Google ADS

Çështja e dinarit serb do të diskutohet në Bruksel

11:18 | 22 Shkurt 2024
R J

Javën e ardhshme diskutohet në Bruksel çështja e dinarit serb, por kryenegociatori i Kosovës paralajmëron, se nuk do të marrë pjesë në takim. Kosova po merr masa që çështja e dinarit të mos dëmtojë qytetarët serbë.

Nuk ka të ndalur presioni ndërkombëtar ndaj qeverisë së Kosovës që ta shtyjë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore, që përcakton Euron si valutën e vetme për pagesa në Kosovë, duke përjashtuar kështu dinarin e Serbisë. BQK nuk zmbrapset nga vendimi  për zbatimin e rregullores, ndërsa qeveria e Kosovës, paralajmëroi se është duke e hartuar një plan dhjetë pikësh nëpërmjet të cilit synon të zbusë ndikimin që mund të ketë rregullorja tek qytetarët e komunitetit serb.

Kritika nga Kosova për takimin javën e ardhshme

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi njëherësh edhe kryenegociator në dialog me Serbinë, tha se vendimi i BQK-së, nuk është i drejtuar kundër asnjë komuniteti, por vetëm synon rritjen e sigurisë së sistemit bankar dhe atij të pagesave në vend. “Ne jemi të vetëdijshëm që në afat të shkurtër zbatimi i kësaj mase mund të krijojë vështirësi për një pjesë të qytetarëve të cilët kanë marrë dhe vazhdojnë të marrin mbështetje financiare nga Republika e Serbisë. Banka Qendrore ka nxjerrë një varg aktivitetesh dhe masash me të cilat synon ta zbusë këtë ndikim e në ditët në vijim edhe qeveria e Republikës së Kosovës do të dalë me një listë prej dhjetë masave, me të cilat ne do të tregojmë se si do të kujdesemi që qytetarët të mos dëmtohen në këtë fazë kalimtare”, tha zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Bislimi kritikoi të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Miroslav Lajçak, i cili për javën e ardhshme ka caktuar një takim në Bruksel për të diskutuar për çështjen e dinarit, pa u dakorduar paraprakisht me Prishtinën zyrtare. “Është hera e parë që ai ka caktuar një takim pa dakordim paraprak me palët dhe është munduar edhe ta përcaktojë agjendën përkundër parimit që ai ka vendosur në vitin 2021 se asnjë temë nuk vendoset në agjendë pa dakordim të palëve”, tha Bislimi, duke paralajmëruar se ai nuk do të shkojë në këtë takim. “Ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori, sepse, çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut. Unë shkoj atëherë kur diskutohet për marrëveshjen bazike, kështu që do të shohim se kush mund të shkojë që të bisedojë për dinarin, por, që nuk do të jetë dikush nga ekipi i kryenegociatorit”, tha numri dy i qeverisë.

Lëvizje diplomatike në Kosovë lidhur me përplasjet për rregulloren e BQK-së

Për çështjen e zbatimit të rregullores së BQK-së, që e ndalon përdorimin e  Dinarit të Serbisë në Kosovë, ambasadorët e Quint-tit i shkuan në zyrë të mërkurën pasdite edhe Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrit, Albin Kurti. Ky i fundit nuk njoftoi për takimin, ndërsa zyra e presidentes përmes një njoftimi me shkrim, tha se “ndonëse vendimi është kushtetues, suksesi në zbatimin e tij është i lidhur edhe me shkallën e bashkëpunimit me aleatët”. “Është me rëndësi që nuk po kërkohet që kjo rregullore të shfuqizohet, por, thjesht që të punohet në një plan tranzicioni për zbatim të saj, e cila merr parasysh edhe shqetësimet e të gjithë qytetarëve që mund të afektohen nga një vendim i tillë”, thuhet në njoftim.

Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, duke e përjashtuar kështu në mënyrë automatike përdorimin e dinarit hyri në fuqi më 1 shkurt pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtare që të shtyhet zbatimi i saj. Autoritetet e Beogradit thanë se zbatimi i rregullores po kërcënon mbijetesën e komunitetit serb në Kosovë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kritikuan ashpër për këtë çështje qeverinë e Kosovës duke vënë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në./DW

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme