Çeku: Lamtumirë Luan Mulliqi, mjeshtër i skulpturave që shpërfaqin identitetin dhe kulturën e vendit

17:59 | 22 Tetor 2023
E.G

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku u ka shprehur ngushëllime familjes e Luan Mulliqit, i cili ndërroi jetë këtë të shtunë.

Duke përmendur krijimtarinë që la pas i ndjeri, Çeku tha se kontributi i tij në zhvillimin e artit pamor dhe monumental në vend ishte i rrallë, shkruan Arbresh.info.

“Lamtumirë Luan Mulliqi, mjeshtër i skulpturave që shpërfaqin identitetin dhe kulturën e vendit. Shtatorja e akademik Fehmi Aganit në Prishtinë, ajo e Nënë Terezës në Tiranë, e Ismail Qemalit në Prishtinë, busti i Sekretares së shtetit të SHBA-ve Madeleine Albright janë vetëm disa nga krijimet që ky artist i madh na la pas për ta kujtuar gjithmonë. Kontributi i tij në zhvillimin e artit pamor dhe monumental në vend ishte i rrallë. Ai udhëhoqi Galerinë Kombëtare të Kosovës, u angazhua në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Gjithashtu ishte pedagog i pashoq në Universitetin e Prishtinës dhe Tetovës.”, shkroi ai.

“Krijimtaria e tij e lavdishme do të jetë trashëgimi e çmuar për të gjithë qytetarët.”, u shpreh ministri Çeku./Arbresh.info./

 

 

Të ngjashme