Deri më tani, Beogradi zyrtar nuk ka reaguar ndaj lajmit se kundër Millan Radoiçiqit është lëshuar fletarrestim prej Agjencisë Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL), për shkak të sulmit të një grupi të armatosur, ndaj Policisë së Kosovës, në Banjskë të Zveçanit.
Lajmin për këtë fletarrestim e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë (REL), ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, duke thënë se fletarrestimi është lëshuar me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK).
INTERPOL-i nuk i konfirmoi në mënyrë specifike pretendimet për lëshimin e fletarrestimit.
Në përgjigjen e tyre për REL-in, ata thanë se pyetja duhet referuar tek “autoritetet kombëtare kompetente”.
As Ministria e Drejtësisë, dhe as Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it në lidhje me fletarrestimin, deri në kohën e publikimit të këtij artikulli.
Përgjigje nuk kanë ardhur as prej Qeverisë dhe Presidencës së Serbisë.
Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, e mbështetur nga Beogradi zyrtar, mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, në veri të Kosovës, më 24 shtator, ku është vrarë zyrtari policor i Kosovës, Afrim Bunjaku.
Në shkëmbim e sipër të zjarrit mes grupit dhe Policisë së Kosovës, janë vrarë edhe tre pjesëtarë të grupit të armatosur.
Autoritetet e Kosovës pretendojnë se pas sulmit në Banjskë qëndron edhe shteti i Serbisë, pretendim që e mohon Beogradi zyrtar.
Serbia nuk është e detyruar ta arrestojë dhe ekstradojë Millan Radoiçiqin, sepse fletarrestimi i INTERPOL-it është një njoftim për vendet anëtare të asaj organizate ndërkombëtare policore, se një shtet tjetër po kërkon një person, shpjegon për REL-in, Bojan Ellek nga Qendra joqeveritare e Beogradit për Politika të Sigurisë.
Siç thotë ai, fletarrestimi, para së gjithash, mund ta pengojë Radoiçiqin të udhëtojë jashtë Serbisë, kryesisht në vendet që kanë marrëdhënie të mira dypalëshe me Kosovën, pasi ato mund të veprojnë sipas fletarrestimit dhe ta arrestojnë atë.
“Fletarrestimi i INTERPOL-it zbatohet, sepse vendet anëtare veprojnë sipas legjislacionit të brendshëm, dhe sipas legjislacionit të brendshëm, Serbia nuk e njeh Kosovën dhe nuk ka marrëveshje ekstradimi”, thotë Ellek.
Ai, po ashtu, thekson se Serbia me siguri nuk do të veprojë sipas fletarrestimit, pasi që edhe institucionet në Beograd janë duke zhvilluar procedurë kundër Radoiçiqit.
“Potencialisht mund të jetë problem nëse Serbia nuk e udhëheq atë hetim si duhet dhe nëse nuk komunikon në mënyrë aktive, pasi ka rekomandime nga Bashkimi Evropian, madje edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, kur erdhi në Beograd, insistoi që Serbia të zbatojë hetim adekuat për Banjskën”, thotë Ellek.
Autoritetet kompetente të Serbisë e ndaluan Radoiçiqin, më 3 tetor, në Beograd me akuzën e “bashkimit me qëllim të kryerjes së veprave kriminale, prodhimit, posedimit, mbajtjes dhe trafikimit të armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese, dhe krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.
Mirëpo, një ditë më vonë, ai u lirua, me kusht që të mos largohej nga Serbia, dhe iu ndalua të shkonte në Kosovë.
Ditët pas sulmit, Policia e Kosovës gjeti një arsenal të madh armësh në Banjskë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë për revistën javore NIN, të botuar më 7 dhjetor, ka përsëritur se Radoiçiq “do të përballet me procedura serioze në Serbi”.
Sipas Bojan Ellekut, nuk është realiste të pritet që publiku në Serbi të mësojë më shumë informacione rreth procedurës kundër Radoiçiqit, nga Prokuroria e Lartë Publike në Beograd.
“Më duket se kjo procedurë ka për qëllim, para së gjithash, mohimin apo dëshmimin se institucionet serbe nuk kanë qenë të përfshira në atë incident dhe se në fakt nuk ka dëshirë apo synim të hetojë të gjitha detajet apo ta ndjekë seriozisht Radoiçiqin”, beson Ellek.
Procedura e ekstradimit në Serbi është e rregulluar me Ligjin për Ndihmën Juridike Ndërkombëtare në Çështjet Penale.
Në nenin 18, thuhet se me marrjen e kërkesës për ekstradim, Ministria e Drejtësisë ia dorëzon kërkesën gjykatës “në territorin e së cilës banon, ose gjendet personi që kërkohet të ekstradohet”.
Gjyqtari hetues lëshon urdhër për sjelljen e personit para gjykatës, dhe urdhri ekzekutohet nga policia.
Me të mbërritur në gjykatë, gjyqtari hetues përcakton nëse ka parakushte për ekstradim.
Vendimi përfundimtar merret nga një trup gjykues prej tre gjyqtarësh.
Në përgjigjen e saj për Radion Evropa e Lirë, nga kjo agjenci sqaruan se, me kërkesë të vendeve anëtare, dhe pas verifikimit të pajtueshmërisë, ata lëshojnë të ashtuquajtura “njoftime të kuqe”.
“Njoftimi i kuq” i alarmon policitë në gjithë botën për të arratisurit që kërkohen ndërkombëtarisht dhe ndihmon në sjelljen e tyre para drejtësisë.
Megjithatë, është në kompetencën e vendeve anëtare të INTERPOL-it për të vendosur nëse do të arrestojnë një person ose jo.
Bojan Ellek vlerëson se fletarrestimi ndaj Milan Radoiçiqit ka konotacion politik.
“Pesha shtesë e saj është se Kosova nuk është anëtare e INTERPOL-it, por ka dashur të bëhet, kështu që edhe pranimi i këtij mandati përmes UNMIK-ut është mesazh. Po ashtu supozoj se ka marrë mbështetje politike nga vendet perëndimore dhe supozoj se Kosova e ka bërë në konsultim me disa nga partnerët e saj nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara”, thotë Ellek.
Serbia pengon anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë INTERPOL-in.
Në një deklaratë për REL-in, UNMIK-u tha vetëm se “i përpunon të gjitha kërkesat e pranuara nga autoritetet e Kosovës për lëshimin e njoftimeve ndërkombëtare për të kërkuarit dhe ia komunikon ato INTERPOL-it për shqyrtim, në përputhje me procedurat e INTERPOL-it”.
Ligji për ndihmën juridike ndërkombëtare përcakton se ekstradimi i të pandehurit, apo personit të dënuar në një shtet të huaj, lejohet “me qëllim të zhvillimit të procedurës penale për veprën penale për të cilën, sipas ligjit të Republikës së Serbisë, dhe ligjit të vendit që kërkon ekstradimin, mund të shqiptohet një dënim me burgim, prej një viti ose një dënim më i rëndë”.
Ekstradimi lejohet edhe “për ekzekutimin e një sanksioni penal të vendosur nga gjykata e vendit kërkues, për një vepër penale për një kohëzgjatje të paktën katër muaj”.
Neni 16 thotë se parakushtet për ekstradim janë që “personi i ekstraduar, i cili kërkohet, të mos jetë shtetas i Republikës së Serbisë”, dhe se vepra për të cilën kërkohet ekstradimi “nuk është kryer në territorin e Republikës së Serbisë, kundër saj apo qytetarit të saj”.
Gjithashtu, kusht për ekstradim është që, ndaj të njëjtit person në Serbi të mos zhvillohet procedurë penale për veprën penale për të cilën kërkohet ekstradimi.
Nuk dihet se ku ndodhet për momentin Radoiçiq, por presidenti serb Aleksandar Vuçiq, tha pas sulmit se ai ndodhet në “territorin e Serbisë qendrore”.
Ikja në Serbi, për të mos qenë në dispozicion të autoriteteve të Kosovës, ishte modeli i sjelljes së Radoiçiqit, kur Prishtina zyrtare, më parë, kishte lëshuar urdhërarrestim për të, sepse ai ishte i lidhur me aktivitete kriminale.
Në të kaluarën, Policia e Kosovës ka tentuar ta arrestojë Radoiçiqin dy herë, në bazë të dy fletarrestimeve të ndryshme.
Hera e parë ishte në nëntor 2018, sepse Radoiçiq dyshohej për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviqit.
Atëherë u arrestuan disa persona, por Radoiçiq nuk ishte në banesën e tij.
Më pas, vetë Radoiçiq iu drejtua publikut me një deklaratë, duke thënë se “ai nuk ka lidhje me vrasjen e Ivanoviqit”.
Ai, po ashtu, ka thënë se “nuk do të dorëzohet në Policinë e Kosovës”.
Ndërkohë, Prokuroria e Kosovës kishte lëshuar një urdhër për Radoiçiqin në vitin 2019, por ai ishte tërhequr në vitin 2021, pa asnjë shpjegim.
Në fillim të shkurtit 2022, Milan Radoiçiq arriti të shmangë arrestimin për herë të dytë, duke u arratisur nga pika kufitare Bërnjak, në veri të Kosovës.
Më pas, për Radoiçiqin është lëshuar sërish fletarrestim, i cili është ende në fuqi.
Departamenti amerikan i Thesarit e futi në listën e zezë në dhjetor 2021, për shkak të dyshimeve për krim të organizuar.
Me Marrëveshjen e Kumanovës në vitin 1999, e cila i dha fund luftës në Kosovë, Serbia tërhoqi ushtrinë, policinë dhe një pjesë të administratës.
Kur Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008, u krijuan organet shtetërore – pasardhëse të ish-institucioneve të përkohshme, që funksiononin nën mbikëqyrjen e bashkësisë ndërkombëtare.
Mirëpo, bashkëpunimi juridik ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, nuk u vendos asnjëherë.
Ndër të tjera, EULEX-i – misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë – është përgjegjës për bashkëpunimin mes dy vendeve.
Në ueb faqen e tyre, në përshkrimin e mandatit të këtij misioni, ndër të tjera thuhet se “EULEX-i mbështet Policinë e Kosovës në fushën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar, duke lehtësuar shkëmbimin e informacioneve ndërmjet Policisë së Kosovës dhe INTERPOL-it, EUROPOL-it, dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë”.
Çfarë nuk i pëlqeu Gjestit te Xheneta gjatë darkës?
Hapet tregu i gjelave të detit në Baldushk, Veliaj: Konsumon...
Pacolli uron festat e fundvitit: Gëzim dhe harmoni për të gj...
Murati: Do të përkrahim punëtorët e sektorit privat
Helikopteri godet ndërtesën e spitalit në Turqi, konfirmohen...
“Nuk ia ndjen hiç për mua”, Gjesti i acaruar me Xhenetën, te...