Këtë të enjte ishte dita e fundit e afatit për aplikim në nivelin Master, në Universitetin e Prishtinës.
Kandidatët për programet e Masterit në Fakultetin e Filologjisë kanë dorëzuar edhe dokumentet e nevojshme.
Megjithëse nuk kanë pranuar të flasin para kamerës, studentët e Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, e kanë kundërshtuar Udhëzimin Administrativ që atyre u kërkon ta dorëzojnë një certifikatë si dëshmi për njohjen e një gjuhe të huaj.
Ata thonë se nuk e posedojnë atë, pasi që kanë diplomën e nivelit Bachelor dhe se mungesa e certifikatës i penalizon në provimin pranues.
Disa prej tyre kanë zgjedhur edhe rrjetet sociale, për ta ngritur një çështje të tillë.
“Kriteri që studentët të pajisen me certifikata të gjuhës angleze të nivelit A2 për regjistrim në Master, po vlejka edhe për studentët e Fakultetit të Gjuhës Angleze! D.m.th., një certifikatë e njohjes së gjuhës po konsiderohet më e vlefshme se diploma e fakultetit në po këtë gjuhë!!!! 4 vjet me ndjek ligjërata e ushtrime në gjuhën angleze, me i kalu’ 48 provime, projekte t’panumërta e n’fund tema e diplomës në këtë gjuhë, s’qenkan dëshmi t’mjaftushme që ke njohuri t’gjuhës angleze, të një niveli elementar”, ka shkruar Lyra Goga, e diplomuar në Departamentin e Gjuhës Angleze dhe ligjëruese e kësaj gjuhe.
E, një vendim të tillë e ka quajtur absurd edhe dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova.
Në një përgjigje me shkrim, ajo ka thënë për KTV-në se e ka kundërshtuar Udhëzimin Administrativ.
“Unë nuk e kam përkrahur këtë vendim në mbledhjet e përbashkëta që i kemi pasur bashkë me dekanët e tjerë. U. A. qeveritar që nuk është miratuar menjëherë dhe është shtyrë disa herë nga Senati, në fund na erdhi si taksativ (i obligueshëm) për t’u zbatuar nga niveli shtetëror. Fatkeqësisht, në këtë U. A. nuk përjashtohen as departamentet e gjuhëve të huaja, ndonëse është absurde t’i kërkohet një të diplomuari të anglishtes me nivel C1 ose B2, ta sjellë një certifikatë të nivelit A2 ose B1, pavarësisht që e ka diplomën e studimeve në atë gjuhë”, ka thënë Lindita Rugova, dekane në Fakultetin e Filologjisë.
Ndërkaq, nga Rektorati i UP-së thonë që është obligim zbatimi i udhëzimit qeveritar.
“Si institucion publik i arsimit të lartë, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka për detyrë implementimin e Udhëzimit Administrativ (QRK) Nr. 03/2018 për gjuhët e huaja në programet e studimit të ciklit të dytë apo të tretë të lëshuar nga Qeveria e Kosovës”, ka thënë Hysen Bytyqi, prorektor në Universitetin e Prishtinës.
Në prill të 2018-s, Qeveria e Kosovës ka hartuar një udhëzim administrativ, me të cilin u kërkon studentëve që duan të ndjekin studimet Master dhe Doktoratë, të kenë edhe një certifikatë që shërben si dëshmi e njohjes së një gjuhe të huaj.
Mirëpo, për shkak të ankesave të shumta nga ana e studentëve, dorëzimi i një dokumenti të tillë është shtyrë deri në muajin qershor.
Kryetari i Zubin Potokut: Prapa sulmit në Ibër Lepenc qëndro...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, Zeqiri: Cak i këtij sulmi ka qenë...
Sulmet në Zveçan e Ibër Lepenc, policia me aksion për identi...
Gërvalla: Pas një angazhimi të jashtëzakonshëm të institucio...
Hoxhaj: Shpërthimi në Ibër Lepenc, akt i papranueshëm që cen...
Mediat ndërkombëtare raportojnë pas shpërthimit në Ibër Lepe...