Përdorimi i cigareve elektronike është bërë trend në Kosovë.
Prej kohësh ky lloj i cigareve shitet ilegalisht në çdo market të Kosovës.
Përveç që nuk ka asnjë masë të parandalimit, në blerjen e cigares elektronike kanë qasje lehtësisht edhe fëmijët.
Cigaret elektronike zakonisht vendosen afër arkës, çmimet e tyre fillojnë nga 7 deri në 15 euro.
Doktori i Pomologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Skender Bacaj, për Arbresh.info thotë ende nuk ka shkencërisht konkluzione për dëmin që shkaktojnë cigaret elektronik.
Sipas tij, kjo dukuri është rritur për shkak se konsumuesit e duhanit po e zëvendësojnë cigaren klasike me atë elektronike.
“Cigarja elektronike është zëvendësuesi i cigares ose duhan i pirjes klasike, apo ndryshe natyrale, e cila prodhohet prej bimëve. Edhe pse duhani nuk është i shëndetshëm duke filluar nga grimcat inorganike, ndotje të duhanpirësve e deri tek kjo elektronikja asnjëra nuk është e mirë për shëndetin. Nuk kemi shkencërisht konkluzione për dëmin defitivisht për cigaret elektronike”, tha Bacaj.
Bacaj potencoi se ende nuk dihet përmbajtja e saktë e kësaj cigare, por sipas tij ka më pak dëm se ajo natyralja.
“Ne e dimë që duhan prija eletronike është e dëmshme por në cilat segmente dëmton defitivisht ende nuk e dimë. Është e sigurt që duhan pirja ndikon në efektin biologjik dhe fizik. Cigarja nikotinë kalon dhe në gjak dhe kjo ndikon në dëmtimin biologjik, ndërsa kjo elektronikja ndikon më shumë në fizik. Nuk është hiq më pak i dëmshëm por duhet që të nënshtrohen hulumtimeve shkencore për një konkluzion”, shtoi ai.
Në konsumimin e një cigareje të vetme, Bacaj ka bërë të ditur se liron 400 komponentë, ku 200 prej tyre janë kancerogjene.
Kurse për cigaren elektronike, sipas tij, nuk ka edhe aq shumë komponentë të rrezikshëm.
“Cigares i bie përgjegjësitë më të mëdha sepse liron komponent kimike duke filluar nga nikotina e të tjera. Edhe në cigaren klasike është arritur që nikotina të zvogëlohet mirëpo janë 400 komponentë që lirohen ku prej tyre 200 janë kancerogjene e në cigaren elektronike nuk ka aq shumë. Çdo fabrikë i prodhon ka politika të ndryshme në një shtet shitet vetëm më shije mentolli ndërsa të tjera nuk janë të lejuara. Është çështje e shijes. Është bërë që të kontrollohet në këto cigare mos të ketë kanabis ose substanca që nuk lejohen. Kjo vlen edhe për shishe është sistemi i njëjtë”, tha ai.
Arbresh.info e ka pyetur se a duhet të ndalet shitja e cigareve elektronike, doktori ka thënë se para se të lejohej importi i saj, është dashur që të ketë edhe rregullore për të.
“Është e papranueshme, mirëpo fatkeqësisht ne po vonohemi me ligj. Më përpara po vijnë cigare e tani ligji. Në momentin që është lejuar importi i këtyre cigareve është dashur në Kuvend që ta sjellin një ligj për fëmijët dhe për gratë shtatzëna që të mos e blejnë dhe të mos ta përdorin”, përfundoi ai.
Ndërsa, drejtori i organizatës Kosovo Advocacy and Development Centre ( KADC) Shkumbin Spahiu, për Arbresh.info ka deklaruar se shoqëria ka krijuar një perceptim të gabueshme për cigaret elektronike që janë më pak të dëmshme.
Duke shtuar se edhe kjo lloj cigare ka efektet anësore dhe ka substancë kancerogjene në shëndetin e njeriut, njëjtë sikurse cigarja normale.
“Ata që fillojnë të konsumojnë cigaren elektronike të cilat i konsiderojnë më pak të dëmshme përfundojnë të gjithë në duhanpirës. Një dukuri e shtuar po vërehet tek mosha e reja, sepse ka një qasje të lehtë të përdorimit të cigareve të quajtura VIPE. Nuk kemi studime të mjaftueshme për cigaren elektronike mirëpo ajo që dihet është se përmban nikotinë dhe dietë ilene që janë kompetente avulluese dhe hynë në mushkëritë e njeriut, përveç këtyre kjo cigare mban komponentë kancerogjene.”, tha ai.
Arbresh.info ka pyetur Spahiun se pse është lejuar importi i tyre, përderisa nuk dihet ende asgjë për përbërësit e kësaj cigare.
Sipas tij, kjo ndodh për shkak të interesave personale të tregtarëve.
“Pse është lejuar importimi apo përdorimi i cigareve elektronike derisa nuk ka qenë e rregulluar me ligj, kjo zakonisht ndodh kur tregtarët shfrytëzojnë zbrazëtirat ligjore për përfitimet personale. Kjo situatë tanimë është edhe në Kosovë, që në çdo market cigaret elektronike shiten pa asnjë kriter. Këto duhet të ndalohen me ligj përdorimi i tyre përveç atyre cigareve nëse ka të tilla të cilat me dokumentacionin që kanë që mund ta përdorin dhe ka efekte pozitive te ata persona që duan ta lënë duhanin, pra si rast me qëllime medicionale”, tha Spahiu.
Emini: Cigarja jetën po ta shkatërron
Shpresa Emini nga Gjilani , e cila është e shtruar në Klinikën e Polmologjisë në QKUK ka treguar se ka qenë duhanpirëse për 25 vite.
Konsumimi i duhanit sipas saj, është arsyeja se pse ajo tani gjendet e shtrirë në spital.
Duhani është shkaktari që Emini ka probleme me frymëmarrjen.
“Unë e kamë pirë 25 vite cigaren, që 10 vite e kam lënë. Pasoja e duhanit po shihen se çka munden të ndikojnë tek të rinjtë. Nëse kishin mundur me lënë kishte qenë shumë mirë. Kam problem me frymëmarrje shkaku i duhanit. Kam filluar që ta pijë duhanin për shkak se më kanë thënë nëse e pinë duhanin do të dobësohesh, kjo ka qenë arsyeja, asgjë tjetër. Tani kur fillova ta pijë nuk munda ta lija më. Më sëmundje e keqe se duhani nuk ka, edhe jetën po ta shkatërron”, tha Emini.
Po ashtu, ajo komentoi edhe përdoruesit e cigares elektronike, duke thënë se duhet të ndalohet menjëherë prodhimi i saj.
“Cigarja elektronike është dhjetë fish më e dëmshme se cigarja natyrale. Ajo për mu është një vdekjeprurës. Jo vetëm fëmijëve por e kisha ndalur prodhimin e tyre”, tha ajo.
Ajo në fund bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të mos e konsumojnë asnjërën nga cigaret, për shkak se sipas saj, do ta kenë fatin e saj.
Për shitjen e cigareve elektronika për Arbresh.info ka folur, edhe Lamir Thaçi nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
Ai thotë se të gjitha produktet e duhanit, duke përfshirë edhe ato elektronike, janë të pajisura me dokumentacion dhe kontrollohen nga inspektorët fito- sanitar në kufi.
“Duhani dhe produktet e duhanit, ku hyjnë të gjitha llojet e cigareve duke përfshirë edhe ato elektronike. Të cilat me kod doganorë përcaktohen t’i nënshtrohen kontrollit të inspektoratit të AUV-së kontrollohen nga inspektorët fito-sanitar në kufitar. Çdo ngarkesë duhet të vijë me dokumentacion të kompletuar sipas rregullave ligjore për tregtim të mallrave”, përfundoi Thaqi.
Kujtojmë se përmbajtja e cigareve elektronike mund të shkaktojë dëmtime në zemër dhe në mushkëri, dhe personat që e përdorin janë më të rrezikuar nga sëmundjet kardiovaskulare. /Arbresh.info/ Diellza Gashi/
Lushtaku inicion Memorialin historik për daljen e parë publi...
Musliu: Urgjentisht të fillojnë hetimet ndaj drejtorit të RT...
Banka Botërore: Shqipëria të investojë 6 miliardë dollarë në...
Abdixhiku shpalos programin për Arsim në Vushtrri, premton m...
Kur do të hapet ura e Ibrit ?
Mbi 1 mijë tenderë njëburimorë raportohet se po hetohen nga ...