Artin e kishte pasion që kur ishte 4 vjeçar. Lapsi, letra, ngjyrat vizatimet dhe skicat ishin disa prej gjërave të cilave Visar Ahmeti nga komuna e Shtimes tërhiqej gjithnjë e më shumë, por pasioni i tij për pikturën u shtua kur ai e shiti pikturën e tij të parë.
Visari për Arbresh.info tregon se qysh i vogël filloi të merrej me art, por tash këtë profesion e bën çdo ditë.
Fillimet e tij ai i tregon me shumë emocione, pasi dëshira e tij nuk ishte të luante futboll, por të dilte në ballkon, të merrte lapsin dhe letrën dhe të vizatonte malet e shtëpitë që i shihte përreth.
“Qysh në vegjëli arti me ka pëlqye, gjithmonë anojsha kah ngjyrat, vizatimet, skicat. Më kujtohet kur të tjerët shikonin futboll, unë kam dalë në teras edhe merrja një letër e një laps dhe shikoja male, shpija dhe çfarë shihja nga terasa, i vizatojsha dhe u mundojsha me shpreh prej anës time. Po ashtu edhe filmat vizatimor i kam dashtë shumë dhe kur i shikoja në televizor u mundoja me i vizatu lëvizjet e tyre që vetëm t’i kem”, thotë piktori.
Atij nuk i mungojë përkrahja e familjes dhe miqve në ushtrimin e këtij profesioni, gjë që bëri që të vazhdojë edhe më shumë dhe arti i tij të shpërndahej gjithandej.
“Artin e kam filluar që 4 vjeç, por në shkollën fillore mësuesi im u mahnitë me artin tim, thoshte kaq i vogël me pas këtë talent dhe kështu prej shkollës fillore kam vazhduar sepse kam thanë që një ditë kam me arrit dhe arti jem ka me u shpërnda edhe në të gjithë boten pse jo”, tregon artisti nga Shtimja.
Çdo ditë nga katër orë, Visari ia përkushton pikturës.
Përkushtimi i tij ndaj këtij profesioni bën që secila nga pikturat e tij të jenë më të veçanta se tjetra.
Ai na tregon pikturën që e veçon dhe arsyen pse.
“Në fakt çdo art që e bëj më duket me e veçantë se ajo tjetra, por më e veçantë është kjo pamje fshati. Këtu kam dashur të paraqes mënyrën sesi kanë jetuar në fshat më herët edhe që e kanë dashtë këtë jetë, ndoshta nuk kanë pas po jetën e kanë pasur edhe dashurinë e kanë pas më të madhe se sot që e kemi”, shprehet Visari.
Një nga historitë ose përjetimi më i mirë gjatë kohës që merrej me art e që u bë edhe frymëzim që të vazhdonte edhe më tutje, kur ishte vetëm 18 vjet ai shiti pikturën e tij të parë.
Çdo moment që një pikturë i pëlqehet nga të tjerët, vullneti i tij të pikturojë shtohet edhe më shumë.
“Kur isha 18 vjet ishte shitja ime e parë, nuk ishte shumë e shtrenjtë ishte vetëm 30 euro po diqysh kur ta blen artin, hej unë jam tu e shit artin që unë e kam ba, unë ata e kam ba veç për qef po ma kanë kërkua, jam gëzu, jam gëzu shumë edhe sa herë që po shes po më jepet edhe motivi me punu dhe piktura që e kam shit kur isha 18 vjet e kam më shumë për zemër” tha piktori.
Dega e tij e artit me kalimin e kohës kishte ndryshuar, në vegjëli e kishte si të preferuar ngjyrat bardh e zi, por tani kombinimet e ngjyrave e tërheqin më shumë, sepse sipas tij, edhe peizazhet edhe natyra janë të preferuarat e njerëzve.
Në Kosovë, sipas tij, nuk mund të mbijetosh vetëm me art. Duhet të punosh edhe një punë tjetër për t’ja dal.
Ai, thotë se puna e tij e dytë është si menaxher në një firmë.
Pas punës ai gjithmonë pjesën tjetër të kohës ia kushton artit.
Brenga e tij si artist është mos vlerësimi i punës së një artisti, sepse arti si profesion, sipas tij, është lodhje, dhe njerëzit duhet ta duan më shumë artin dhe të kenë pikturat në ambientet e tyre shtëpiake.
“Arti është një lodhje shumë, së pari të kushton ideja pastaj realizimi, ngjyrat dhe kisha pas dëshirë që të vlerësohet mundi që po e bëj dhe jo që ta marrin me çmim jo të arsyeshëm .Njerëzit dua artin që ta duan, veprat në pëlhurë janë të përjetshme ,ja vlen që ta kemi në ambientet e tona dhe ta zbukurojnë sallonin ose dhomën e ndejës ”, tha Ahmeti.
Planet e tij për të ardhmen janë të bëj një atelje që profesionin e ëndrrave ta kalojë. /Arbresh.info/ Albiona Bashota/
Besiktasi i Rashicës mposhtet nga Maccabi në Ligën e Evropës
“Xhamadani vija-vija o ësht Kosova ësht Shqipria”, Edi Rama ...
Bilbao fiton bindshëm ndaj skuadrës së vëllezërve Zeneli
Kuq e Zi e gjithë Tirana
Digjet njësia e orëve në një objekt në Prishtinë, lëndohen d...
Mbi një milion ukrainas në terr si pasojë e sulmeve ruse