Google ADS

Çfarë po ndodh me zbatimin e kodit +383?

08:24 | 7 Qershor 2018
Arbresh.info

Kosova është vonuar me zbatimin e kodit të saj telefonik +383. Shtyrja e zbatimit të këtij kodi deri më 31 tetor të këtij viti nuk do të ketë ndonjë pasojë, thonë përfaqësues të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).
Por, çdo vonesë eventuale pas muajit tetor, sipas paralajmërimeve, operatorëve të telefonisë Vala dhe Ipko do t’u kushtojë edhe me ndëshkime.

Zbatimi i plotë i kodit telefonik +383 ka qenë e paraparë të nisë më 30 qershor, por vendimi për shtyrje është marrë pas kërkesave të operatorëve të telefonisë mobile dhe fikse që veprojnë në tregun e Kosovës: Vala dhe Ipko.

Kreshnik Gashi, kryetar i Bordit të ARKEP-it tha për Radion Evropa e Lirë se Autoriteti Rregullativ i ka përfunduar të gjitha obligimet rregullative ligjore dhe se presin vetëm zbatimin teknik të operatorëve.

Sipas tij, një shtyrje disa mujore nuk krijon problem të mëdha, pasi që zbatimi i kodit për Kosovën bëhet një herë e përgjithmonë.

“Nuk ka ndonjë pasojë ligjore në lidhje me obligimet ndërkombëtare që ka Kosova, por është moskryerja ende me kohë e procesit të rrumbullakimit të identitetit shtetëror në fushën e telekomunikimeve dhe kjo ka ndodhur si rezultat i vetë kërkesës së operatorëve. Në një proces shumë kompleks që duhet të bëhen ndryshimet edhe të operatorëve tonë edhe të operatorëve në gjithë botën një shtyrje disa mujore, siç ka ndodhur tani, nuk është se krijon probleme të mëdha”, thotë Gashi.

Zbatimin e plotë të kodit +383, Telekomi i Kosovës, sipas ARKEP nuk kishte arritur ta zbatojë në afatin e paraparë për shkak të krizës financiare.

Telekomi i Kosovës dikur kompania më profitabile në vend, aktualisht po përballet me krizë financiare. Javë më parë anëtarët e Bordit të Telekomit kishin njoftuar kabinetin qeveritar të Kosovës se borxhi i akumuluar i Telekomit të Kosovës ka arritur në 60 milionë euro.

Sidoqoftë, përfaqësues të Telekomit të Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë se si operator mobil kanë kërkuar nga ARKEP një shtyrje të afatit me qellim të kalimit sa me cilësor në kodin shtetëror të Republikës së Kosovës.

Arsim Bilalli, zëdhënës në Telekomin e Kosovës thotë se do të angazhojnë të gjitha resurset vetanake për të gjetur një zgjidhje, qoftë edhe të improvizuar, për të përmbushur disa prej objektivave të planit të migrimit të ARKEP.

“Më së voni deri me datë 31 tetor 2018 duhet të përfundojë në tërësi implementimi i kodit E.164 +383 në rrjetin e telefonisë mobile dhe të ndërpriten kodet tjera. Nga kjo datë, kodi +383 duhet të jetë kodi i vetëm për origjinim dhe terminim të trafikut ndërkombëtar në Republikën e Kosovës. Telekomi i Kosovës është në fazën e përgatitjeve të fundit teknike për krijimin e kushteve për funksionalizimin e plotë të kodit të ri +383”, thotë Bilalli.

Ndërkaq, Kreshnik Gashi, kryetar i Bordit të ARKEP-it, ka bërë të ditur se shtyrja deri më 31 tetor është përfundimtare dhe se zgjatja e mëtutjeshme i këtij procesi do të nënkupton edhe ndëshkime apo ‘penallti’ për operatorët e telefonisë Vala dhe Ipko në rast se nuk e zbatojnë në afatin e përcaktuar nga ARKEP.

Aktualisht në Kosovë operojnë tre operatorë të telefonisë mobile dhe fikse, të cilët shfrytëzojnë kode të huaja ndërkombëtare.

Telefonia mobile “Vala” shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ajo e Ipko-s kodin e Sllovenisë (+386), kurse telefonia fikse shfrytëzon kodin e Serbisë (+381).

Arsim Bilalli bënë të ditur se kodi telefonik +383 tani më është funksionalizuar në disa aspekte. Sipas tij, numrat e operatorit Vala janë të arritshëm për thirrjet nga jashtë me +383 në vend të +381 ose +377.

Gjatë kësaj kohe, shton Bilalli, do të kryhen të gjitha testet e nevojshme teknike dhe do të nënshkruhen edhe kontrata Roaming me të gjithë operatorët ndërkombëtarë që aktualisht kanë marrëveshje Roaming përmes Monako Telekomit.

Kodi i ri telefonik, nënvizon Bilalli, do t’i mundësojë Telekomit të Kosovës kualitet më të mirë të shërbimeve dhe do të reflekton edhe në çmimin e shërbimeve për konsumatorët.

“Shfrytëzimi i kodeve te huaja telefonike, e sidomos kodi telefonisë mobile huazuar nga Monako Telekomi, deri tani për të gjitha vitet e operimit, Telekomit të Kosovës i ka kushtuar me miliona euro si taksa për menaxhimin e resurseve numerike, kosto për rrugëzimin e trafikut, asistenca të ndryshme teknike për roaming, sinjalizim, administrim. Gjithashtu gjatë gjithë këtyre viteve, Vala është ballafaquar me ndarje të imponuar të të hyrave nga biznesi ndërkombëtar, me partneret e saj të përfshirë ne këtë trafik, si pasojë e huazimit të kodeve telefonike”, thekson Bilalli.

Kodi shtetëror telefonik i Kosovës është ndarë në dhjetor të vitit të 2016 nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU). Ky kod ishte rezultat i bisedimeve në Bruksel, ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme