Nuk mund të kemi Republikë të përparuar e me mirëqenie pa qenë të tilla edhe komunat e shtetit tonë, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në takim me kryetarët e komunave të Kosovës.
Në takimin e organizuar me qëllim të koordinimit ndër-institucional mes Qeverisë dhe pushtetit lokal, të pranishëm ishin edhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, si dhe kryetarët dhe nënkryetarët e komunave të Republikës së Kosovës.
“Si Kryeministër i Republikës së Kosovës jam i hapur e i gatshëm të jem afër jush, bashkë më bashkëpunëtorët e mi që sot janë të pranishëm, dhe gjithë kabinetin qeveritar, për t’u angazhuar bashkërisht për progresin demokratik, social e ekonomik të Republikës sonë”, theksoi Kryeministri Kurti.
Kryeministri i njoftoi kryetarët se Qeveria e Republikës së Kosovës është në fazën e përgatitjes së buxhetit për vitin fiskal 2023 dhe se në këtë buxhet reflektohet një rritje e konsiderueshme e buxhetit dedikuar nivelit komunal, thuhet në komunikatën për media nga Zyra e Kryeministrit.
“Për herë të parë kemi rritje prej 15% të buxhetit për komunat, në raport me vitin 2022. Do të jenë 654 milionë euro që do t’u ndahen komunave. E kjo rritje e buxhetit do të duhej të reflektojë edhe në rritjen e cilësisë së shërbimeve komunale karshi qytetarëve të Republikës së Kosovës, mirëqenies së tyre dhe zhvillimit socio-ekonomik. Qasja jonë si qeveri është që të jemi afër qytetarëve edhe duke qenë afër komunave, e për këtë na nevojitet avancim dhe intensifikim i bashkëpunimit tonë të ndërsjellë ndërinstitucional”, tha Kryeministri Kurti.
“Gjatë kësaj periudhe qeverisëse kemi ndërmarrë shumë hapa reformues, duke filluar me kornizën ligjore që rregullon pushtetin lokal, dyfishimin e mbështetjes së komunave përmes ministrive të linjës, si dhe më e rëndësishmja, komunikim të drejtpërdrejtë ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal”, theksoi ai.
Në takimin e sotëm, diskutimi u fokusua te performanca buxhetore e komunave, projektet komunale dhe investimet kapitale, energjia dhe ujërat, reformat ligjore në nivel lokal, zhvillimi ekonomik lokal, agjenda e gjelbër, Strategjia kombëtare për menaxhimin dhe kontrollin e qenve me dhe pa pronar si dhe digjitalizimi i shërbimeve komunale.
Kjo është hera e dytë që Kryeministri takon në këtë format kryetarët e komunave, pas takimit të mbajtur më 25 qershor./arbresh.info/
Kurti vendos gurthemelin e ndërtesës së re të Komunës së Sht...
22 raste “escorta” në Kosovë gjatë këtij viti, shtetaseve të...
Erion Veliaj mohon se u arratis nga Shqipëria: Po shkoj në S...
Fitimi, Sarës: Sa do kisha shanse me ty jashtë, nga 1 tek 10
Votuesit e regjistruar në Diasporë do të hiqen nga listat br...
Top 10 mesfushorët ofanzivë më të mirë në kampionatin zvicer...