Çfarë pritet të ndodh sot në takimin e presidentes Osmani dhe krerëve të partive politike?

09:13 | 31 Korrik 2024
K.B

Sot do të mbahet takimi mes presidentes Vjosa Osmani dhe krerëve të partive politike për të diskutuar për datën e zgjedhjeve.

Ftesës së Osmanit i janë përgjigjur pozitivisht të gjitha partitë politike.

Kjo nga njohësit e politikës po shihet si një gjë pozitive, raporton Arbresh.info.

Njohësi i çështjeve të politikes, Dritëro Arifi thotë se në bazë të ftesës së presidentes, kjo është gjë pozitive pasi jemi në afatet kohore.

Sipas tij, zgjedhjet mund të mbahen në vjeshtë ose në dimër.

“Afatet kohore janë qe ato mund të mbahen varësisht në atë se çfarë kërkese kanë partitë parlamentare dhe në fund presidentja nga kompetencat që i ka mund to shpall zgjedhjet në një datë të caktuar parlamentare, pra kjo varet edhe nga shumë rrethana se kur janë të përshtatshme të mbahen në vjeshtën e vonshme apo në stinën e dimrit, këto janë dy opsionet që janë në tavolinë po besoj, duke i parë edhe rrethanat politike që Kosova po kalon”, thekson Arifi.

Ndërsa, sa i përket koalicioneve, Arifi shprehet se nuk mund të ketë ndonjë koalicion që mund të na befasojë.

“Nuk besoj që do të ketë ndonjë koalicion që mund të na befasojë, mund të ketë koalicione të vogla kjo është varësisht nga interesat politike, por besoj që në një masë të madhe skena politike nuk do të ndryshojë shumë në kuptimin e koalicioneve parazgjedhore”, shprehet analisti.

A do ketë datë të zgjedhjeve?

Kurse, Mazllum Baraliu mendon se kësaj here subjektet politike nuk kanë zgjidhje tjetër përveç se të dakordohen për datën e zgjedhjeve.

“Për tu dakorduar nuk kanë zgjidhje kësaj radhe duhet të dakordohen për arsye se janë afatet ligjore dhe kushtetues brenda të cilave presidentja e vendit është e detyruar që t’i tubojë paritë politike se është obligim ligjor të konsultohet me to dhe të dakordohen për një datë”, thotë Baraliu.

Përndryshe, sipas Baraliut, do të bënte shkelje edhe Presidentja edhe partitë politike dhe se duhet të dakordohen pasi zgjedhjet duhet të mbahen.

Kurse sa i përket ndonjë koalicioni, Baraliu shprehet se varet nga disponimi i subjekteve politike dhe se është punë e kalkulimeve politike.

“Se a do të ketë koalicione si ky i AAK-së dhe Nisma-s, varet nga disponimi i subjekteve pulitke nga kalkulimet nga llogaritë nga strategjitë për të fituar sa më shumë vota dhe për të fituar zgjedhjet. Është punë e kalkulime politike planeve dhe strategjive që kanë filluar tashmë t’i bëjnë”, shton ai.

Sipas tij, koalicioni qeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo, duhet të hyjnë bashkë në zgjedhje në mënyrë që të përfitojnë sa më shumë vota dhe vende në parlament.

“Mbetet edhe koalicioni qeverisë të mendoj mirë të deklarohet, a të shkoj bashkë në koalicion parazgjedhor me Listën Guxo, e vetmja zgjidhje dhe më e mirë për to do të ishte që të shkojnë bashkë dhe të hynë bashkë në zgjedhje në mënyrë që të përfitojnë sa më shumë edhe vota edhe vende në parlament”, shprehet analisti politik.

Ndryshe, të premten presidentja Vjosa Osmani ka ftuar zyrtarisht liderët e partive politike që t’i takojë më 31 korrik për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Në letrën e cila u është dërguar liderëve të partive, Osmani ka deklaruar se bazuar në Kushtetutë dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, zgjedhjet duhet të mbahen përgjatë periudhës 26 janar- 16 shkurt 2025.

Ky takim është caktuar për 31 korrik, në orën 14:00, në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës./Arbresh.info/ Kujtesë Berisha/

Të ngjashme