Çështjet që ridizajnojnë pushtetin e ardhshëm

08:59 | 7 Maj 2017
Arbresh.info

Marrëveshja që përcakton kufirin me Malin e Zi, Asociacioni i Komunave Serbe dhe themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, mbeten sfidat më të mëdha të pushtetit aktual, derisa ekziston dyshimi se këto çështje nuk do të mbyllen gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Listës Serbe.

Për analistët politikë këto tri procese do t’i mbesin qeverisë së ardhshme, e ndryshme nga ajo e deritanishmja, dhe për më tepër do të ridizajnojnë pushtetin e ardhshëm, ndryshe nga i tanishmi.

“Nuk besoj që qeveria aktuale do të arrij t’i kaloj këto tri çështje kryesore”, thotë Imer Mushkolaj për arbresh.info, duke e hedh në dyshim mundësinë e procedimit, vetëm të demarkacionit.

Sipas Mushkolajt befasia ma e madhe do të ishte nëse ky koalicion do të vazhdojnë funksionimin e tij për t’i kaluar këto tri çështje.

“Vetë fakti që koalicioni i ka 89 vota dhe nuk arrin me kalu në Kuvend çështje të rëndësishme mundet me u quajt dështim”, tha Mushkolaj.

E analisti Donik Sallova, thotë se kjo qeveri nuk ka pasur fuqinë politike dhe qasjen adekuate për t’i quar proceset përpara.

“Besoj që këto tri çështje janë ato që kanë stagnuar si zhvillime dhe kjo mazhorancë qeverisëse nuk ka pasur fuqinë politike dhe qasjen adekuate për t’i çuar përpara. Si pasoje e kësaj janë prolonguar edhe shumë procese tjera”, deklaron ai, për arbresh.info.

Sipas tij vendi duhet të shkojë në zgjedhje dhe qeverisja e ardhshme duhet të jetë ndryshe nga kjo aktuale.

“Mendoj se partitë politike duhet të shkojnë në zgjedhje për t’u legjitimuar dhe për ta rimarre mandatin politik nga populli. Besoj që konstelacioni i ardhshëm politik do të jetë i ndryshëm prej këtij aktualit dhe do mund te prisnim ndryshime. Veçanërisht nëse do të kemi rrotacion politik, ku PDK-ja pas 10 vitesh në pushtet, do të shkojë në opozitë”, vlerëson Sallova.

Gazetari Bajrush Morina thotë për arbresh.info se partitë politike në vend janë shndërruar në parti që pengojnë shtetformimin dhe integrimin e vendit.

“PDK e LDK nuk i kanë votat për Demarkacion, Vetëvendosje, AAK e Nisma nuk e votojnë as Demarkacionin as Asociacionin e Lista serbe nuk e voton Ushtrinë e Kosovës. Gjërat janë koklavitur dhe janë lidhur “nyje” që po shkon jo duke u zgjidhur, por duke u forcuar gjithnjë e më shumë”, deklaron Morina.

Mali i Zi e ka të mbyllur tashmë çështjen e demarkacionit me Kosovën në të gjitha instancat shtetërore.

Ende nuk ka filuar hartimi i statutit të Asociacionit të Komunave Serbe, pavarësisht mendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth marrëveshjes mbi parimet e këtij asociacioni.

Po ashtu, transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur duket se nuk do të bëhet pa ndryshime kushtetuese, pasi që iniciativa për ta fuqizuar rolin aktual të FSK-së vetëm më ndryshime ligjore është heshtur tashmë./Mira Avdimetaj/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme