Analizë e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian: Qendra mban pushtetin
Me shumë prej tyre, partitë ultra të djathta në Serbi, por edhe Partia Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet kanë kontakte prej vitesh.
“Unë pres regres të mëtejshëm të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore brenda Serbisë, e cila është inkurajuar nga rritja e së djathtës ekstreme në Evropë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Izabella Kisiq, drejtore ekzekutive e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.
Edhe pse Partia Popullore Evropiane (EPP) – një grupim konservator i partive të qendrës së djathtë në Parlamentin Evropian – fitoi sërish numrin më të madh të vendeve dhe pritet të formojë shumicën, e djathta ekstreme shënoi rezultat të lakmueshëm në vendet më të mëdha të BE-së.
Në Francë, Tubimi Kombëtar i ekstremit të djathtë fitoi 30 vende në Parlamentin Evropian – dy herë më shumë se koalicioni i udhëhequr nga Rilindja e presidentit Emmanuel Macron – gjë që çoi edhe në shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
Si u rrit sërish e djathta ekstreme në Gjermani?
Në Gjermani, Alternativa për Gjermaninë (AfD) zuri vendin e dytë sa i përket numrit të mandateve të fituara. Autoritetet gjermane e klasifikojnë këtë parti si “organizatë ekstremiste” dhe në disa lande federale është nën vëzhgimin e Shërbimit për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues.
“Miqtë nga Gjermania”
Për partinë joparlamentare nga Serbia, Zavetnici – kryetarja e së cilës, Millica Gjurgjeviq Stamenkovski, është ministre për Përkujdesje ndaj Familjes në Qeverinë e Serbisë – AfD-ja përfaqëson “opsionin kryesor sovranist të shtetndërtimit në Gjermani”.
Gjurgjeviq Stamenkovski, si kryetare e partisë Zavetnici, u takua në nëntor të vitit 2023 në Bundestag me kryetarin e AfD-së, Tino Chrupalla.
Në atë takim, siç u njoftua, ata u shprehën kritikë ndaj politikës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe shkëmbyen mendime për “krizën e thellë të Bashkimit Evropian”.
Zavetnici u forma në vitin 2012, pasi disa anëtarë u larguan nga Partia Radikale Serbe, president i së cilës atëkohë ishte Vojisllav Sheshel, i dënuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës.
Dialogu dhe zgjerimi – pre e së djathtës në BE
Zavetnici nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe kërkon anulimin e Marrëveshjes së Brukselit, të nënshkruar nga Kosova dhe Serbia në vitin 2013, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve.
Në fushatën për zgjedhjet parlamentare në Serbi, të mbajtura në fund të vitit 2023, partia deklaroi vazhdimisht se e dënon “ideologjinë dhe propagandën e komunitetit LGBT”.
Kontakte me AfD-në, prej vitesh, mban edhe lëvizja ultra e djathtë serbe, Dveri. Sikurse Zavetnici, as kjo parti nuk e kaloi pragun zgjedhor në zgjedhjet e dhjetorit.
Kryetari i saj i deritashëm, Boshko Obradoviq, i cili u largua nga partia pas rezultatit të dobët në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit, filloi kontaktet me AfD-në qysh në vitin 2017.
Kur ultra të djathtët gjermanë hynë në Bundestag në shtator të atij viti – për herë të parë që nga viti 1945 – Obradoviq i uroi ata.
“Urime miqve të mi nga Alternativa për Gjermaninë. Shihemi në Bundestag dhe Beograd. Le të vazhdojmë. Është koha për Alternativën për Serbinë”, shkroi Obradoviq në Twitterin e atëhershëm.
AfD-ja u përgjigj duke e mbështetur Obradoviqin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2017 në Serbi, edhe pse kjo nuk e ndihmoi shumë, pasi ai fitoi vetëm pak më shumë se dy për qind të votave.
Në vitet në vazhdim, delegacioni i Dverit ishte disa herë në Gjermani. Në dhjetor të vitit 2019, Obradoviq, së bashku me kolegen e tij partiake, Dragana Trifkoviq, vizituan Bundestagun.
Në kumtesën e publikuar nga partia serbe pas vizitës u tha se dy partitë i lidhin tema të shumta, e para së gjithash trashëgimia e krishterë e Evropës, vlerat familjare dhe zgjidhja e krizës së migrantëve.
“Të gjitha këto janë tema për të cilat ne do t’i vazhdojmë diskutimet jo vetëm me Alternativën për Gjermaninë, por edhe me kolegë të tjerë evropianë nga opsionet politike konservatore, me të cilët ndajmë shumë mendime të ngjashme, pavarësisht se nuk jemi dakord për të gjitha temat”, tha atëkohë Obradoviq.
Derisa ishte në krye të Dverit, Obradoviq vazhdimisht mbështeste tezën se Qeveria në Serbi dëshiron ta popullojë vendin me migrantë dhe refugjatë nga Lindja e Mesme dhe Afrika dhe se në këtë mënyrë “dëshiron ta zgjidhë problemin me natalitetin e ulët”.
Në vitin 2019, partia e tij nisi një peticion kundër, siç u tha, politikave për migrantë të autoriteteve republikane dhe lokale.
Përveç politikës së saj kundër migrantëve, lëvizja Dveri njihet edhe për politikën e saj anti-LGBT.
Që nga viti 2009, shumë kohë përpara se të hynte në politikë, Dveri organizoi disa herë të ashtuquajturën “Shëtitje familjare”.
Tubimi organizohej fillimisht në Beograd, e më pas edhe në disa qytete të tjera të Serbisë, në prag të Paradës së Krenarisë, të cilën e organizojnë organizatat e LGBT-së, me qëllim shpërfaqjen e problemeve me të cilat ballafaqohet ky komunitet.
Në vitin 2016, Dveri e kaloi pragun zgjedhor për herë të parë dhe hyri në Parlamentin republikan, por sot lëvizja nuk ka përfaqësues në Parlament. Politikisht është kundër integrimit evropian dhe kërkon mbështetjen te Rusia si “partnere kryesore të politikës së jashtme”.
Për këtë temë, Radio Evropa e Lirë kërkoi komente nga Dveri dhe Zavetnici, por, deri në publikimin e këtij artikulli, asnjëra parti nuk u përgjigj.
Krahas partive joparlamentare, kontakte me ultra të djathtën gjermane ka edhe Partia Përparimtare Serbe në pushtet.
Në vitin 2019, Marko Gjuriq, zyrtar i lartë i kësaj partie, atëkohë drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, u takua me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Alternativës për Gjermaninë në Beograd.
Siç u bë e ditur në ueb-faqen e SNS-së, Gjuriq “e informoi” përfaqësuesin federal gjerman, Armin-Paul Hampel, për situatën në Kosovë.
Inkurajim për të djathtën serbe
Izabella Kisiq beson se suksesi i ekstremit të djathtë në Evropë do të jetë një inkurajim për partitë e spektrit të djathtë dhe të ekstremit të djathtë në Serbi, të cilat përgjithësisht janë proruse.
“Aty ku Serbia bashkëpunon më së miri me Rusinë – e tani do të ketë partnerë të forcuar edhe në Evropë – është qëndrimi i saj ndaj të drejtave të njeriut, vlerave liberale dhe atyre që janë themele të BE-së”, thotë Kisiq.
Në të njëjtat zgjedhje presidenciale në të cilat AfD-ja mbështeti Boshko Obradoviqin, Markus Frohnmaier, deputet i AfD-së në Bundestag, foli në një tubim parazgjedhor të Lëvizjes për Lirinë Popullore – një parti e vogël joparlamentare nga spektri i djathtë, e themeluar nga ish-anëtari i Dverit, Mirosllav Paroviq.
Në tetor të vitit 2014, Paroviq organizoi konferencën “Evropa e Re” në Beograd, ku, në mesin e të tjerëve, u mblodhën përfaqësues të Alternativës për Gjermaninë, Partisë së Lirisë së Austrisë, Tubimit Kombëtar në Francë, ndërsa i pranishëm ishte edhe ish-ambasadori rus në Serbi, Aleksandar Konuzin.
Në një deklaratë me shkrim dhënë REL-it, Paroviq tha se ky bashkëpunim “është bazuar dhe bazohet më shumë në marrëdhënie personale, sesa në ndonjë lidhje formale partiake”.
Paroviq e përshkruan si “arritje” suksesin e partive të ekstremit të djathtë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, por pretendon se idetë politike të tyre “kanë evoluar në këta dhjetë vjet” dhe se “nuk mund të flasim më për ndonjë organizatë ekstremiste”.
Duke folur për lidhjet e tij me AfD-në, Paroviq thekson se mban kontakte me pjesën “më liberale” të asaj partie.
Zavetnici, Dveri dhe lëvizja e Paroviqit mbrojnë bashkëpunimin më të ngushtë ndërmjet Serbisë dhe Federatës Ruse.
Përfaqësues të Zavetnicit dhe Dverit vizituan Rusinë në disa raste.
Në mars të vitit 2024, dy deputetë të Dverit u takuan edhe me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në kongresin themelues të Lëvizjes Ndërkombëtare Rusofile në Moskë.
Në shkurt të vitit 2022 në Moskë, Millica Gjurgjeviq Stamenkovski u paraqiti deputetëve të Dumës ruse dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Punëve të Jashtme propozimin që Rusia t’iu bashkohej negociatave ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Këtë vit, në Gjermani, AfD-ja u përball me akuzat se Maksimilian Krah – një nga kandidatët kryesorë të partisë për zgjedhjet evropiane – po merrte para nga Rusia dhe Kina.
Në të njëjtën kohë, Peter Bistron, i dyti në listën e AfD-së për zgjedhjet e BE-së, u akuzua se kishte marrë 20 mijë euro nga njerëz të lidhur me presidentin rus, Vladimir Putin, për të përhapur propagandën e Kremlinit.
Krah dhe Bistron i mohuan akuzat.
Lidhjet me Rusinë
Izabella Kisiq thotë se partitë ultra të djathta në Evropë jo vetëm se kanë qëndrim pozitiv ndaj Kremlinit, por ka raportime edhe për lidhjet e tyre financiare.
“Ka, gjithashtu, raporte të shumta se Kremlini e ka mbështetur financiarisht fushatën e Marine Le Penit [nga Tubimi Kombëtar] në Francë”, thotë Kisiq.
Në qershor të vitit 2023, komiteti hetimor i Asamblesë kombëtare franceze për ndërhyrjen e huaj vuri në dukje lidhjet ideologjike midis Tubimit Kombëtar dhe udhëheqjes ruse.
Tubimi Kombëtar ka marrë më herët kredi nga kompania ruse, Aviazapchast S.A., të cilën kundërshtarët e tij e kanë interpretuar si një shenjë të lidhjeve të kësaj partie me Rusinë.
Pasi Rusia filloi pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë në vitin 2022, kryetari i Tubimit Kombëtar, Jordan Bardella, dhe anëtarë të tjerë të kësaj partie në Parlamentin Evropian votuan për një rezolutë të BE-së që e dënon agresionin rus kundër Ukrainës. Megjithatë, në nëntor të vitit 2022, ata abstenuan nga votimi për të ofruar ndihmë financiare për Ukrainën.
Tubimi Kombëtar kërkon kufizimin e lëvizjes së lirë të migrantëve, duke zbatuar kontrolle në kufijtë kombëtarë, si dhe bën thirrje për tërheqje nga marrëveshjet e Bashkimit Evropian për klimën.
Kisiq thotë se rritja e së djathtës ekstreme në Bashkimin Evropian nuk ka ndodhur papritur.
“Është një proces i gjatë që ka zgjatur për më shumë se një dekadë”, thotë Kisiq dhe shton se pas pushtimit rus të Ukrainës, çështja e të drejtave të njeriut është gjithnjë e më pak në fokus të Bashkimit Evropian – gjë që, sipas saj, i përshtatet ekstremit të djathtë.
“Tani, siguria e Evropës është në radhë të parë. Kam frikë se, në këtë aspekt, autoritetet do t’i mbyllin sytë para shkeljes së të drejtave të njeriut, jo vetëm në Serbi, por në të gjithë BE-në”, thotë Kisiq.
Sipas saj, çështja kryesore tani është se cili do të jetë rezultati i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Francë, të cilat do të mbahen më 30 qershor dhe 7 korrik.
“Unë do të thosha se jo vetëm opozita ultra e djathtë [në Serbi], por edhe Qeveria aktuale e djathtë presin që të ketë ndryshime në disa vende të BE-së, kryesisht në Francë. Kjo, jo vetëm se do t’i dobësonte thirrjet për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimi Evropian, por do të hapte rrugë për një bashkëpunim më të fortë mes atyre vendeve individuale evropiane, Kremlinit dhe Serbisë. Kjo është diçka nga e cila përfiton politika proruse në Serbi”, përfundon Kisiq./REL