Të mërkurën partia “Guxo” e ka mbajtur Kuvendin e parë Zgjedhor, ku Faton Peci dhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, janë zgjedhur kryetarë të përbashkët të Listës Guxo.
Një ditë nga zgjedhja e kryetarëve të kësaj partie, kjo parti mbeti më një deputet më pak. Pasi që, deputetja, që deri tash ishte në grupin parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, nga radhët e Listës Guxo, ka kaluar në opozitë, në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Marrë parasysh këtë fakt, për analisten politike, Ardiana Thaçi, do të jetë shumë e vështirë për Guxo që të etablohet në skenën politike të Kosovës, ku përmendi rastin e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila që nga largimi i Hashim Thaçit nga partia (të paktën zyrtarisht), nuk e ka fuqinë që e kishte në kohën sa ai ishte kryetar i partisë.
“Cilado parti e cila është kriju dhe në krye të saj nuk ka qëndruar themeluesi i asaj partie, destinimi i tyre ka qenë dështimi. Vjosa Osmani votat i ka marrë për shkak të emrit të saj dhe jo për shkak të njerëzve në Guxo. Natyrisht, e ardhmja e kësaj partie do të shihet në zgjedhjet e ardhshme, e po besoj që kjo e ardhme nuk do të jetë e mirë, gjithmonë duke e pasë për bazë faktin që Presidentja nuk mund të del dhe të mbledhë vota për Listën Guxo, natyrisht, sepse ia ndalon Kushtetuta”, tha ajo për arbresh.info.
Thaçi theksoi se elektorati në Kosovë tradicionalisht voton për liderin, e jo për programin e partisë, andaj për Guxo do të jetë shumë e vështirë që të ketë një fuqi politike aq të madhe sa për të garuar me partitë tjera, meqë në radhët e saj nuk ka ndonjë figurë që mund të konsiderohet si lider.
“Sipas strukturës së partive tjera politike dhe sipas faktit që njerëzit në vendin tonë kryesisht votojnë për individët dhe jo për programin dhe atë që ofron partia, siç e kemi rastin e të gjitha partive në Kosovë ku gjithmonë votat mblidhen në emër të liderit të partisë i cili duhet të jetë një figurë e cila mbledhë vota, e cilado figurë që është në anëtarësinë e Listës Guxo, nuk mund të jetë njeri që mund të fitojë vota për këtë parti”, deklaroi ajo për arbresh.info.
Është e ditur për gjithë opinionin publik se Lista Guxo u themelua me iniciativën e presidentes Vjosa Osmani, bashkë me ish-anëtarët tjerë, të cilët ishin të pakënaqur në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Andaj, sipas analistit Xhevdet Pozhari do të jetë një garë e pamëshirshme e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut me këtë parti, pasi që edhe e synojnë elektoratin e njëjtë. Por, sipas tij, Abdixhiku ka përparësi në këtë situatë.
“Lista “GUXO” më shumë sesa një koncept politik, ishte derivat i pakënaqësive brenda LDK-së që kulmuan edhe me inate ndërpersonale më shumë sesa konceptuale. Sot, kur Lumir Abdixhikut i duhet besimi për ta pasur një mandat të plotë në krye të LDK-së, ndërsa Vjosa Osmani duhet ta etablojë partinë e saj, sigurisht se gara midis dy taborreve do të jetë e pamëshirshme ngaqë synojnë elektoratin e njëjtë. Lumir Abdixhiku pretendon të kthejë atë që konsiderohet se është shkëputur nga LDK, ndërsa Vjosa Osmani pretendon të dëshmohet si pasardhëse e denjë e frymës së LDK-së së dikurshme. Mirëpo, në këto rrethana, patjetër se Abdixhiku është në përparësi. Ai ka trashëguar nga strukturë të anëtarësisë e cila është e kalitur me procese zgjedhore, gjë që e dëshmuan edhe rezultatet në zgjedhjet e fundit komunale, ndërsa Vjosa Osmani, të paktën deri më tani, nuk ka lënë përshtypjen se ka aftësi organizative për ta ndërtuar një parti që mund të kalojë pragun pa koalicione parazgjedhore”, deklaroi Pozhari për arbresh.info.
Pozhari tha se duke parë se shumë anëtarë të Guxo kanë filluar të kthehen në LDK, do të jetë edhe më e vështirë për Guxo që të jetë një parti konkurruese me partitë tjera. Ai madje shtoi se ky është edhe qëllimi kryesor i kryetarit të LDK-së, që ta largojë nga skena politike Vjosa Osmanin kur t’i përfundojë mandati i presidentes.
“Përkundër pushtetit absolut që sot partia e saj e ka në bashkëqeverisje me Vetëvendosjen, tashmë deputetë të zëshëm të listës Guxo kanë filluar të kthehen në shtëpinë e tyre të vjetër, LDK. Dhe, ky është edhe skenari i Lumir Abdixhikut: t’i kthej votat dhe Vjosa Osmanin ta izolojë deri në atë masë që me përfundimin e mandatit të saj presidencial, të përfundojë edhe karriera e saj politike. Nuk do të doja të lëshohem në paragjykime, por një gjë është e qartë qysh tani: për kaq kohë sa ekziston Lista Guxo, nuk është qartësuar programi dhe koncepti i saj politik, përpos që më shumë është identifikuar si grup i njerëzve të pakënaqur me ish udhëheqjen e LDK-së”, theksoi Pozhari.
Një gjë që ka shtuar zërat skeptikë që Lista Guxo mund të bëjë diçka të madhe në politikën kosovare, është edhe kalimi i deputetes Doarsa Kica në LDK.
Ardiana Thaçi thotë se moralisht nuk e sheh si veprim të duhur, por në aspektin ligjor është tërësisht veprim i rregullt. Për të, kjo nuk është një befasi, meqë në aspektin ideologjik, njerëzit e Guxo janë më të afërt me LDK-në sesa me VV-në, natyrisht, për shkak të së kaluarës së afërt.
“Në aspektin politiko-legjislativ, mandati i deputetit është i lirë dhe nuk ka ndonjë pengesë, por në aspektin moral nuk është reale që të mblidhen votat në emër të një partie dhe pastaj të kalohet në një parti tjetër, megjithatë, unë mendoj që shumica e njerëzve që janë në Guxo, ideologjinë e tyre e kanë më të afërt me LDK-në sesa me vetë partinë që janë në bashkëqeverisje, VV-në” përfundoi Thaçi.
Ndërsa Xhevdet Pozhari, për këtë kalim të deputetes Kica, tha për Guxo dhe VV që ishin ata që e zgjodhën Vjosa Osmanin presidente me votë të kontrabanduar, andaj, nuk kanë pse të ankohen për këtë kalim të Kicës në LDK. Madje ai e lavdëroi Kicën duke thënë se është një ndër deputetet më të përgatitura në Kuvendin e Kosovës.
“Doarsa Kica-Xhelili është një prej deputeteve më të përgatitura në Kuvendin e Kosovës. Ata që e sulmojnë për ‘kontrabandim të vullnetit qytetar, mos të harrojnë se në një të kaluar jo shumë të largët edhe Vjosa Osmani u pat zgjedhur presidente me votë të “kontrabanduar” të një deputetes së PDK-së. Nuk kanë thënë kot se çfarë mbjell, do të korrësh”, deklaroi Pozhari.
Më datën 8 shtator u bë edhe zyrtarizmi i ‘aderimit’ të Doarsa Kica në LDK, ku me këtë rast, në bazë të numrave pritet të zbehet edhe forca e qeverisë në Kuvend, por edhe funksionimi i Guxo në të ardhmen pritet të jetë më i vështirë, meqenëse deputetja në fjalë ka qenë një ndër deputetet më kryesore dhe më aktive të koalicionit qeveritar, dhe jo vetëm./Emir Abduramani/arbresh.info/