Google ADS

Çitaku: Shpeshherë kam qarë, e kam menduar të dorëhiqem

12:46 | 8 Mars 2022
V. S.

Leadership Development Association (LDA) Balkan ka organizuar në Prishtinë konferencën “LEAP Women 2022″, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Folëse ishin deputete gra, ish-ambasadore, aktore, ndërmarrëse e sportiste të suksesshme, që treguan historitë e tyre motivuese.

Konferenca trajtoi temat si inovacionin, teknologjinë, sipërmarrjen, zhvillimin e karrierës, që stimulojnë udhëheqjen dhe suksesin te pjesëmarrësit, nga tregimet motivuese prej folësve që ishin vetëm gra.

Gratë politikane folën për sfidat e gruas në politikë, në veçanti në vendimmarrje, me ç’rast u theksua se pjesëmarrja e gruas në politikë nuk është fare e lehtë.

Ish-ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku, tha se angazhimi politik nuk ka qenë zgjidhje e vullnetshme por formë e rezistencës dhe mbijetesës. Ajo tha se shpeshherë ka qarë e ka menduar të dorëhiqej si shkak i sfidave të shumta që ajo kishte.

“Ende ekziston bindja që pjekuria vjen me moshë dhe kur i kam hyrë politikës kam pasur dyshime. Angazhimi politik nuk ka qenë zgjidhje e vullnetshme, por formë e rezistencës dhe e mbijetesës. Nuk e kam pasur luksin të zgjedh a dua të bëhem politikane a aktore. Herën e parë kur jam zgjedhur deputete një nga pakot ligjore kishin të bënin me funksionimin e institucioneve. Gjuha e ligjit ishte seksiste i referohej presidenti, zonja e parë. Një ligj i tillë nuk e ka vënë re diskriminimin që i bëhet gruas prej atij ligji. Unë e ngrita dorën dhe thashë gjuha duhet të ndryshojë. Ligji u amandamentua dhe u shkrua presidenti/presidentja, zotëriu/zonja e parë”.

“Pak vite më vonë kuvendi zgjodhi presidente zonjën Atifete Jahjaga. Sot Kosova prapë ka grua presidente, deputete dhe Kosova do të ketë përgjithmonë”.

“Angazhimi i gruas në politikë nuk është rrugë e lehtë. Ne duhet të mësojmë për 10-she për të marrë një 6. Secila prej që ka pasur fatin të marrë përgjegjësi institucionale e ndiejmë mbi supe barrën e tërë gjinisë. Kam pasur ditë kur kam qarë dhe kam menduar të heqë dorë nga politika. Mirëpo në zyrën time pata vendosur fotografi të grave që më kanë frymëzuar mua”, ka theksuar Çitaku, para pjesëmarrësve, shumica gra.

“Ne e kemi detyrë t’i mbështesim ato gra që nuk kanë zë. Ne duhet të bëjmë më shumë të ndërrojmë mentalitetin”, tha ajo.

E deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi, foli për sfidat e saj gjatë karrierës së saj në politikë. Tha se gjithë rrugëtimi i saj ka qenë për avancimin e gruas.

“Unë vij nga një familje atdhetare që luftuan shumë për bazamentin e këtij vendi. Rrugëtimi jonë është i gjatë por triumfues. Rrugëtimi dhe jeta të ballafaqon me sfida të ndryshme. Unë jam Vlora Dumoshi jam nënë e vetme por jam krenare sepse kam dy djemtë e mi. Edhe ata që i duam shpesh na gjykojnë e tradhtojnë. Unë jam karakter shumë i fortë. Për dy vjet kam punuar në bazën amerikane. Gjithë rrugëtimi im ka qenë për avancimin e gruas”.

“Pjesëmarrja e gruas në politikë nuk është fare e lehtë. Porosia ime për vajzat e reja dhe gratë është ta kryejnë shkollimin se jeta ka sfida të mëdha”, tha Dumoshi.

E deputetja e VV-së, Arjeta Rexhepi, tha se pikërisht kjo datë, 8 Marsi është momenti kur duhet të kërkohen të drejtat e tyre.

“Ky fjalim ka rëndësi sepse shohim përtej çështjeve politike. Sot na bënë bashkë fuqizimi i gruas në shoqëri. Por jo të gjithë e kanë gjetur këtë ambient të ngrohtë. Këtij fenomeni do t’i vijë fundi vetëm me një mënyrë fuqizimi. Fuqizimi është kontrolli i jetës personale. 8 Marsi ishte momenti ku duheshim të kërkojmë të drejtat tona”, tha ajo.

Vjollca Komoni, profesoreshë në Universitetin e Prishtinës, tha se rruga e saj ka filluar në Fakultetin e Inxhinierisë Teknike ku prezenca e vajzave ka qenë shumë e vogël.

“Ka qenë një kohë që pak a shumë prezenca e vajzave ka qenë shuëm e vogël sepse atëherë është menduar që vetëm djemtë mund të studiojnë inxhinierinë. Ne kemi qenë grup i vogël i vajzave që kemi studiuar kemi qenë të gjitha të shkëlqyera. Ne vazhdojmë të jemi bashkëpunëtore në UP. I gjithë ky rrugëtim nuk ka qenë aq i lehtë. Krahas shkollimeve kanë qenë sfidat në punë dhe ka munguar edhe përkrahja e kolegëve”, tha ajo.

E zv.drejtoresha e Leadership Development Association (LDA) Balkan, Qëndresa Nikqi, tha se pjesëmarrja e secilës grua është vlerë e shtuar. Ajo tha se pas çdo suksesi fshihet një rrugë e gjatë me sfida.

“Jemi mbledhur ta bëjmë këtë ditë sa më të veçantë. Pas çdo suksesi fshihet një rrugë e gjatë me sfida. Jam shumë e lumtur që si LDA po organizojmë ‘LEAP Women’, e cila iu dedikohet vetëm grave”.

“Duhet t’i rrisim përpjekjet tona që roli jonë të jetë i rëndësishëm. Në LDA gratë janë të përfshira në masë të madhe. 70 për qind e bordit të LDA është nga vajzat. Modestia që kemi për secilën nismë është motivi ynë. Në fund ua uroj 8 Marsin – Ditën e Gruas”, tha Nikqi./EO/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme