Çka ofron Vetëvendosje për pensionerët?

20:08 | 6 Qershor 2017
Arbresh.info

Pension të dinjitetshëm

Me zbatimin e skemës së Lëvizjes Vetëvendosje për solidaritetin në mes të gjeneratave që parasheh kontributin shtesë prej 6%, ku 3% paguhen nga punëtori dhe 3% nga punëdhënësi, atëherë do të kishim në dispozicion një fond shtesë prej rreth 90 milionë eurove në vit që do të mblidhej vetëm nga kjo skemë. Ky fond i solidaritetit do të shkonte si kontribut për shtyllën e parë, dhe u dedikohet pensionerëve të tanishëm.

Në raport me shpenzimet aktuale për pensionet bazike dhe kontributdhënëse, që janë 205 milionë euro, fondi i solidaritetit prej 90 milionë eurove paraqet një rritje shtesë prej 44%, rritje kjo që shkon për lehtësim të barrës buxhetore dhe rritje graduale të pensioneve.

Ndërkaq, me rritjen e punësimit si rezultat i politikave zhvillimore të Lëvizje Vetëvendosje, i bie se rritet edhe numri i atyre që kontribuojnë në këtë fond, e me të mundësohet edhe një rritje e qëndrueshme e pensioneve.

Kujdes mjekësor cilësor

Qasja e Lëvizjes Vetëvendosje është që përveç sigurisë financiare për pensionerët tanë, të ofrojë edhe shërbime tjera cilësore që mundësojnë një pleqëri të rehatshme. E këtu hyn edhe ofrimi i një shërbimi shëndetësor cilësor. Tekefundit, çka i ndihmon një pensioneri rritja e pensionit për pak euro, nëse shumica e atij pensioni i shkon për mjekim dhe ilaçe?

Me funksionalizimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, pensionerëve do t’u ofrohet edhe shërbimi shëndetësor falas, përfshirë këtu edhe ilaçet esenciale. Kësisoj, me heqjen e barrës së shpenzimeve shëndetësore, pensionerëve do t’u mbeten më shumë para nga pensioni i tyre, që mund t’i shfrytëzojnë për aktivitete tjera, qoftë edhe për t’i gëzuar më shpesh nipërit e mbesat/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme