Qeveria e Kosovës ka mbrojtur Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), që u miratua në lexim të dytë gjatë seancës plenare të 11 korrikut. Ky ligj veç tjerash parasheh licencimin e mediave online, monitorimin e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro.
Miratimi i këtij projektligji u kritikua nga Bashkimi Evropian, nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, dhe dy parti opozitare, që paralajmëruan se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
“Ky ligj në radhë të parë sjell barazi dhe konkurrencë të shëndoshë në treg. Kjo, sepse ky ligj në plotëni përcjell direktivën për Shërbimet e Mediave Audiovizuele [AVMS] të Bashkimit Evropian, hartuar nga ekspertët e Bashkimit Evropian”, tha Qeveria e Kosovës përmes një reagimi në orët e vona të së enjtes.
Për këtë projektligj, disa ditë para se të miratohej në lexim të dytë, kishte reaguar Zyra e BE-së në Kosovë, duke thënë se pavarësisht se versioni aktual ka përfshirë disa rekomandime të Këshillit të Evropës, legjislacionit i duhen rishikime të mëtejme që të përmirësohet qartësia ligjore dhe të përshtatet edhe më shumë me standardet e bllokut evropian dhe Këshillit të Evropës.
Qeveria tha se Projektligji për KPM-në respekton Direktivën e BE-së, është i harmonizuar me legjislacionet që janë në fuqi dhe siguron “zbatimin e të drejtave të garantuarave përgjegjësive të mveshura për të gjitha subjektet, nga një organ i pavarur kushtetutës, pra KPM”.
Çfarë parasheh projektligji për KPM-në?
Projektligji i miratuar të enjten, më 11 korrik, parasheh licencimin dhe kontrollimin e mediave online që prodhojnë video prej KPM-së, më herët në këtë organ kanë qenë të obliguara që të regjistrohen vetëm mediat audio-vizuale.
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) – i themeluar në vitin 2005 – është organ kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës.
Sipas këtij projektligji, mediat që funksionojnë si organizata joqeveritare do të duhen të hapin kompani që t’i plotësojnë kushtet e licencimit nga KPM-ja.
Po ashtu, mediat duhet të marrin leje prej KPM-së në rast të ndryshimit të pronësisë mbi 10 për qind.
Sipas tij, mediat online do t’i nënshtrohen regjimit të sanksioneve me vlerë në deri 40.000 euro për shkeljet eventuale siç janë: mosrespektimi i ligjit, mosdorëzimi i raportit vjetor te KPM-ja brenda afatit, mosruajtja e arkivit të transmetimeve, mosrespektimi i kohës së përcaktuar për transmetim, si dhe për disa raste të tjera.
Përveç përfshirjes së mediave online që prodhojnë video nën monitorimin e KPM-së, projektligji i ri parasheh edhe rritjen e numrit të anëtarëve të KPM-së nga shtatë në 11 dhe zgjatjen e mandatit të tyre.
Anëtarët e KPM-së votohen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe, sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), kjo rritje e stafit në KPM mund të keqpërdoret nga Qeveria “për t’i dërguar njerëzit e tyre”, të cilët do të mund të qëndronin më gjatë në pozitat e tyre, duke rrezikuar kështu, sipas tyre, pavarësinë e KPM-së.
Projektligj për KPM-në është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 27 dhjetor të vitit të kaluar, dhe është dërguar për miratim në Kuvendin e Kosovës, ku është miratuar në lexim të parë më 7 mars të këtij viti. Pas miratimit në lexim të dytë, duhet të nënshkruhet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) i patën bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë menjëherë prej ndryshimeve në projektligj, pasi diçka e tillë ishte konsideruar “sulm mbi mediat”.
Misioni i OSBE-së dhe i BE-së më herët kanë thënë se mbështesin qëllimin e projektligjit për të harmonizuar legjislacionin e Kosovës me dispozitat përkatëse të BE-së, duke përfshirë Direktivën e shërbimeve audio-vizuale, por, “siç thekson raporti i Këshillit të Evropës, nevojitet më shumë punë në draft për të siguruar që ai mos të nënvlerësojë pavarësinë e KPM-së dhe as të mos krijojë mospërputhje ligjore”./REL
Xheneta, Gjestit: Kam thyer premtimin më të madh të familjes...
Juria profesionale zgjedh 15 këngët finaliste të Fest 63
Usyk vazhdon si i pamposhtur, fiton me vendim unanim ndaj Fu...
Horoskopi, çfarë parashikojnë yjet për shenjën tuaj
Moti sot i vranët dhe me intervale me diell
Alex Iwobit iu zbulua dikur paga në internet dhe kishte shif...