Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e ka quajtur të dëmshëm emërimin e Ardita Sinanit si këshilltare politike për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc nga kryeministri Kurti.
Çitaku, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, tha se nëse Qeveria e Kosovës do të donte të ndihmonte shqiptarët e Luginës atëherë do të emëronte dikë apartiak.
“Asgjë personale me zonjën Ardita Sinani (e kam mbështetur edhe publikisht pasi u shkarkua nga detyra muaj më parë) mirëpo emërimi i saj si këshilltare për Preshevë, Medvegje dhe Bujanoc pranë Zyrës së Kryeministrit të Kosovës është jo vetëm hap i gabuar, por edhe i dëmshëm.
Sikur Kryeministri të ishte i sinqertë në qëllimin e tij për të ndihmuar shqiptarët e Luginës nuk do të emëronte znj Sinani, për shkak se Ardita është kryetare e një subjekti politik në Preshevë. Sikur Kurti të ishte i sinqertë në qëllimin do të emëronte dikë apartiak”, ka shkruar Çitaku.
Për pranimin e Sinanit të kësaj pozite pa dhënë dorëheqje nga partia, Çitaku tha se ndien keqardhje.
“Së paku formalisht, zonja Sinani, para se ta publikonte vendimin për emërim si këshilltare politike në Qeverinë Kurti, do të duhej ta kishte publikuar dorëheqjen si Kryetare e PVD-së në Preshevë. Më vije keq që zonja Sinani ka pranuar të bëhet pjesë e një projekti të tillë”, deklaroi tutje ajo.
Çitaku tha se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk duhet të përçajë shqiptarët në Luginë, por duhet të synojë t’i bashkojë ata.
“Fatkeqësisht, qasje të njëjtë destruktive e tendenca përçarëse Kryeministri Kurti ka shfaqur edhe me përpjekjet e tij për të ndërhyrë në skenën politike në Shqipëri, Maqedoni, etj”, tha në fund Çitaku.
Për emërimin e ish-kryetares së Preshevës në këtë post dje ka njoftuar vetë kryeministri Kurti, i cili tha se këtë po e bën me synim të përmirësimit të pozitës së shqiptarëve të Luginës në Serbi.
“Kam emëruar sot znj. Ardita Sinani, Këshilltare Politike për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Në funksion të përmirësimit të gjendjes së shqiptarëve në këto komuna dhe për mbrojtjen e avancimin e të drejtave të tyre, do të themelojmë Zyrën për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, që do të koordinohet nga znj. Sinani”,ka njoftuar Kurti./arbresh.info/
LEXO EDHE:
Kurti emëron Ardita Sinanin, këshilltare Politike për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...