Google ADS

Çka deklaroi para Policisë Pjetër Nrecaj për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës

19:20 | 8 Gusht 2018
Arbresh.info

Në një bisedë për KALLXO.com, Ali Uka, prokurori i cili po heton vrasjen në Brekoc të Gjakovës, ka shpjeguar të dhënat të cilat i kanë deri më tani rreth vrasjes.
Uka ka sqaruar se për momentin kanë në dispozicion vetëm deklaratën e të pandehurit dhe provat e tjera materiale.

Duke cituar pjesë nga deklarata e të pandehurit, prokurori ka thënë se i dyshuari në deklaratën e parë ka mohuar se kur është nisur për te shtëpia e miqve ka pasur për qëllim kryerjen e vrasjes.

“Në deklaratën e tij i pandehuri ka thënë se ka shkuar në shtëpinë e miqve për t’u marrë vesh që të pajtohet me bashkëshorten dhe të vazhdojnë jetën. Aty ai ka deklaruar se ka pasur një konflikt me familjarët, konflikt ky i cili ka rezultuar me shtyrje dhe fyerje”, ka thënë prokurori.

Gjithnjë sipas prokurorit, i pandehuri ka deklaruar në Polici se pas shtyrjeve ai ka nxjerrë armën automatike dhe ka qëlluar me të disa herë.

“Ende nuk e dimë saktë se në sa persona ka qëlluar i dyshuari”, ka vazhduar tutje prokurori.

Ai ka sqaruar se dorasi pasi kishte kryer aktin kishte humbur ndjenjat dhe ishte dërguar në Spitalin e Gjakovës.

Prokurori ka sqaruar se përpos deklaratës së të pandehurit ende nuk i kanë marrë deklaratat e dy vëllezërve të viktimës dhe disa dëshmitarëve të tjerë të cilët janë të shokuar nga ngjarja.

40 vjeçari dyshohet se mbrëmë qëlloi për vdekje ish-gruan dhe vajzën 9 vjeçare

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme