Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka shpalosur dje planin qeverisës për vitet 2021-2025. Ky program ka marrë miratimin e shumicës së ministrave, derisa ka abstenuar ministri për Kthim, Goran Rakiq. Por, çfarë parashihet në Programin e Qeverisë Kurti?
Sipas komunikatës së ZKM’së, Qeveria do ta ketë prioritet menaxhimin e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19 dhe lehtësimin e pasojave ekonomike dhe sociale të shkaktuara nga pandemia.
Një prej pikave të programit Qeverisës ka qenë edhe përgatitja e padisë për Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, derisa janë përmendur edhe disa pika të tjera.
“Po paraqes disa prej zotimeve në vijim dhe përmbajtjes kryesore të programit tonë – Do të ndërmarim Vetting në drejtësi e prokurori dhe pozitat e larta në polici dhe inteligjencë. Nuk do të ketë asnjë qytetar në varfëri ekstreme, sepse do të reformojë skemat sociale dhe do të aktivizojmë fuqinë punëtore. Do të rishikojmë skemat e asistencës dhe do të reformojmë sistemin pensional. Do të sigurojmë shtesat për fëmijët, punësim të garantuar sezonal për një anëtar të familjes dhe rimbursim për familjet e varfra”, ka thënë Kurti.
Në program përmendet edhe aplikimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian, vettingu në drejtësi prokurori, rishikimi i skemave sociale, rritja e pagës minimale, reformat në administratën publke dhe arsim, si dhe krijimi i Bankës Zhvillimore dhe Fondit Sovran./Gazeta Express
Më poshtë mund t’i gjeni disa prej premtimeve të Qeverisë për këto katër vite:
Programi i Qeverisë pasqyron, orientimet e përgjithshme të Qeverisë, sa i përket agjendës së integrimit evropian dhe politikës së jashtme. Ne do të aplikojmë me kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Qeveria synon të fokusohet në dy prioritete më urgjente:
Menaxhimi i pandemisë është duke u bërë në shumë fronte, megjithatë me prioritet për Qeverinë tonë mbetet sigurimi sa më i shpejtë i vaksinave. Jemi duke punuar dhe tashmë janë konfirmuar një numër solid i tyre. Shumë shpejt do të sigurojmë edhe doza të tjera të vaksinave, në mënyrë që deri në fund të vitit të sigurojmë imunizimin e 60% të popullatës.
Rikthimi i ekonomisë në gjendje normale është sfida tjetër me të cilën po përballemi. Masat që do të ndërmarrim do të mbështesin personat që kanë humbur vendet e punës, të punësuarit për herë të parë dhe bizneset.
Daljen nga pandemia e shohim si mundësi për të ri-orientuar ekonominë drejt prodhimit e eksportit, drejt rritjes së punësimit të dinjitetshëm për të gjithë, si dhe drejt një zhvillimi të qëndrueshëm që mbron ambientin edhe për gjeneratat e ardhshme.
Zotimet tona për krijimin e Bankës Zhvillimore dhe Fondit Sovran, do t’i realizojmë deri në fund të mandatit, kurse vitin e ardhshëm do të shuhet Agjencia Kosovare e Privatizimit, i cili e dimë se është viti i parë i Qeverisë sonë, me buxhetim sipas programit tonë.
Po ashtu, Programi i Qeverisë pasqyron, orientimet e përgjithshme të Qeverisë, sa i përket agjendës së integrimit evropian dhe politikës së jashtme. Ne do të aplikojmë me kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Si prioritet kryesor yni për shtetin e së drejtës dhe sundimin e ligjit, është luftimi i krimit dhe korrupsionit, transformimi ekonomik dhe social i vendit nëpërmjet një qeverisje që synon përfshirjen sociale dhe mundësitë e barabarta për të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët i kanë dhënë mbështetjen maksimale orientimit tonë që vë në krye të qeverisjes sonë: drejtësinë dhe punësimin.
Po paraqes disa prej premtimeve dhe përmbajtjes kryesore të Programit tonë:
– Do të ndërmarrim vetting në drejtësi e prokurori dhe pozitat e larta në polici dhe inteligjencë.
– Nuk do të ketë asnjë qytetar në varfëri ekstreme, sepse do të reformojmë skemat sociale dhe do të aktivizojmë fuqinë punëtore.
– Do të rishikojmë skemat e asistencës dhe do të reformojmë sistemin pensional.
– Do të sigurojmë shtesa për fëmijët, punësim të garantuar sezonal për një anëtar të familjes dhe rimbursim për familjet e varfëra.
– Do të ndërtojmë 160 çerdhe të reja për fëmijë anembanë Kosovës.
– Do të mundësojmë banim të përballueshëm social për 4 mijë familje me skemat 120×120 dhe 150×150.
– Përmes rritjes së pagës minimale në 250 euro për 40 orë pune në javë dhe ngritjes së pragut të pagës, që nuk tatohet në nivelin e pagës minimale, do të sigurohemi që ata që kanë paga më të ulëta, të kenë më shumë para në xhep në fund të muajit.
– Do ta përmbyllim zhvillimin e sistemit informativ shëndetësor dhe do të fillojmë rritjen e fondit të sigurimeve shëndetësore.
– Deri në fund të mandatit do ta përmbyllim reformën e administratës publike.
– Do të zbatojmë diversifikimin e burimeve të energjisë, asetet strategjike do t’i mbështesim, ndërsa “Trepçën” do ta bëjmë ndërmarrje fitimprurëse.
-Do t’i trajtojmë me prioritet mbrojtjen e resurseve natyrore dhe të mjedisit, si edhe efiçiencën e energjisë.
-Deri në fund të mandatit do të angazhohemi për qasje në ujë të pijshëm gjithandej. Po ashtu, të zgjidhet problemi me ujëra të zeza në Kosovë.
– Në infrastrukturë do të mundësojmë finalizimin e lidhjeve kyçe, dhe ndërtimin e aksit Prizren-Tetovë.
– Do ta ndërtojmë Parkun Tekno-Industrial më të madhin në rajon.
– Reforma e arsimit do të trajtohet me prioritet, nga arsimi parashkollor, duke synuar që deri në fund të mandatit të fillojë zbatimit i sistemit dual të edukimit;
– Zhvillimi bujqësor i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës, duke mbështetur fermerët, do të jetë prioritet me qëllim të rritjes së produktivitetit dhe zhvillimit rural. Do ta transformojmë rrënjësisht sektorin duke eliminuar keqpërdorimet dhe duke ndërtuar ekonomi të qëndrueshme dhe siguri në ushqim.
– Pjesë integrale e planit tonë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik janë edhe mërgata jonë. Përmes krijimit të instrumenteve për investim, do të sigurohemi që kapitali i mërgatës sonë do të kanalizohet në investime që krijojnë vende pune. Prandaj duke filluar nga ky vit, do të emetohen bono thesari të dedikuara vetëm për mërgatën.
– Siguria dhe shëndeti në punë, do të trajtohet me prioritet – deri në fund të mandatit do të ketë pesëfishim të inspektorëve të punës.
– Do t’u mundësojmë autonomi për investime kapitale komunave nëpërmjet Grantit të Katërt, ku do të vendosen kriteret profesionale të cilat i mundësojnë komunave të konkurrojnë me idetë dhe projektet e tyre për zhvillim të gjithanshëm.
– Do të aplikojmë dhe do të anëtarësohemi në Kartën e Adriatikut.
– Do të bëjmë dialog parimor, të përgatitur e të barabartë me Serbinë me marrëveshje të njohjes së ndërsjellë.
– Do të afrohemi dhe bashkëpunojmë ngushtë me Shqipërinë.
– Do ta përgatisim padinë për gjenocid ndaj Serbisë në GJND.
– Do të jemi të aftë për mbrojtje e sovranitetit dhe integritetit territorial, si dhe do të bëjmë mbikëqyrje demokratike e civile e FSK-së.
– Do të punojmë me përgjegjësi institucionale, llogaridhënie të vazhdueshme, kompetencë profesionale, ndershmëri qytetare, transparencë radikale, disiplinë organizative, si disa nga vlerat e qeverisjes sonë.
– Do të zhvillojmë prioritetet për zhvillim gjithëpërfshirës nëpërmjet Strategjisë Kombëtare për Zhvillim, e cila pritet të miratohet deri në fund të vitit dhe do të përfshijë adresimin e sfidave në të gjithë sektorët e politikave publike.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...