Çfarë përmban plani i ri i ‘pesëshes së madhe’?

15:56 | 25 Tetor 2023
L G

Një plan i ri, por pa u zbuluar detajet rreth përmbajtjes, u është dorëzuar përfaqësuesve në dialog të Kosovës dhe Serbisë mëngjesin e 21 tetorit nga emisarët e Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Analisti politik, Arton Demhasaj supozon se ky plan mund të përmbajë zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit.

Demhasaj në një prononcim për Arbresh.info ka thënë në planë mund të jetë krijimi i Asociacionit dhe mbajtja e zgjedhjeve në veri.

“Mendoj që më tepër është plan zbatimi i dy marrëveshjeve, marrëveshjes së Brukselit të 27 shkurtit dhe aneksit të Ohrit të 17 marsit. Pra është një planë thjeshtë i zbatimit dhe i ndarjes së obligimit për të dy palët edhe për Kosovën edhe për Serbinë. secila palë çfarë duhet të bëjë sa më shpejt. Mendoj se pak a shumë kjo është”, u shprehë ai.

Mes tjerash, Demhasaj tregoi se cilat mund të jenë kërkesat që BE dhe SHBA i kanë parashtruar për Serbinë dhe Kosovës përmes këtij plani të ri.

“Normalisht për Kosovën krijimi i asociacionit të komunave më shumicë serbe, themelimin e tij dhe njëkohësisht mbajtja e zgjedhjeve në veri është çështje është pjesë e këtij plani. Ndërsa në anën tjetër nga Serbia është fillimi i njohjes së dokumenteve që në një mënyrë po i bien në fakt njëfarë lloj njohje reciproke faktike e Kosovës”, deklaroi Demhasaj.

Ai pret në ditët në vijim të shohë lëvizjet e Qeveris në lidhje me këtë plan.

“Këto janë obligimet e të dy palëve që i kanë përcaktu. Me shumë gjasë nuk është vetëm kjo. Për Kosovën ka edhe një far lloj drafti të Asociacionit të komunave me shumicë serbe se si duhet të jetë ai draft. Tash mbetet me u pa se sa Qeveria jonë por edhe e Serbisë ka me lëvizë me këtë plan”, tha ai.

Që edhe në këtë draft i është kërkuar Qeverisë sërish themelimi i Asociacionit e thotë edhe analistja politike, Afërdita Maliqi.

Ajo për portalin Arbresh.info theksoi se Qeveria duhet të ketë një plan konkret se si duhet t’i qaset kësaj kërkese.

“Pas vizitës së pesë emisarëve, nuk është që ka pasur informata lidhur me planin që është dorëzuar nga asnjëra palë. Por, komuniteti ndërkombëtar u pa se ishte i qartë në kërkesën për themelimin e Asociacionit. Qeveria e Kosovës duhet të ketë plan konkret dhe propozim, se si do t’i qaset kësaj kërkese”, tha Maliqi.
Analisti tjetër politik, Artan Muhaxheri thotë se në pamundësi për të ecur me hapat e mëhershëm në dialog për shkak të situatës në veri, në planin e ri mund të jetë një ide që do ta dinamizojë dialogun.

“Edhe pse nuk ka transparencë sa i përket përmbajtjes së planit, mund të supozohet se ai plan përmban një ide të re që do ta dinamizojë dialogun pas ngjarjeve në veri. Është e pritshme që të mos ketë më hapësirë për ecurinë në stilin e deritashëm në procesin e dialogut, prandaj kërkohet një kreativitet dhe një ofertë konkrete si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë në mënyrë që të kenë palët të ulën në tavolinën e dialogut dhe ta vazhdojnë atë”, tha Muhaxhiri për Arbresh.info.
Tutje, ai vlerësoi se deri me tani ka pasur shumë kohë të humbur në dialog që, sipas tij, i ka larguar edhe më shumë Kosovën dhe Serbinë nga arritja e një marrëveshje finale.

Prandaj, ai theksoi se plani mund të jetë një ofertë kreative për palët, si një mundësi e vetme për ndryshim të rëndësishëm.

“Ajo ka të bëjë më një qasje më praktike sepse deri me tash ka humbur shumë kohë, prandaj edhe ka pasur shumë ngecje të cilat kanë ndikuar në humbjen e vlerësimit të palëve në dialog dhe në largimin edhe më të madh të Kosovës edhe Serbisë nga arritja e marrëveshjes finale. Ky hendek që është krijuar mund të zvogëlohet vetëm me anë të një oferte kreative dhe të dobishme për palët sepse kjo është mënyra e vetme që të kemi një ndryshim të rëndësishëm kualitativ”, tha Muhaxhiri

Ndryshe, hera e fundit kur Kurti dhe Vuçiq u ulën në tryezën e bisedimeve ishte data 14 shtatori, takim ky i cili përfundoi me tensione e akuza të rënda.
Bisedimet mes dy vendeve u ndërprenë pasi Kosova akuzoi Serbinë si përgjegjësja kryesore për përgatitjen orkestrimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, ku mbeti i vrarë heroi, Afrim Bunjaku.

Ndërkohë, një muaj pas sulmit terrorist serb në veri, përfaqësuesit e SHBA-së, Gjermanisë, Italisë, Francës, nën shoqërimin e përfaqësuesit të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, zbarkuan në Kosovë e Serbi me 21 tetor 2023.

Qëllimi i vizitës së kësaj pesëshe në Kosovë e Serbi ishte përpjeka për rikthim të dy vendeve në dialog, duke e dorëzuar edhe një planë të ri.

Të mërkurën gjatë ditës zyra për Media e Kryeministrisë ka bërë të ditur se takimi i kryeministrit Albin Kurti të enjten do jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7.

Sipas këtij njoftimi, Kurti ka shprehur dakordimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali.

“Kryeministri Kurti i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së 5 emisarëve për një takim me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Presidentes së Komisionit Evropian, në margjina të samitit të Këshillit Evropian. Takimi do jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7. Kryeministri Kurti ka shprehur dakordimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali, e cila do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrisë.

Ndërsa, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq takimin me pesëshen e madhe e ka cilësuar si më të vështirin në gjithë karrierën e tij politike./Arbresh.info/Ejona Hyseni/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme