Çfarë po ndodh me 21 autobusët e tjerë të kryeqytetit?

07:44 | 19 Maj 2017
Arbresh.info

Komuna e Prishtinës pati krijuar polemika të ashpra vitin e kaluar me Qeverinë e Kosovës në lidhje me projektin për sjelljen e 51 autobusëve të rinj për kryeqytetin.

Projekti i sponsorizuar nga komuna e Prishtinës e i financuar nga një hua prej 10 milionë eurosh e marrë në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, arriti të finalizohej tek kah fundi i vitit, duke rezultuar me futjen në funksion të 30 autobusëve të parë, në ditën e Pavarësisë, më 17 shkurt 2017, shkruan arbresh.info.

Komuna e Prishtinës pati bërë të ditur se 21 autobusët e tjerë të prodhuar nga kompania çeke “Iveco Czech Republic” do të arrinin në Kosovë nga mesi i muajit prill mirëpo ky muaj ka kaluar dhe ata ende nuk kanë zbarkuar në kryeqytet.

Në një përgjigje me shkrim për Arbresh.info, zëdhënësja e komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu nuk ka dhënë ndonjë informatë se kur do të arrij pjesa e mbetur e autobusëve.

Ajo ka folur vetëm rreth Planit të Qëndrueshëm të Mobilitetit për hartimin e të cilit siç ka thënë, BERZH ka angazhuar edhe dy kompani me renome ndërkombëtare.

“Së këndejmi, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ka angazhuar edhe dy kompani me renome ndërkombëtare, “Mott MacDonald” dhe “Grant Thornton”, për hartimin e këtij plani. Përmes këtij plani, që pritet të përfundohet gjatë verës, sigurohet transport funksional publik afatgjatë në tërë territorin e Komunës së Prishtinës. Qëllimet kryesore të Planit, përveç rregullimit të transportit publik ku përfshihen linjat e reja dhe stacionet e reja, janë edhe shtigjet për çiklistë; hapësirat për këmbësorë; përmirësimi i sigurisë dhe ulja e mundësive të aksidenteve; kostoja e përballueshme e udhëtimit; e të ngjashme”, është shprehur Mullafazliu.

Ndërkohë 30 autobusët e parë që kanë hyrë në funksion në muajin shkurt i janë dhënë vetëm dy linjave, linjës 1 dhe 4 të trafikut urban.

E pyetur nga Arbresh.info se për cilat linja do të lëshohet pjesa tjetër e autobusëve dhe se a pritet të krijohen linja të reja në kryeqytet, Mullafazliu nuk ka dhënë informacione./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme