Çfarë presione u bëri Beogradi serbëve që të largohen nga FSK

11:29 | 24 Korrik 2018
Arbresh.info

Qe një muaj rreth 40 pjesëtarë të komunitetit serbë janë larguar nga Forca e Sigurisë së Kosovës. Sipas institucioneve kosovare këta pjesëtarë të FSK’së janë larguar për arsye të presioneve nga Serbia. Dëmtime të veturave, ndalime në polici në Serbi, marrje në pyetje, letra kërcënuese, moslejimi i vizitës për familjarët në Serbi janë vetëm disa nga format e presionit për dorëheqje që Beogradi zyrtar ua ka bërë këtyre ish-pjesëtarëve të FSK’së

Me letra me përmbajte kërcënuese, Beogradi zyrtar i ka detyruar rreth 40 pjesëtarë serbë që të japin dorëheqje nga pjesëmarrja e tyre në ushtrinë e Kosovës. Këta zyrtarë ka më shumë se një muaj janë larguar nga FSK’ja. Por asnjëri nga ta ende nuk ka shprehur gatishmërinë për t’u rikthyer në këtë institucion.

Zyrtarë të Ministrisë së Forcës dhe Sigurisë së Kosovës në një përgjigje dhënë Gazetës Express, kanë treguar detaje rreth këtyre dorëheqjeve. Nga MFSK thonë se përveç dëmeve materiale që u janë bërë këtyre zyrtarëve, nga Serbia atyre u është bërë edhe presion psikologjik.

“Arsye për paraqitje të kërkesave për largim janë presionet nga Serbia që u bëhen familjarëve dhe atyre personalisht gjatë udhëtimeve atje për nevoje personale ose familjare. Ndalime në polici, marrje në pyetje. Letra kërcënuese. Disa familjeve u janë dëmtuar makinat, kanë hedhur mjete shpërthyese në disa oborre të shtëpive, etj.”, thuhet në përgjigjen dhënë Expressit.

Megjithëse, MFSK, kërkesat për largimit ë këtyre pjesëtareve nuk i konsideron politike.
“Ne si FSK kërkesat për largim i konsiderojmë si çështje personale dhe e drejtë e çdo të punësuari pavarësisht motivit. Inkuadrimi në FSK bëhet në bazë vullnetare dhe është marrëdhënie kontraktuale e jo politike”.

E nëse këta zyrtarë i kanë rënë pishman për largimin e tyre nga FSK’ja, atëherë ata vështirë se do të mundë të rikthehen.

“Ligji  dhe rregulloret e FSK-së  japin udhëzime  dhe kompetenca  të qarta autoriteteve  të FSK-së  që e kanë për obligim  procedimin e kërkesave në fjalë përmes bordeve të caktuara”, thonë zyrtarë të FSK’së.

Rreth këtyre dorëheqjeve ditë më parë ka reaguar edhe Qeveria e Kosovës si dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie duke shprehur shqetësimin e tij të thellë për “dorëheqjet e fundit të pjesëtarëve serbë të FSK-së”.

“Frikësimi nga jashtë i pjesëtarëve të FSK-së është i papranueshëm. Diversiteti i FSK-së është një model për vendin. Ai duhet të kremtohet, e jo të shkatërrohet”, ka shkruar Delaëie në Twitter.

Në anën tjetër, Marko Gjuriq, shef i Zyrës për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, ka thënë të premten për mediat serbe se shteti i Serbisë, duke u bazuar në ligje, po e kundërshton formimin e, siç e ka quajtur ai, “një ushtrie të huaj” në Kosovë. Reagimet nga Prishtina zyrtare, ai i ka cilësuar si reagime nervoze.

Presidenti Hashim Thaçi, ndërkaq ka thënë se këta pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës  që janë larguar nuk mund të kthehen më. Ai ka thënë ky veprim i tyre është individual dhe se nuk ka shaka.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme