Google ADS

Çfarë mishi hanë kosovarët?

14:24 | 18 Dhjetor 2019
Arbresh.info

Isuf Statovci është fermer nga fshati Rufc i ri i Lipjanit. Ai ka rreth 40 krerë lopë, dhi dhe dele.

Përpos për prodhimin e produkteve nga qumështi, Isufi rrit bagëti edhe për shitje të mishit.

Por, viteve të fundit, Isufi thotë se fermerëve si ai u ka rënë dukshëm shitja, si pasojë e çmimit të ulët dhe sasisë së madhe të mishit që importohet.

“Problemi është te blerësi, sepse blerësi po shikon (të blejë) lirë, do të thotë aty është problemi. Sa të duash i thua (konsumatorit) ‘BIO’, se natyral është, i kullosës viçi, d.m.th. në fushë është, siç po e shihni vetë edhe ju. Cilësia e mirë me cilësinë e dobët njëjtë shikohen, do të thotë si cilësia e mirë, si ajo e keqe, i njëjti çmim. Nuk është sikur ky vendor dhe sikur ai i importit, nuk është. Ky është natyral”, thotë Statovci.

Krahas kërkesës që ka në treg, Kosova prodhon sasi të vogël të mishit dhe produkteve të tij.

Sasia më e madhe e mishit importohet nga vende të ndryshme të botës.

Në vit, Kosova importon më shumë se 45 milionë tonë mish, sasia më e madhe e të cilit është mish gjedhi, lloje të ndryshme të mishit të pulës dhe të derrit.

Mishi i importuar kalon nëpër kontrolle të shumta derisa arrin te konsumatori.

Sasia më e madhe e mishit importohet nga shteti i Brazilit, gjithsej 18 milionë kilogramë mish.

Në vend të dytë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prej nga Kosova importon rreth 7 milionë e gjysmë kilogramë mish, ndërsa nga Mbretëria e Bashkuar Kosova importon rreth 4 milionë e gjysmë kilogramë mish.

Nga Polonia importohen më shumë se 3 milionë kilogramë, ndërsa nga Gjermania pak më shumë se 2 milionë kilogramë mish.

Gazmend Brestovci që është inspektor veterinar, thotë se çdo sasi që importohet në Kosovë, në rast se ka dyshime për cilësinë, ai mish po produkt asgjësohet.

“Detyra jonë është kjo, për të qenë një mall më i sigurt dhe për këtë, ne, çdo ngarkesë e kontrollojmë, duke filluar nga dokumentacioni, identiteti dhe kontrollet fizike, së fundi edhe analiza laboratorike, gjithherë që të kemi siguri, malli të jetë i sigurt”, thotë Brestovci.

Përkundër kontrolleve të shumta që bëhen nga institucionet, gjatë vitit në tregun e Kosovës vazhdimisht janë identifikuar produkte dhe mish i prishur.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi thotë se vetëm këtë vit janë asgjësuar rreth 120 tonë mish i prishur dhe produkte me origjinë shtazore.

“Brenda këtij viti ne kemi afërsisht 120 tonë produkte të asgjësuara me origjinë shtazore, ku përfshihet mishi dhe produktet e mishit dhe qumështi dhe produktet e qumështit. Arsyet e asgjësimit janë të ndryshme, kur hasën gjatë kontrolleve zyrtare nga ana e inspektorëve veterinarë, kemi raste kur kemi ankesë nga ana e konsumatorëve apo çfarëdo pale që neve na paraqet ndonjë dyshim të bazuar dhe paraqet fakte. Ne menjëherë i marrim masat dhe intervenojmë në rast”, tha Thaçi në një bisedë për Radio Evropa e Lirë.

Qytetarët nuk ndihen shumë të sigurt sa u takon produkteve të mishit si dhe frikësohen për cilësinë që ka mishi që shitet nëpër dyqane të ndryshme.

Nafie Salihu nga Prishtina thotë se është tmerruar nga lajmet për sasinë e madhe të mishit që asgjësohet për shkak të prishjes së tij.

“Shumë frikësohemi, shumë. Kurrë nuk blejmë, vetëm prej Kosovës kam dëshirë, sërish ndryshe sado-kudo e njohim vendin tonë. Më shumë këto mishrat e Kosovës i përdorim”, tha Salihu.

Njëjtë si Nafija edhe Nexhmije Krasniqi thotë se ka të vështirë që tu besojë dyqaneve që shesin mish dhe produkte të mishit.

Nexhmija thotë se më së shumti frikësohet që t’i blejë mishrat e importit.

“Aspak nuk ndihem e sigurt, sepse në Kosovë vijnë mishrat nga gjithkah, rrjedhin prej gjithkah”, thotë Krasniqi.

Sektori i prodhimit dhe përpunimit të mishit në Kosovë ka shënuar rritje viteve të fundit por pavarësisht kësaj ky sektor nuk arrin që të përmbushë kërkesën në treg.

Prej vitesh, Ministria e Bujqësisë në Kosovë aplikon skema të subvencionimit për fermerë që merren me rritjen e gjedheve dhe prodhimin e produkteve bujqësore.

Këto skema janë kritikuar nga fermerët vazhdimisht për shkak se siç thonë ata, subvencionet janë të ulëta dhe nuk iu sigurojnë atyre qëndrueshmëri si dhe rritje të prodhimit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme