Në mbledhjen e mbyllur, të mbajtur të enjten në Këshillin e Bashkimit Evropian, është propozuar që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.
Ky propozim besohet se është bërë nga zyrtarët francezë, dhe është mbështetur prej të paktën katër shteteve tjera: Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.
Çfarë është sistemi ETIAS?
ETIAS do të jetë një sistem i automatizuar IT i krijuar për të identifikuar çdo risk që lidhet me një vizitor të përjashtuar nga viza që udhëton në Zonën Schengen. Gjithë shtetasit e vendeve të treta të përjashtuar nga viza, që planifikojnë të udhëtojnë në zonën Schengen,do të duhet të aplikojnë për autorizim udhëtimi përmes sistemit para udhëtimit të tyre. Informacioni i mbledhur përmes sistemit, në respekt të plotë me të drejtat themelore dhe mbrojtjen e të dhënave do të mundësojë verifikim të avancuar të risqeve potenciale për sigurinë apo migrimin e parregullt.
Autorizimi ETIAS nuk është vizë. Shtetasit e vendeve me liberalizim të vizave sërish do të mund të udhëtojnë pa viza, por do t’u kërkohet, si kusht i detyrueshëm për hyrje në zonën Schengen,që të marrin një autorizim para udhëtimit të tyre. Me qëllim që të vendoset nëse do të jepet apo refuzohet një kërkesë për të udhëtuar në BE, sistemi do të kryejë kontrolle të mëparshme dhe do të japë apo refuzojë autorizimin e udhëtimit.
Ndonëse vendimi përfundimtar për të lejuar apo refuzuar një hyrje do të merret gjithnjë nga rojat kombëtare të kufirit që kryejnë kontrollet kufitare në kuadrin e Kodit të Kufijve Schengen, verifikimet paraprake të udhëtarëve të vendeve të treta të përjashtuar nga vizat do t’i lehtësojnë kontrollet kufitare dhe do të sigurojnë një vlerësim të koordinuar dhe të harmonizuar të riskut të shtetasve të vendeve të treta, si dhe do të reduktojnë shumë numrin e refuzimeve të hyrjes në pikat e kalimit të kufirit.
Çfarë duhet të bëjnë udhëtarët e përjashtuar nga vizat para udhëtimit?
Udhëtarët do të duhet të bëjnë një aplikim online përmes një uebsajti të dedikuar apo një aplikim për pajisje të lëvizshme. Plotësimi i aplikimit nuk duhet të marrë më shumë se 10 minuta dhe nuk duhet të kërkojë asnjë dokument përtej një dokumenti udhëtimi (një pasaportë apo dokument tjetër ekuivalent). Në rast paaftësie për të bërë një aplikim (për shkak të moshës, nivelit të shkrimit dhe këndimit, qasjes në teknologjinë informative dhe kompetencave, etj.) aplikimet mund të paraqiten nga një person i tretë. Një pagesë elektronike prej 5 € për çdo aplikim do të kërkohet për gjithë aplikuesit mbi moshën 18 vjeç.
Ky proces (dhe pagesa) do të duhet të rinovohen vetëm në fund të vlefshmërisë së autorizimit të udhëtimit. Metodat e pagesës elektronike do të marrin parasysh zhvillimet teknologjike dhe disponueshmërinë e tyre në vendet pa viza, me qëllim që të mos pengohen shtetasit e vendeve të treta pa viza që mund të mos kenë qasje në disa mënyra pagesash kur aplikojnë për një autorizim ETIAS. Procesi i automatizuar i vlerësimit do të nisë pasi të konfirmohet mbledhja e tarifave.
Shumicës së aplikuesve (që pritet të jetë më shumë se 95% e gjithë rasteve) do t’u jepet miratimi i automatizuar (kur nuk ka rezultate në bazat e kërkuara të të dhënave, në listën e dedikuar ETIAS apo kundrejt rregullave të verifikuara të përcaktuara qartë) që do t’u komunikohet disa minuta pas pagesës. Nëse ka një rezultat apo ndonjë rezultat të pavendosur të procesit të automatizuar, do të kryhet trajtimi manual i aplikimit nga Njësia Qendrore e Rojës Evropiane Kufitare dhe Bregdetare apo nga një ekip i një Shteti Anëtar.
Kjo mund ta zgjasë kohën e përgjigjes ndaj shtetasit të vendit të tretë të përjashtuar nga viza deri në 72 orë. Në rrethana shumë të veçanta mund të kërkohet informacion dhe hapa të mëtejshme nga aplikantët, por në të gjitha rastet një vendim përfundimtar do të merret brenda dy javëve nga aplikimi i tyre. Nga përafërsisht 5% e aplikimeve që prodhojnë një apo disa rezultate, pritet që 3-4% të marrin një vendim pozitiv pasi Njësia Qendrore ETIAS të verifikojë të dhënat, ndërsa pjesa e mbetur prej 1-2% do të transferohet në Njësitë Kombëtare ETIAS për përpunim manual. Pas vendimit aplikuesve do t’u jepet një përgjigje me email me një autorizim udhëtimi të vlefshëm apo një justifikim për refuzimin.
Funksionet kyçe të ETIAS
-Verifikojë informacionin e paraqitur nga shtetasit e vendeve të treta të përjashtuar nga vizat (si informacion lidhur me identitetin, dokumentin e udhëtimit, informacionin mbi rezidencën, detaje kontakti, etj.), përmes një aplikimi online para udhëtimit të tyre në kufijtë e jashtëm të BE-së, për të vlerësuar nëse paraqesin risk për migrim të parregullt, për sigurinë apo shëndetin publik;
-Përpunojnë automatikisht çdo aplikim të paraqitur përmes një uebsajti apo një aplikim me celular kundrejt sistemeve të tjerë të informacionit të BE-së dhe rregulla kontrolli të shenjëstruara, proporcionale dhe të përcaktuara qartë për të vendosur nëse ka tregues faktikë apo baza të arsyeshme për të lëshuar apo refuzuar një autorizim udhëtimi;
-Lëshojnë autorizime udhëtimi. Në rastet kur nuk identifikohen të dhë- na apo elementë që kërkojnë analizë të mëtejshme, autorizimi i udhëtimit lëshohet automatikisht disa minuta pas paraqitjes së aplikimit.
Ndryshimi mes një vize Schengen dhe një autorizimi për udhëtim ETIAS
Para së gjithash, ETIAS nuk është vizë. Një udhëtar pa vizë sigurisht që nuk ka nevojë për vizë për të hyrë në zonën Schengen. ETIAS nuk do ta ndryshojë këtë. ETIAS është një sistem më i lehtë, shumë më i lirë, më i shpejtë dhe më miqësor me vizitorët që në më shumë se 95% të rasteve do të rezultojë me një përgjigje pozitive brenda pak minutave. Nuk mund të krahasohet me një vizë Schengen. ETIASështë një hap procedural i nevojshëm dhe i vogël për gjithë udhëtarët e përjashtuar nga vizat, që do t’u mundësojë atyre të shmangin burokracinë dhe vonesat kur paraqiten në kufij.
Prandaj ETIAS jo vetëm që do të respektojë plotësisht statusin pa viza, por edhe do të lehtësojë kalimin e kufirit të jashtëm Schengen për qytetarët e vendeve të treta të përjashtuar nga vizat dhe do t’u mundësojë vizitorëve pa viza të gëzojnë plotësisht statusin e tyre. Një autorizim udhëtimi ETIAS nuk nënkupton kërkesat e një vize. Nuk ka nevojë të shkohet në konsullatë për të bërë një aplikim, nuk kërkohet regjistrim biometrik dhe mblidhet dhe vlerësohet shumë më pak informacion sesa gjatë një procedure aplikimi për vizë. Ndërsa, si rregull i përgjithshëm, një procedurë për vizë Schengen mund të kërkojë deri në 15 ditë dhe në disa raste mund të zgjatet deri në 30 apo 60 ditë, aplikimi online ETIAS kërkon vetëm pak minuta për t’u plotësuar.
Vlefshmëria do të jetë për një periudhë prej pesë vjetësh, shumë më e gjatë sesa vlefshmëria e një vize Schengen. ETIAS do të jetë gjithashtu i vlefshëm për një numër të pakufizuar hyrjesh. Sistemi i Informacionit ETIAS do të ripërdorë komponentët harduerë dhe softuerë të EES dhe infrastrukturën e tij të komunikimit. Gjithashtu do të vendoset ndërveprim me sisteme të tjera të informacionit që do të konsultohen nga ETIAS, si Sistemit i Informacionit të Vizave (VIS),të dhënat e Europolit, Sistemi i Informacionit Schengen (SIS), Eurodac dhe Sistemi Evropian i Informacionit për Dosjet Penale (ECRIS). ETIAS dhe EES do të ndajnë një depozitë të përbashkët të dhënash personale të shtetasve të vendeve të treta, me të dhëna shtesë nga aplikimi ETIAS (për shembull, informacion mbi rezidencën, përgjigje për pyetje mbi të kaluarën, adresën IP) dhe dosjet hyrje dalje të EES të ruajtura veçmas, por të lidhura me këtë dosje të përbashkët dhe të vetme identifikimi.
Çfarë ndodh nëse një personi i është refuzuar autorizimi i udhëtimit?
Nëse autorizimi i udhëtimit është refuzuar, aplikuesi do të ketë gjithnjë të drejtën të apelojë. Apelet mund të bëhen në Shtetin Anëtar që ka marrë vendimin mbi aplikimin dhe në përputhje me ligjin kombëtar të atij Shteti Anëtar. Aplikuesi do të informohet se cili autoritet kombëtar ishte përgjegjës për përpunimin dhe vendimin për autorizimin e tij/saj të udhëtimit, si dhe informacion lidhur me procedurën që do të ndiqet në rast apeli. Nëse udhëtari e konsideron trajtimin si të padrejtë, atij/asaj i jepet gjithashtu e drejta të kërkojë korrigjim apo të kërkojë qasje në informacion përmes autoritetit kombëtar.
Cila është vlefshmëria e një autorizimi udhëtimi ETIAS?
Vlefshmëria e autorizimit të udhëtimit do të jetë 5 vjet (ose deri në datën e mbarimit të afatit të dokumentit të udhëtimit).
Cilat janë detyrimet e operatorëve?
Para hipjes në bord, operatorët ajrorë dhe detarë, si dhe operatorët që transportojnë grupe me rrugë tokësore me autobus duhet të verifikojnë statusin e dokumentit të udhëtimit që kërkohet për të hyrë në Zonën Schengen, përfshirë që shtetasi i vendit të tretë i përjashtuar nga viza ka një autorizim të vlefshëm udhëtimi ETIAS.
Çfarë do të ndodhë në pikën e kalimit të kufirit?
Pas mbërritjes në pikën e kalimit të kufirit të zonës Schengen, roja kufitare do të lexojë elektronikisht të dhënat e dokumentit të udhëtimit, duke bërë në këtë mënyrë pyetje në baza të ndryshme të dhënash, siç parashikohet nga Kodi i Kufirit Schengen, duke përfshirë pyetje në ETIAS në rast të udhëtarëve të përjashtuar nga vizat.
• Nëse nuk ka autorizim të vlefshëm udhëtimi ETIAS, rojat kufitare do t’ia refuzojnë hyrjen dhe do ta regjistrojnë udhëtarin dhe refuzimin e hyrjes në EES.
• Nëse ka një autorizim të vlefshëm udhëtimi, procesi i kontrollit kufitar do të kryhet sipas Kodit aktual të Kufirit Schengen. Si rezultat i këtij procesi, udhëtari mund të autorizohet të hyjë në zonën Schengen ose t’i refuzohet qasja sipas kushteve të përcaktuara në Kodin e Kufirit Schengen.
A mund të revokohet një autorizim udhëtimi i lëshuar?
Ndonëse autorizimi i udhëtimit është i vlefshëm për 5 vjet, ai mund të revokohet apo anulohet nëse kushtet për lëshimin e autorizimit të udhëtimit nuk aplikohen më. ETIAS përbën një zhvillim të acquis të Schengen dhe do të aplikohet në ato Shtete Anëtare që janë pjesë e zonës Schengen, përfshirë ato Shtete Anë- tare që ende nuk e aplikojnë plotësisht acquis e Schengen, si Kroacia, Qipro, Bullgaria dhe Rumania, si dhe vendet e asociuara Schengen Islanda, Norvegjia, Zvicra dhe Lihtenshtejni.
Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda nuk janë pjesë e zonës Schengen dhe nuk do të marrin pjesë në miratimin e Rregullores, si dhe nuk janë të detyruara prej saj apo subjekt i aplikimit të saj. Danimarka nuk merr pjesë në miratimin e Rregullores, por mund të vendosë brenda një periudhe prej gjashtë muajsh, pasi Këshilli të ketë vendosur mbi Rregulloren, nëse do ta zbatojë atë në legjislacionin e saj kombëtar. /arbresh.info/
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Italisë në Kos...
Netanyahu në gjykatën e Tel Avivit për të dëshmuar mbi akuza...
Ushtarët shqiptarë nderohen me Medaljen NATO për shërbim të ...
Gjesti i lë një trëndafil Xhenetës pranë kokës
Liverpooli e bën prioritet transferimin e yllit të Brightoni...
Luginasit ankohen për gjoba në kufirin e Kosovës, kryetari i...