotuarit dhe objektit përreth duke lënduar rëndë të dëmtuarën E.U., si dhe janë shkaktuar dëme materiale në katër vetura të parkuara përreth”, thuhet më tej në kërkesë.
Me këtë, Baftijari dyshohet se ka kryer veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” na neni 356, par.4 lidhur me par.1 të Kodit Penal.
Sipas Prokurorisë, janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masave të lartpërmendura ndaj dy të dyshuarve dhe ka vlerësuar se caktimi i ndonjë mase alternative, më të butë, do të ishte e pamjaftueshme për ndiçimin e plotë të gjendjes faktike, njëkohësisht do të vështirësonte zhvillimin normal të procedurës penale.
Ndryshe, më 18 janar, si pasojë e rënies së çatisë, një vajzë u lëndua. Më pas, Prokuroria nisi hetimet në drejtim të veprës penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Kurse, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama kërkoi nga organet kompetente që ta hetojnë rastin. Rama ka njoftuar të hënën se ka urdhëruar një ekspertizë urgjente.
Kurti: Synimi ynë është që edhe Kosova të marrë pjesë në Eur...
“Çfarëdo që vendosim tani do llogaritet si lojë”, Sara dhe D...
Policia me njoftim për disa gjoba në rajonin e Prishtinës
Manchester United me rekord të zi këtë edicion në Premier Le...
Shkon në 94 numri i të vdekurve nga cikloni në Mozambik
Ancelotti: Jemi rikthyer, pas humbjes ndaj Milanit, folëm dh...