Google ADS

Çitaku: Nuk është koha për protagonizëm politik, por për pjekuri politike

12:46 | 1 Gusht 2022
arbresh.info

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, në një konferencë për shtyp, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve të paplanifikuara mirë dhe të pakoordinuara si duhet.

Çitaku tha se vendosja e barrikadave dhe pengimi i lirisë së lëvizjes në cilëndo pjesë të Republikës së Kosovës, është i papranueshëm.

“Sa i përket Qeverisë së Kosovës, aksioni i mbrëmshëm dëshmoi edhe një herë se vendimi për veprim ka qenë i paplanifikuar mirë dhe prandaj nuk arriti që të realizohet. Dështimi në realizimin e këtyre vendimeve të Qeverisë, po krijon një përshtypje që Veriu është i pamenxhueshëm dhe që situata atje është jashtë kontrollit të shtetit. Po ashtu, veprimet e Qeverisë do të duhej të ishin paraprakisht të koordinuara me miqtë tanë ndërkombëtarë, jo vetëm të ndëgjojnë ata në momentet e fundit të krizës. Aleancat janë po aq të rëndësishme sa sovraniteti. Ato duhet të mirëmbahen dhe kultivohen me seriozitet”, theksoi Çitaku.

Ajo tha se PDK me shqetësim i ka ndjekur zhvillimet e mbrëmshme në Veri të vendit dhe e konsideron si shumë shqetësuese konfuzionin e krijuar në opinionin publik në lidhje me situatën në veri.

“Provokimet dhe veprimet e paligjshme të strukturave kriminale në veri të vendit, që qartësisht janë të sinkronizuara me Beogradin zyrtar, të monitorohen dhe të denoncohen edhe nga Bashkësia Ndërkombëtare. Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se situata e tanishme edhe një herë e vërteton faktin që një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e fokusuar në njohjen reciproke, është urgjente. Ne mirëpresim angazhimin aktiv të SHBA-ve dhe BE-së për të de-eskaluar situatën”, tha ajo.

PDK kërkon nga Qeveria të shpjegoj qartë se cili është vendimi i ri dhe çfarë do të ndodhë në këto 30 ditët e ardhshme.

Çitaku theksoi se bashkërendimi i të gjithë akterët relevantë, ndërkombëtarë e vendorë, është i rëndësishëm para marrjes së vendimeve të rëndësishme për vendin.

“Presim nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të tregoj seriozitet, të sillet përgjegjshëm, të ndërmarr veprime të planifikuara mirë në koordinim gjithmonë me aleatët tanë. Situatat si ajo mbrëmë, ku qytetarët u lanë në ankth dhe huti, mërgimtarët e bllokuar dhe pa informata në kufi, nuk guxojnë të përsëriten me 1 shtator, kur të filloj zbatimi i reciprocitetit të pjesshëm me Serbinë. Sot, nuk është koha për protagonizëm politik, por për pjekuri politike”, tha ajo.

Çitaku ka ftuar edhe një herë qytetarët e komunitetit serb që të mos lejojnë të manipulohen nga politika destruktive e Serbisë që ka synim destabilizimin e vendit.

“Ftojmë edhe një herë qytetarët e komunitetit serb që të mos lejojnë të manipulohen nga politika destruktive e Serbisë që ka synim destabilizimin e vendit tonë. Të gjithë duhet të punojnë për mbarëvajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë për qytetarët, duke garantuar lëvizjen e lirë për të gjithë”, tha ajo./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme