Google ADS

Çfarë fitoi e çfarë humbi Kosova nga “Drama” me targat?

08:59 | 25 Nëntor 2022
L G

Të mërkurën rreth mesnate, kryediplomati evropian, Josep Borell, ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për masat që ndihmojnë në shmangie të tensioneve dhe për koncentrim të plotë në propozimin për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Të shumta kanë qenë reagimet lidhur me këtë marrëveshje, si jashtë vendit ashtu edhe brenda, raporton arbresh.info.

Përkrahës të Vetëvendosjes dhe Qeverisë Kurti e quajtën fitore, e disa të tjerë e cilësuan si dorëzim para presionit të Bashkimit Evropian.

Në marrëveshjen e arritur të mërkurën, thuhet se Serbia do të ndalojë së lëshuari targa me akronime të Kosovës dhe Kosova nuk do të vazhdojë aksionin lidhur me ri-regjistrimin e automjeteve.

E gjithë kjo po shihet si zmbrapsje e Kurtit përballë presionit ndërkombëtar.

Njohësit e çështjeve politike në vend thonë se Kosova nuk ka arritur asnjë fitore dhe se nga kjo marrëveshje ka fituar veç shteti serb. Ndërsa, shteti i Kosovës nga insistimi për targa përfitoi vetëm destabilitet të brendshëm, humbje besimi te partnerët ndërkombëtar si dhe dëmtim të buxhetit minimum gjysmë milion euro.

Sheholli: Amerika, edhe kësaj radhe e nxori nga “lloçi” Albin Kurtin

Analisti politik, Fatmir Sheholli thotë se Kosova nuk ka fituar asgjë nga i gjithë insistimi që është bërë për targat, dhe se targat ilegale mbetën në veri.

“Kosova nuk ka fituar asgjë nga insistimi për targat. Targat ilegale mbetën në veri. Kjo aventurë e rrezikshme e Albin Kurtit që përfundoi me rrënimin e institucioneve të shtetit tonë në veri, është e arritura e Qeverisë së Kosovës”, thotë ai për arbresh.info.

 

Sheholli, pohon se kërkesë tjetër e serbëve do të jetë Asociacioni i komunave me shumicë serbe, ose kthimi i serbëve në institucione.

“ Veriu mbetet sfidë, sepse serbët janë jashtë institucioneve dhe tash në radhë është kërkesa tjetër ” o do formohet asociacioni i komunave me shumicë serbe o nuk kthehemi në institucione”, kështu tash e tutje serbët do të bëjnë kërkesa”, ka shtuar tutje Sheholli.

Ai mendon se kryeministri gjendet në një rrugë pa kthim dhe shpëtimtari i vetëm për nxjerrjen e tij nga kjo gjendje është Amerika.

“Kurti e ka futur veten dhe shtetin në rrugë pa kthim. I vetmi shpëtim i Kosovës është Amerika, e cila edhe kësaj radhe e nxori nga “lloçi” Albin Kurtin”, ka përfunduar Sheholli.

Kabashi: Insistimi për targa i solli Kosovës destabilitet të brendshëm, humbje besimi te partnerët ndërkombëtar dhe dëmtim buxheti rreth gjysmë milion euro.

Gazetari dhe analisti politik, Bekim Kabashi, thotë se Kosova nga ky insistim për targat ka marr humbje besimi te partnerët ndërkombëtar, dhe dëmtim të buxhetit.

“Nga insistimi për targat Kosova mori destabilitet të brendshëm, humbje besimi te partneret ndërkombëtar, dëmtim i buxhetit minimum gjysme milioni euro për organizim te zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri dhe humbje e një muaj kohe”, pohon ai.

Gjithë insistimin e Kurtit për çështjen e targave, Kabashi e sheh si të panevojshëm, ndërsa thotë se duhej të pranohej që në fillim kur u propozua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

“Ishte fare e panevojshme që të shkaktohej i gjithë ky tension e këto dëme e të kthehemi sërish në piken e cila që në fillim ishte propozuar nga SHBA”, shprehet Kabashi.

Sipas tij, gjithë kjo ishte një “dramë” e qeverisë Kurti, që bëhej me kalkulime të politikës së brendshme.

“Por, duket se kësaj qeverie i interesonte që fillimisht të bënë drama me kalkulime të politikes së brendshme, që në vend të krijohej përshtypja se lëshimet që do të behën në proces të dialogut të dukeshin të pashmangshme dhe të justifikueshme”, tha Kabashi për arbresh.info.

Ndryshe, të mërkurën kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq – nën ndërmjetësim të të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak u takuan në Bruksel për të diskutuar zgjidhjen për çështjen e targave ilegale serbe.

Gjatë këtij takimi u arrit dakordim përmes së cilit Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me ri regjistrimin e automjeteve.

Me marrëveshjen e arritur mbeten në qarkullim tabelat KM (Mitrovicë e Kosovës), të cilat, do të mund t’i përdorin serbët në veri të Kosovës dhe nuk do të gjobiten për diçka të tillë. /arbresh.info/Kujtesë Berisha/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme