Gjykata Supreme pas shqyrtimit të kërkesës së Gjykatës Themeloren në Prishtinë “për dhënie të mendimit juridik përkitazi me nenin 303 par.7 të Kodit Procedurës Penale në rastin “Banjska”, ka sqaruar se nuk jep mendime juridike për dilemat që ka shkalla e parë gjatë procedimit të rastit.
Në seancën e 27 shtatorit 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë njoftoi se do t’i drejtohet Gjykatës Supreme për të kërkuar opinion nëse në rastin “Banjska” mund të aplikohet gjykimi në mungesë.
Supremja përmes një përgjigje me shkrim për “Betimi për Drejtësi”, ka bërë të ditur se tashmë kjo gjykatë e ka njoftuar Themeloren lidhur me kërkesën e tyre për interpretimin e kësaj çështje.
“Pas shqyrtimit të kësaj kërkese, Gjykata Supreme përmes përgjigjes me shkrim e ka njoftuar paraqitësin e kërkesës, se “asnjëherë nuk jep mendime juridike për dilemat që i ka gjykata e shkallës së parë në interpretimin e ndonjë dispozite gjatë procedimit të çështjeve të hapura penale, e të cilat me vonë do të mund te ngritën edhe në Gjykatën Supreme të Kosovës”. Prandaj, Gjykata Supreme, konsideron se është në diskrecionin e gjyqtarëve që të vendosin ashtu siç e vlerësojnë”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Supreme.
Ndryshe, në shqyrtimi fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024 të akuzuarit Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq nuk u deklaruan rreth fajësisë. Kurse, Dushan Maksimoviq u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzën për sulmin terrorist në Banjskë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.
Kurse, kreu i këtij grupit terrorist të strukturuar, Milan Radoiçiq ngarkohet se nga viti 2017 e deri më 24 shtator 2023 ka siguruar të ardhura në mënyrë të tërthortë, e këto para i ka konvertuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, ku një pjesë të pasurive të paluajtshme e ka transferuar dhe tek personat e tretë, me qëllim të fshehjes ose maskimit të burimit të pasurisë.
45 të akuzuarit ngarkohen për veprat penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” si dhe “Shpërarja e parave”.
Kush janë të akuzuarit që ngarkohen bashkë me kreun e grupit kriminal Milan Radoiçiq?
Dispozitivi i parë i aktakuzës së PSRK-së ngarkon të akuzuarit: Milan Radoiçiq, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesa Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Smigiq, Veljko Djordjeviq, Vladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Krstoviq, Uros Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukasin Jarediq, Sasa Periq, Nemanja Stankoviq, Momçilo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zarko Cvetkoviq, Krsto Damjanoviq, Stefan Milosavljeviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Miliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Millos Milenkoviq, Dorde Baloviq, Danijel Dukiq, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Millos Kragoviq, Miljan Nedeljkoviq, Nikola Iliq dhe Vladan Iliq.
Sipas këtij dispozitivi, më 24 shtator 2023, nga ora 01:00, në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit, i pandehuri Milan Radoiçiq, në cilësinë e kreut të grupit terrorist të strukturuar, së bashku me pjesëmarrësit, në role të ndryshme, duke filluar nga roli i bllokimit të rrugëve, të trajnuar në mënyrë profesionale, ku pjesa më e madhe e grupit pasi që kanë hyrë në mënyrë të organizuar përmes rrugëve malore ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës nga Serbia, me dhjetëra vetura e disa prej tyre edhe të blinduara, të mbushura me armë të rënda, municion, raketahedhës, eksplozivë, uniforma të kamufluara ushtarake dhe pajisje logjistike ushtarake, fillimisht kanë bllokuar rrugën tek ura e fshatit me dy kamionë.
Tutje, sipas aktakuzës të njëjtit janë fshehur dhe kanë zënë pozicionet e tyre dhe pasi që kanë ardhur zyrtarët policorë të Republikës së Kosovës për t’i hequr kamionët dhe liruar rrugën, në atë moment i kanë sulmuar me eksplozivë dhe armë të rënda.
Me ç’rast, sipas aktakuzës, tek ura e fshatit ka mbetur i vrarë zyrtari policor Afrim Bunjaku, si dhe është plagosur zyrtari policor Alban Rashiti, e janë lënduar zyrtarë të tjerë policorë: Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.
Gjithnjë sipas aktakuzës, sulmi ka vazhduar deri në orën 15:00 kur shumica dërmuese e këtij grupi janë arratisur në drejtim të rrugëve malore për në Serbi, e gjithë kjo me qëllim që seriozisht të destabilizojnë dhe shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike, shoqërore të Republikës së Kosovës.
Prandaj, për këto veprime të njëjtit po ngarkohen me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” e sanksionuar me nenin 129, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 128, paragrafi 1, pika 1.1, 1.3, 1.7 dhe 1.10 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
“Përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës”
Në këtë dispozitiv, të gjithë të akuzuarit e lartpërmendur akuzohen se në kohë, vend dhe mënyrë sipas dispozitivit të parë, ku Milan Radoiçiq në cilësi të kreut të grupit të strukturuar me gjithë të akuzuarit tjerë, kishin vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të mirëorganizuar paraprakisht.
Aktakuza thotë se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe.
Në aktakuzë thuhet se këtë pjesë të territorit të njëjtit kanë tentuar t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur, ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe popullatës civile
Prandaj për këto veprime, të njëjti po ngarkohen me veprën penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” e sanksionuar me nenin 126, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 dhe 1.2 lidhur me nenin 118 të Kodit Penal.
Për çka akuzohet Milan Radoiçiqi?
Dispozitivi i tretë dhe i katërt i aktakuzës ngarkon vetëm të akuzuarin Milan Radoiçiq. Ai ngarkohet se nga viti 2017 e deri më 24 shtator 2023 në cilësinë e kreut të grupit terrorist të strukturuar, ka siguruar të ardhura në mënyrë të tërthortë.
Sipas aktakuzës, pjesa më e madhe e tyre janë përdorur për armatim të rëndë – blerje dhe furnizim me armë të rënda për grupin terrorist, uniforma ushtarake – sigurim i uniformave për pjesëmarrësit e grupit, mbështetje logjistike – sigurimi i pajisjeve dhe shërbimeve logjistike për operacionet e grupit, pagesën e pjesëmarrësve të grupit – financimin e pjesëmarrësve të grupit terrorist. Krejt kjo për të siguruar përfshirjen dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm në veprimtaritë kriminale, veprime këto me qëllim të lehtësimit dhe financimit të veprave terroriste, rrjedhimisht krijimit të kapaciteteve të nevojshme për kryerjen e akteve terroriste.
Prandaj, për këto veprime Radoiçiq po ngarkohet me veprën penale “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit”, e sanksionuar me nenin 131 të Kodit Penal lidhur me nenin 57 të Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.
Kurse në dispozitivin e katërt, Radoiçiq nga data 1 janar 2017 e deri më 24 shtator 2023, duke e ditur se një pjesë e të hyrave e tij burojnë nga aktiviteti kriminal i përcaktuar si në pikën III të dispozitivit dhe aktivitetit tjetër kriminal, përmes bashkëpunimit dhe ndihmës së të pandehurit Radule Steviq – pronar dhe person përgjegjës i bizneseve RAD D.O.O dhe Radule Steviq, B.I dhe aktivitetit ekonomik të tyre, këto para i ka konvertuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, ku një pjesë të pasurive të paluajtshme e ka transferuar dhe tek personat e tretë, me qëllim të fshehjes ose maskimit të burimit të pasurisë.
Prandaj për këto veprime, Radoiçiq po ngarkohet me veprën penale “Shpëlarja e parave” e sanksionuar me nenin 302 të Kodit Penal lidhur me nenin 56, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 të Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.
Dispozitivi i pestë akuzon personin juridik “RAD D.O.O.” për shpëlarje parash
Në këtë dispozitiv ngarkohet personi juridik “RAD D.O.O.”`me pronar të akuzuarin Radule Steviq se nga 1 janari 2017 e deri më 24 shtator 2023 duke e ditur se pasuria e të pandehurit Milan Radoiçiq buron nga aktiviteti kriminal, përmes ushtrimit të aktivitetit ekonomik, ka bashkëpunuar dhe e ka ndihmuar atë për të konvertuar pasurinë e tij, me qëllim të fshehjes ose maskimit të burimit të pasurisë.
Prandaj për këto veprime, personi juridik “RAD D.O.O.” po ngarkohet me veprën penale “Shpëlarja e parave” e sanksionuar me nenin 302 të Kodit Penal lidhur me nenin 56, paragrafi 1, nënparagrafi 1.6 lidhur me nënparagrafin 1.1 të Ligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.
Për çka akuzohet Radule Steviq, personi përgjegjës i “RAD D.O.O.”?
Dispozitivi i fundit i aktakuzës ngarkon pronarin e personit juridik “RAD D.O.O.”, Radule Steviq, se duke ditur se pasuria e të pandehurit Milan Radoiçiq buron nga aktiviteti kriminal, i njëjti përmes bizneseve të regjistruara në emër të tij dhe aktivitetit ekonomik të tyre, ka bashkëpunuar dhe ndihmuar të pandehurin Milan Radoiçiq, për të konvertuar pasurinë e tij, me qëllim të fshehjes ose maskimit të burimit të pasurisë.
Prandaj për këto veprime, Steviq po ngarkohet me veprën penale “Shpëlarja e parave” e sanksionuar me nenin 302 të Kodit Penal lidhur me nenin 56, paragrafin 1, nënparagrafi 1.6 lidhur me nënparagrafin 1.1 të Ligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.
Si e përshkruajnë dëshmitarët ditën kritike?
Në aktakuzën prej 158 faqesh, thuhet se dëshmitarët (zyrtarët policorë) që ishin në detyrë në ditën kritike, kishin dëgjuar dy shpërthime e më pas kishin filluar të shtënat që vinin nga Manastiri në drejtim të tyre. Në ato momente, kanë parë rreshterin Bunjaku të shtrirë pasi ishte plagosur dhe zyrtarët policorë kishin filluar t’i kundërpërgjigjen të shtënave.
Bunjakun e kishin larguar nga aty me një veturë, e cila ishte qëlluar disa herë nga sulmuesit.
Një qytetar i Maqedonisë së Veriut, i cili atë ditë ishte në hotelin “Rajska Banja” bashkë me bashkëshorten, djalin e mitur dhe motrën e bashkëshortes e burrin e saj, tha se rreth orës 03:30 në mëngjes kishin dëgjuar të shtëna e shpërthime.
Pasi kishte aguar, ai tha se kishin dëgjuar zhurma e parë njerëz të uniformuar e me armë aty. Ka thënë se nuk ishin lejuar të largoheshin nga hoteli. Sipas tij, kur kishin filluar të shtënat, hoteli ishte mbushur plot njerëz.
Kurse, Rade Nedelkoviq- punëtor në atë hotel, kishte thënë se atë ditë aty kishin shkuar katër persona të armatosur, tre prej të cilëve e bartnin një person të plagosur. E që më pas e kishte telefonuar babai i njërit prej atyre personave, për të pyetur për të, mbiemrin e kishte Sliviq.
E Veljo Iliq ka deklaruar se i biri i tij, Vladan Iliq e kishte telefonuar më 24 shtator, duke i kërkuar të shkojë ta marrë në hotel. Më vonë, ai prapë përmes telefonit e kishte kontaktuar dhe i ka thënë se kishte shkuar në Serbi përmes malit diku rreth 4 orë e gjysmë në këmbë.
Dëshmitari kishte thënë se e dinte që biri i tij është pjesë e “Mbrojtjes Civile”, ku është paguar diku 400 euro.
Në anën tjetër, dëshmitari A2 kishte deklaruar se pranë kufirit me Kosovën, në Rogozna atë ditë kishte parë shumë automjete pa targa, e disa me targa BG. Kishte parë 15 persona të armatosur që kishin mbërritur nga Banjska, të cilët kishin marrë pjesë në sulmin terrorist.
Sulmuesit, sipas tij vinin nga Manastiri e priteshin nga dy vetura. Tha se 25 apo më shumë persona të uniformuar kanë lëvizur nga Kosova në Serbi.
Dëshmitari A2 ka thënë se grupi funksionoi qysh një vit para sulmit e që sulmuesit punojnë në Ushtrinë e Serbisë. Deklaroi se ka dëgjuar që Radoiçiq ka ikur në Rusi.
Dëshmitari F1 ka thënë se Radoiçiq i ka organizuar e armatosur këta persona, të cilët për një kohë të gjatë kishin ushtruar në Serbi dhe shumicën prej tyre i ka paguar nga 2 mijë euro në muaj. Tha se “kanë shkuar me idenë që të çlirojnë pjesën veriore nga Kosova”.
Të arratisurit, F1 tha se janë në Serbi dhe kanë kontakt me Radoiçiqin. Për këtë të fundit, tha se paratë i ka nga krimi, kontrabanda, tenderët e financimi nga Aleksandar Vuçiq.
Cili ishte versoni i tre të akuzuarve që gjenden në paraburgim?
I pandehuri Vladimir Toliq, në Prokurori është mbrojtur në heshtje. Por, në xhaketën e tij është vërejtur prani e nitriteve dhe nitrateve nga mbetjet e qitjes me armë, që sipas PSRK-së tregon se mori pjesë në sulm.
Kurse, Blagoje Spasojeviqi ka thënë se “ka menduar që do bëhet një protestë paqësore”. Por, sipas tij është detyruar t’i bindet urdhrave të Momçillo Vuçkoviq.
Ai ka thënë se kishte qëndruar prapa Manastirit e asnjëherë s’ka shtënë me armë. Aty e kishte arrestuar Policia e Kosovës.
Një ditë më pas, u mbrojt në heshtje. Por, Prokuroria thotë se është vërtetuar kontakti me barutin dhe grimcat e barutit, pra u konstatua se ka pasur kontakt me armën- saktësisht se ka marrë pjesë në sulmin terrorist.
E Dushan Maksimoviq (punëtor i hotelit Rajska Banja), ka thënë se atë ditë ishin mbledhur tetë shokë në një vikend-shtëpizë për të bërë skarë.
Në telefon, ai kishte video të sulmit ndaj Policisë dhe të monitorimit të Policisë, për këtë të fundit ka thënë se “nuk i kujtohet”.
Prokuroria thotë se komunikimet në telefon e inkriminojnë atë direkt në vepra penale, siç ishin mesazhet e ditës kritike: “Shkruani këtu
që të organizohemi”, “Mos e dhashtë Zoti, të ketë përshkallëzim të madh, gratë dhe fëmijët duhet të largohen”.
Kur pretendohet se ishin fillet e organizimit të sulmit?
Sipas Prokurorisë, fillet e organizimit- përgatitjet për sulmin filluan nga takimi mbajtur në Rashkë të Serbisë më 13 tetor 2021, ku ishte kërkuar përkrahje me qëllim të kryerjes së veprave të rënda penale.
Aty mori pjesë presidenti serb Aleksandar Vuçiq, Milan Radoiçiq e Vladimir Radivojeviq me pseudonimin “Mami”, si dhe struktura të larta shtetëtore. Në takim, u kërkua të armatosen e të fillonte rezistenca e armatosur kundër institucioneve në katër komunat në veri të Kosovës.
“I keni dëgjuar këta trima çfarë thonë, unë do t’ju them vetëm një gjë në emër të të gjithëve, se herën tjetër do të mbrohemi deri në fund, deri në vdekje”, kishte thënë Radoiçiq në atë takim.
Sulmet ndaj Policisë e KFOR-it më 2022 e 2023, thuhet se po ashtu ishin organizuar nga Radoiçiq. Ky i fundit, me grupin e armatosur rëndë më 10 dhjetor 2022 ishin fotografuar në Mitrovicë të Veriut.
Ekzaminimet e pajisjeve elektronike, treguan ku qëndroi grupi terrorist e ku kreu ushtrimet. Po ashtu, këto pajisje treguan edhe realizimin e planit të sulmit, që nga vendosja e kamionëve si barrikada, transportimin e sulmuesve, qëndrimin e tyre tek bujtina, momentin e sulmit ndaj policisë, e të tjera.
Kush dhe si e financoi Radoiçiqin?
Lidhur me financimin e Radoiçiq, Prokuroria thekson se gjatë hetimit është vërtetuar se fuqizimi i tij është bërë në mënyra të ndryshme me përkrahjen e drejtpërdrejtë të Serbisë, fillimisht përmes tenderëve e më pas me përkrahje politike.
“Më pastaj, Serbia i ka ofruar të gjithë infrastrukturën e nevojshme ushtarake për trajnimin e pjesëmarrësve, ofrimin e pajisjeve ushtarake dhe logjistike, krejt këto të nevojshme për të kryer sulmin terrorist të datës 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktakuzë.
Grumbullimi i fondeve, thuhet se u bë duke hapur biznese të ligjshne, me qëllim të fshehjes së prejardhjes apo maskimit të origjinës së parave.
“Çdo përkrahje institucionale të ofruar nga buxheti i Kosovës për qytetarët e pjesë së veriut ka përfunduar në duart e të pandehurit Milan Radoićić, ku i njëjti kishte arritur të krijoj biznese të cilat shiheshin si të ligjshme dhe fitonte kontrata publike”, thotë aktakuza.
Pronar faktik i bizneseve të hapura në emër të Radule Steviq thuhet se është vetë Radoiçiq. Pra, dy burimet e financimit të tij thuhet se ishin duke keqpërdorur tenderët në Kosovë dhe financimi nga Serbia.
Sipas PSRK-së, tenderët e fituar në Kosovë ishin në vlera më të ulta, pra ka marrë kontrata që në aspektin procedural ishin të ligjshme, por pas marrjes së tenderit, projekti nuk implementohej fare.
Kurse forma e dytë apo më kryesore ishte përmes financimit nga Serbia, ku kjo formë funksiononte në emër të së ashtuquajturës “Zyra për Kosovë dhe Metohi”. Kontratat fitoheshin në emër të bizneseve të regjistruara me pronar Steviqin.
“Gjatë analizimit dhe krahasimit të secilës prej këtyre kontratave, kjo prokurori ka arritur në përfundim se “D.O.O.RAD 028 Zveçan” e regjistruar në sistemin paralel në Serbi, ka të përfituar 192 kontrata (te dy grupet e kontratave) për periudhën kohore 2020 deri me 31.07.2024, ku totali i këtyre kontratave arrin vlerën e rreth 67.5 milion euro apo në dinar serb 7,939,807,482.60″, thuhet në aktakuzë.
Po ashtu, janë dhënë kontrata në emër të financimit të projekteve të ndryshme, sikurse për fidane, pajisje për blegtori dhe bujqësi, ndërtim të shtëpive, e të tjera.
“Nga kjo skemë shihet se i pandehuri Milan Radoićić përmes të pandehurit Radule Steviq financohej në forma të ndryshme, duke përfituar paratë kinse në emër të përkrahjes së qytetarëve serb nga Serbia, nga tenderët e financuar nga Kosova për krijimin e kushteve më të mira për qytetarët serb, dhe pastaj gjithë këtë fuqi ekonomike e përdorte i pandehuri Milan Radoićić ndaj qytetarëve të pjesës së veriut të Kosovës, duke vendosur në çdo çështje, duke i detyruar që të kryejnë kontabandim me mallra, të bllokojnë rrugët, të rebelohen, ngrenë barrikada, dhe në kundërvlerë financoheshin për nevojat elementare apo për mbijetesë”, thuhet në aktakuzë.
Prokuroria thekson se shumica e këtyre kompanive ishin themeluar para sulmit në Banjskë. Fitimet e tyre nga donacionet, kanë rënë në duart e Radoiçiqit, Steviqit, pjesëtarëve tjerë të grupit terrorist e familjarëve të tyre.
Lidhur me tenderët e fituar në Kosovë, thuhet se shihet që kompania nuk ka kapacitet, as fuqi punëtore e makineri që t’i realizojë projektet e fituara me kontratë.
Sipas Prokurorisë, është dëshmuar dhe vërtetuar se i pandehuri Milan Radoiçiq me vetëdije të plotë, përmes aktivitetit kriminal ka krijuar të hyra në vlera milionëshe dhe këto të hyra përmes bizneseve të regjistruara në emër të pandehurit tjetër Radule Steviç (RAD 028 Zveçan, RAD DOO, RADULE STEVIC B.I.) e ka maskuar origjinën apo prejardhjen e parave dhe të njëjtat përsëri përmes bizneseve të Steviq i ka konvertuar nga mjete financiare në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme.
Rojet e vilës së Radoiçiq tek Ujmani, fillimisht me udhëzimin e tij, kishin thënë se pronar është Bojan Jakshiq, e më pas e pranuan se është Radoiçiq. Thanë se pagën e marrin në restorantin “Grey”. Kurse, dëshmitarët të cilët ishin angazhuar gjatë ndërtimit të vilës, kishin dëshmuar për materialin e ndërtimit që e kishin dërguar, kush ishte përgjegjës për ndërtimin e vilës, disa përmendën Radoiçiqin e detaje tjera.
Ish-partnerja e Radoiçiq, Ema Rexhepoviq-Radoiçiq, ka thënë se qiranë prej 800 euro për apartamentin ku jeton, e paguan Radoiçiq, me të cilin komunikon rrallë. Ka thënë se ai është baba i mirë, por jo edhe bashkëshort i mirë.
Për vilën tek Ujmani, ajo tha se nuk e di sa ka investuar Radoiçiq. Zyra në restorantin “Grey”, Ema tha se është në emër të nënës së saj, pasi nuk kishte mundur të shkonte ta nënshkruante kontratën.
Deri tani, në paraburgim për rasin e Banjskës janë Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.
Në Bajsnkë të Zveçanit, në orët e hershme të 24 shtatorit 2023, ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si dhe ishin plagosur dy të tjerë. Pastaj, të vrarë kishin mbetur edhe tre sulmues, kurse të tjerët ishin larguar pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës. Milan Radoiçiq e kishte marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist.
Haradinaj: Edhe sa shifra qindmijëshe e milionëshe duhet të ...
Papa Françesku kërkon të hetohet nëse në Gazë po kryhet gjen...
Plagoset me armë 32-vjeçari shqiptar në Itali
Mustafa i PDK-së: Kërkojmë shkarkimin e Ministrit Peci, Fito...
Hamza në Zvicër: Kosova synon te sjellë ekspertë ndërkombëta...
Haradinaj: Diasporën do ta mbështesim fuqishëm për t’i...