Historiani Jahja Drançolli ka shkruar për të vërtetën dhe mitin e Betejës së Kosovës, kështu duke publikuar edhe një dokument të datuar nga viti 1389.
Drançolli, tregon se çfarë thotë dokumenti i vitit 1389 për Betejën e Kosovës, i cili ruhet në Arkivin Shtetëror të Firences.
Ky dokument, i publikuar nga historiani kosovar, i shënuar më 20 tetor 1389, ruhet në Arkivin Shtetëror të Firences, respektivisht është një korrespodencë e përfaqësuesit të Senatit të Republikës së Firences me mbretin e Bosnes Tvrtko I (1338-1391), i cili konsiderohet si i vetmi dokument zyrtar i zbuluar deri më sot, që i referohet një beteje, e që historianët i referohen si Beteja e Kosovës.
Lexoni të plotë shkrimin e historianit Jahja Drançolli:
Postim me shkas: Beteje e Kosovës as në qiell as në tokë!
Ç’thotë i vetmi dokument zyrtar i zbuluar deri me sot për këtë ngjarje!
1. Një dokument i 20 tetor 1389, i cili ruhet në Arkivin Shtetëror të Firencës, respektivisht një korrespodencë e përfaqësuesit të Senatit të Republikës së Firencës me mbretin e Bosnës Tvrtko I (1338-1391), konsiderohet për të vetmin dokument zyrtar të zbuluar deri me sot që i referohet një beteje (të cilën shumë historianë e kanë quajtuar për Betejën e Kosovës) në mes aleancës ballkanike dhe sulltanit Osman, Muratit I. E veçanta e këtij dokumenti të vetëm për këtë ngjarje është se, aty nuk përmendet fare princ Lazari i familjes Hrebelanoviq, por si ngadhnjyes në atë betejë përmendet mbreti Bosnës- “Regi Bossine”, me aleatiet e tij. Nuk përmendet as Kosova si vendndodhja e ngjarjes. Dokumenti zë ngojë se beteja kishte ndodhur në Fushën Turdo- “in loco qui campus Turdorum dicitur“. Është interesante se ky dokument zyrtar e heshtë edhe trimin e Kosovës, Milosh Kopiliqin. Në vend të tij si komplotistë ndaj sulltan Muaratit u shquan 12 bujarët e betuar- “Felice et ter quaterque felices duodecim illa procurum jurata manus”.
Pra, nga ky dokument zyrtar i përmendur më sipër, fatkeqësisht i vetmi i këtij lloji, mbesin shumë çështje të hapura shkencore që ndërlidhën me Betejën e Kosovës të vitit 1389!
2. Beteja e Kosovës (1389), arritjet historiografike të sotme!
Beteja e Kosovës si ngjarje historike mbështet vetëm në burime tregimtare. Për këtë betejë është krijuar një seri e ciklit epik, si dhe tregime të regjistruara më herët ose më vonë. Nese merrët në konsideratë e gjithë tradita për betejën, do të ishte krijuar një tablo me hollësi ca më të plota; do të dinim për ngjarjet para përplasjes: rrjedhën e betejës e momentet vendimtare; fatin e udhëheqësve dhe të heronjve, etj. Beteja e Kosovës me kohë kishte fituar famën e disfatës më të madhe serbe, edhe pse sot dyshohet në historiografi se ajo me të vërtetë ishte e tillë. Vështirësitë më të mëdha për të mësuar për argumentet themelore rreth përplasjes të aleancës ballkanike me osmanët nuk paraqesin vetëm numri i kufizuar i burimeve të kohës, por edhe paraqitja e hershme e legjendës. Që në dekadat e para pas ngjarjes janë dalluar qartë versionet e burimeve vendore, osmane dhe perëndimore për elementet kryesore të betejës. Prandaj nuk mund tu besohet, madje as lajmeve, që janë vetëm një dekadë më të vjetra se sa beteja, nese nuk ka asnjë supozim të arsyeshëm se ata janë produkt i ndonjë burimi bashkohës relevant.
Atributet mitike që ndërlidhen me paraqitjen dhe zhvillimin e betejës shpesh kanë errësuar realitetin historik dhe specifikat e kësaj ngjarjeje kronologjikisht të largët. Burimet e identifikojnë me Ditën e Shën Vitos/Vidit (15/28 qershor 1389 sipas kalendarit julian, si dhe 28 qershor sipas kalendarit gregorian), si datë të ballafaqimit ushtarak ndërmjet ushtrisë së “Koalicionit ballkanik” (boshnjakët, arbërit, serbët hungarezët, kroatët, vllehët, çekët, etj.), të udhëhequr nga princi Lazar Hrebelanoviq, që priste në Fushë – Kosovë, në vendin ku bëhën bashkë Llapi e Sitnica, për ti bërë ballë ushtrisë osmane në krye me Sulltan Muratin I me bijtë Bajazitin e Jakubin. Sipas legjendës, Murati I u vra, gjatë ose pas betejës nga duart e një bujari, një ushtari të plagosur ose një dezertori të quajtur Milosh Kobiliq/Kopiliqi dhe nga vitit 1765 Obiliq. Princi Lazar u kap dhe më pas qe ekzekutuar. Informacionet shtesë mbi numrat e saktë dhe përbërjen e ushtrive të tyre përkatëse dhe viktimat janë kontradiktore. Për të kompletuar tablon historike të ngjarjeve, dihet se Bajaziti kishte pasuar babain në fron, ndërsa Stefan Lazareviq, nën tutelën e nënës, Milica, kishte pranuar për të paguar haraç dhe besnikëri ndaj osmanëve.
Me kalimin e kohës, Beteja e Kosovës vishet me të dhëna sa interesante, aq edhe subjektive e të mitizuara. Pikërisht, është kjo arsyeja që historiografia ende nuk ka mundur ta dallojë Kosovën historike nga Kosova e mitizuar. Beteja ishte shumë e ashpër dhe pati humbje të mëdha nga të dyja anët. U vra si Lazari, ashtu edhe Murati I. Aty mbeti i vrarë edhe kryezotëriu arbëror Theodori II Muzaka, zot i Beratit dhe i Myzeqesë. Çdo gjë tjetër është e pasigurtë.
Krahas nocioneve: Campus Turdorum, Campus Merulae, Kosovo Polje, Sclavonia, Arbëria, Rasia, që i referohen trevës ku është zhvilluar beteja, shpesh ndeshim edhe nocione antike të përdorura sipas modës humaniste e bizantine, si, Dardania dhe Mysia; nocionet në fjalë gjatë antikitetit përfshinin trevën e Kosovës dhe pjesët e skajshme të saj. Të tilla njoftime ndeshim te humanisti, Segoni, Beçikemi, Tubero, e ndonjë tjetër.
Miti mbi Betejën e Kosovës është aktualizuar sidomos nga shek. XIX dhe jeton edhe sot si shprehje e nevojave të politikës së ditës. Si i tillë është krijuar dhe promovuar në mbështetje të legjendës simbolike dhe mitit politik të Kosovës, ku “miti është zakonisht një tregim i interesuar për ngjarjet e së kaluarës, duke u dhënë atyre një kuptim të veçantë dhe rëndësi për të tashmen për qëllime të përforcimit të autoritetit të atyre, që janë në pushtet në një komunitet të caktuar”. Këtej, është plotësisht i saktë konstatimi i pranuar nga historiografia e sotme: ”[…] ndoshta nuk ka ngjarje për të cilën do të ishin më të nevojshme burimet për t’u bërë dallimi ndërmjet elementeve mitike e reale”!
Burimi: Archivio di Stato di Firenze!
Space X lanson edhe një raketë testuese
Lautaro Martinez barazon rekordin e golave të Maradonës për ...
Çfarë pritet të ndodhë në Zvicër në vitin 2025?
“Isha shtatzënë kur u preka me tumor, humba edhe shikimin”/ ...
Anisa qan sërish, Lela i qëndron pranë
Zhduket një 36-vjeçare në Korçë, detajet e para