Si rezultat i programit shtetëror “Kosova, Shtet i Xhudos”, sot u certifikua grupi i parë i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Xhudo, ngjarje në të cilën mori pjesë kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
Në shtëpinë e kampionëve tanë, siç e cilësoi kryeministri Kurti Qendrën e Xhudos, u arrit suksesshëm ndërlidhja e sportit të xhudos me ushtrinë e cila është një hap tjetër tutje për fuqizimin e djemve e vajzave tona në uniformë.
“Uroj shumë që kjo përvojë të ju ketë forcuar edhe më shumë, jo për të sulmuar të tjerët por për të qenë mjaftueshëm të aftë të mbroni vetveten dhe të jeni të përgatitur me teknikën, forcën, dhe qëndrueshmërinë përkatëse. Vetëm kësisoj arrijmë të ndërtojmë një Kosovë të sigurt e demokratike, të lirë e të barabartë për të gjithë”, uroi kryeministri të certifikuarit e FSK-së që tani e tutje kombinojnë uniformën e ushtrisë me kimonet e xhudos.
Për ushtrinë tonë e cila është shtyllë e sigurisë në Kosovë dhe shtyllë e paqes në rajon, kryeministri tha se në dy vitet e fundit kemi dyfishuar buxhetin për ushtrinë dhe kemi rritur investimet në armatim për 191%, derisa bashkë me to kemi shtuar edhe 1852 ushtarë të rinj.
Programi “Kosova, Shtet i Xhudos” i cili siguron ndërlidhjen e sportit të xhudos me edukimin dhe shëndetin e të rinjve tanë, tashmë i jep mundësi FSK-së të përgatitet në xhudo, vetëmbrojtje dhe luftë të afërt nga kampionët e botës me udhëheqjen e kryetrajnerit Driton Kuka, derisa xhudistët tanë elitarë kanë mundësinë të jenë pjesë e forcës që i shërben popullit dhe shtetit.
Këta të fundit kryeministri Kurti i përgëzoi edhe për katër medaljet e fituara vikendin e kaluar, dy medalje për ushtrinë e Shqipërisë nga Nora dhe Distria, e dy për Kosovën nga Akili dhe Laura, duke uruar se sikurse krenaria jonë për ta, as sukseset e tyre të mos ndalen kurrë.
Ndërkaq, Agron Kuka, president i Federatës së Xhudos së Kosovës, tha se është kënaqësi dhe privilegj që në kuadër të programit “Kosova, Shtet i Xhudos” të certifikojnë ushtarët e parë, por jo të fundit, të ushtrisë sonë të lavdishme.
“Ne si sport i xhudos bëjmë hapa të lehtë, por ngado që shkelim lëmë gjurmë të pashlyera, dhe kjo sot jam i bindur se do të mbetet gjurmë e përhershme”, tha ai duke falënderuar kryeministrin Kurti si përkrahësin kryesor të programit “Kosova, Shtet i Xhudos” dhe ideatorin e këtij programi, ministrin Çeku.
Driton Kuka, trajner i sportit të xhudos, tha se tani ky sport përveç që është emblemë e sukseseve të shtetit tonë, po shkon përtej asaj që xhudo nuk është vetëm sport, por edhe shtyllë kryesore e organizimit dhe forcimit të ushtrive të mbarë botës, tash e tutje edhe të ushtrisë sonë./Arbresh.info
Alex Iwobit iu zbulua dikur paga në internet dhe kishte shif...
Tentohet të vidhet banka në Korçë, policia në vendin e ngjar...
Aksident te Dheu i Bardhë, lëndohen shtatë persona
Pacolli për sulmin në Gjermani: Këta njerëz që ndryshojnë fe...
Sistemi i ri për mbrojtjen nga raketat, përforcon krahun lin...
Blerësit ankohet për çmimet, tregtarët: Ka vështirësi në fur...