Çfarë do të sjell takimi Kurti-Vuçiq të hënën në Bruksel?

10:07 | 26 Shkurt 2023
A Z

E hëna e 27 shkurtit është data kur do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me presidentin serb, Aleksandar Vuciq në Bruksel.

Kështu ka njoftuar Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i cili këtë takim e ka thirrur pikërisht të premten e 17 shkurtit.

Ndër temat që pritet të diskutohen në këtë takim Kurti – Vuciq, padyshim se është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, i cili pritet të jetë në kuadër të marrëveshjes së bazuar në propozimin evropian, i quajtur në fillim si plani franko-gjerman.

Kjo, pasi që kohëve të fundit ka pasur vizita të shtuara të emisarëve të lartë perëndimorë, qofshin ata nga Departamenti Amerikan i Shtetit, apo nga Bashkimi Evropian dhe vendet më të fuqishme të tij, të cilët secilën herë kanë kërkuar që Asociacioni të formohet.

Analisti politik, Gazmir Raci mendon se Kosova e ka të qartë pozicionin e vetë dhe kushtet në këtë dialogë.

Raci: Nuk pres marrëveshje të veçantë për Asociacionin

Ai nuk pret marrëveshje të veçantë për Asociacionin, raporton arbresh.info.

“Kosova e ka bë të qartë pozicionin e vet dhe i ka ato kushtet që i ka prezentu kryeministri që mendoj që janë kushte reale për të cilat secili prej nesh duhet me u angazhu që marrëveshja finale me qenë e sigurt që mos me na e prish rendin kushtetues që e ka Kosova tani dhe shtetin multi-etnik. Nuk pres marrëveshje të veçantë për Asociacionin. Krejt marrëveshjet tjera duhet të jenë pjesë e planit të përgjithshëm franko-gjerman, edhe pse aty nuk është vetëm Asociacioni, por janë edhe nja 4-5 marrëveshje që nuk po zbatohen prej Serbisë e që janë shumë të rëndësishme për Kosovën”, shprehet  Raci.

Sa i përket planit franko-gjerman, Raci thotë se ky plan do të mundë të zgjidhtë ngërçin politik mes Kosovës dhe Serbisë.

“Plani franko-gjerman është propozim konkret, i cili e zgjidh ngërçin politik momentalisht, nuk e zgjidh problemin përfundimtar të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, por e bën njëfarë kalimi të kësaj faze në të cilën tani jemi për shkak të luftës në Ukrainë, sepse komuniteti ndërkombëtar është i interesum që me pasë një problem ma pak në tavolinën e tyre në mënyrë që të koncentrohen shumë më shumë te rasti i Ukrainës. Është mirë që Kosova e ka dhënë një përgjigje pozitive për dokumentin por duket që nuk është marrëveshja që ka me zgjidh përfundimisht problemin por e shtyn problemin përfundimtar deri në ditën kur edhe Kosova edhe Serbia duhet me u bo anëtare të Bashkimit Evropian, atëherë kur edhe kërkohet njohja formale që duhet me e pasë njëra ndaj tjetrës”, thotë ai.

Ai, nuk pret që  në takimin e së hënës në Bruksel të nënshkruhet marrëveshja, sepse sipas tij ka kohë.

Megjithatë, ai thotë se fundi i marsit është afati kohor që është përcaktua nga ndërmjetësit. Raci, beson se ditën e hënë ka me u qartësuar shumë pozicionet e të dyja palëve, pozicione që  sipas tij, i kanë bë të qarta vetëm nëpër media, por jo në takime të drejtpërdrejta dypalëshe.

“ Është mirë që po rikthehen në tryezë, aty ku është vendi ku duhet me i sqaru çështjet e ngritura e jo nëpër debate televizive apo media”, thotë ai.

Kusari-Lila: Përkushtimi i Qeverisë është që sa më parë të kemi një fazë të finalizuar të këtij procesi

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë që kjo qeveri është e përkushtuar maksimalisht që sa më parë të kemi një fazë të finalizuar të këtij procesi i cili e ka mbajtur Kosovën tash e shumë vite në diskutime që nuk kanë.

“Është një takim, i cili u caktua pas një intensiteti të shtuar të vizitave të emisarëve në këtë proces. Kosova e ka garancinë kryesore prezencën e ndërmjetësve ndërkombëtare dhe jo konfirmimet nga ana e Serbisë. A do të jetë e hëna dita që do e finalizojë është tepër herët të flitet për dinamikën e asaj dite, por që përkushtimi dhe angazhimi maksimal është i Qeverisë që sa më parë të kemi një fazë të finalizuar të këtij procesi i cili e ka mbajtur Kosovën tash e shumë vite në diskutime që nuk kanë sjellur shumë rezultate”, thotë Kusari-Lila.

Çka pret opozita nga takimi Kurti-Vuçiq të hënën në Bruksel?

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti pohon se nuk e sheh të lehtë takimin e Kurtit dhe Vuçiqit.  Marrë parasysh, sipas tij, faktin se deklarimet e këtyre dy liderëve ndaj njëri- tjetrit, janë fyese.

“Nuk e shoh si një takim të lehtë sepse deklarimet publike qoftë të zotit Vuciq apo kryeministrit Kurti janë disi fyese ndaj njëri-tjetrit dhe të pozicionuara kundër marrëveshjes, realisht. Nuk e besoj që mund të ketë marrëveshje, mund të fillojnë bisedimet dhe të fillojë diçka, por po besoj që kanë me zgjatë nënshkrimin e marrëveshjes deri në fund të këtij viti”, shprehet Haliti.

“Por, mirë që po takohen, mirë që do t’i diskutojnë çështjet për t’i përafru mundësisht, për ta nënshkru një marrëveshje të tillë. Uroj që ta nënshkruajnë marrëveshjen e cila nuk është e mirë as për Kosovën dhe as për Serbinë, as për Vuçiqin dhe as për Kurtin, sepse kjo marrëveshje nuk nënshkruhet për këta dy udhëheqës, por marrëveshja është e mirë për qytetarët e Serbisë, të Kosovës dhe të Ballkanit të cilët në shumicë absolute besoj që janë të interesuar që të bëhen pjesë e Perëndimit dhe Bashkimit Evropian, dhe kjo marrëveshje e propozuar është një hap i mirë drejt futjes së Kosovës, Serbisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE”

Ndërsa, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Rrezarta Krasniqi thotë se është dashur të mbahet një debat parlamentar lidhur me këtë çështje. Ajo thotë se ende nuk e kanë parë planin franco-gjerman.

“Është dashtë që të ketë debat parlamentar në Kuvendin e Kosovës në lidhje me këtë proces, ndërsa sa i përket këtij procesi s’ka pasë aspak transparencë sepse kryeministri edhe në debatin e kaluar ka qëndruar deri në gjysmë të debatit dhe e ka lëshu sallën. Kryeministri duhet ta dijë për çka po shkon sepse ne ende s’e kemi pa planin franko-gjerman, s’e ka prezantu në Kuvendin e Kosovës”, thotë Krasniqi.

Sipas saj, LDK është pro një dialogu me një marrëveshje përfundimtare dhe një njohje reciproke mes dy shteteve.

“Ne si Lidhje Demokratike e Kosovës e kemi përkrah kryeministrin në procese integruese dhe dialog, po që dialogu të ketë një marrëveshje përfundimtare, një njohje reciproke mes dy shteteve, jo një njohje bazë siç po thotë kryeministri. Nuk muj me thanë që presim një marrëveshje përfundimtare nga ato që kemi pa deri tash nga deklarimet e kryeministrit Kurti”, shprehet ajo.

Ndryshe, në një takim me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kryeministri Kurti tashmë e ka pranuar propozimin evropian, për të cilin ka thënë se është një bazë e mirë për të arritur një marrëveshje.

Për këtë, në një deklarim për media, Kurti ka thënë se diskutimi në këtë takim do të bazohet në këtë propozim.

“Në kemi propozimin me iniciativën franko gjermane. Ne presim që të ketë diskutime dhe të ecim përpara në bazën e atij diskutimi. Jo pak varet nga fasituesit apo ndërmjetësuesit pas ditës së hënë e dimë”, ka thënë Kurti.

Ai, gjithashtu ka theksuar se nuk pret që të diskutohet për Asociacionin, teksa tha se “Janë 5 fjali të preambulës, 10 nene dhe duhet t`i përmbahemi propozimit që kemi marr e jo interesat e njërës palë”.

Ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se Kurti menjëhërë flet për Slobodan Millosheviqin dhe vuajtjet e tij.

“Me Kurtin nuk ka shumë biseda. Ai njeri menjëherë fillon të flasë për Slobodan Millosheviqin, vuajtjet e tij… nuk e di, Adem Demaçin… Atëherë e kuptoni se ai ka mbetur prapa në atë kohë, dhe kaq…” ka thënë Vuçiq.

Ai tha se në takimin e 27 shkurtit në Bruksel do të flitet për formimin e Asociacionit, si dhe për këtë sipas tij  do të duhet të flasin edhe përfaqësuesit evropianë.

“E di, Kurti do të shkojë me tregimin – po, po, unë pranoj gjithçka, por Serbia do të duhet të pranojë gjithçka… Dhe kështu… I kam parë të gjitha ato marifete të panumërta, kështu që kjo do të jetë taktika ime. I kam ndjekur të gjitha ato biseda kaq herë, më shumë se të gjitha së bashku, Po të isha më budallai në botë do të isha më i përgatituri. Llogaris se nuk jam tamam njeriu më budalla në botë…”, kishte thënë Vuçiq.

Ndërsa i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak ka përkujtuar se që nga shtatori kanë biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe se njëri në janar e tjetri në shkurt kanë thënë se e pranojnë në parim propozimin evropian.

“Tani ka ardhur koha që ata të pranojnë zyrtarisht dhe publikisht propozimin dhe pastaj të diskutojnë zbatimin e tij”, kishte thënë Lajçak për mediumin serb.

Lajçak thekson se nëse të dyja palët e refuzojnë propozimin, kjo do të dërgonte një sinjal negativ se nuk janë të gatshëm të normalizojnë marrëdhëniet dhe të shkojnë në rrugën evropiane./Arbresh.info/ Emir Abduramani/

 

Të ngjashme